....Si mendon ti, kritikat e bëra vinin nga një kritikë “zyrtare”, domethënë e diktuar nga lart, apo vetë kritika, kritikët dhe opinioni shoqëror nuk ishin aq të emancipuar sa të mirëprisnin një vepër realiste si “Tuneli”? Pra, ky roman ishte i parakohshëm, apo reagimi erdhi sepse kjo vepër cenoi “moralin zyrtar”?
Ai telefon nga lart që ra atë ditë në redaksi e që sugjeroi të shkoja në hidrocentralin e Bistricës, autokritika që u kërkua me aq ngulm e që u shkrua në disa variante nga unë e nga shoku im Dalan Shapllo, më i mërzitur se unë nga ç’po ndodhte e që përfundimisht u kërkua jo e daktilografuar, por e shkruar thjesht nga dora ime, dhe ai shënim diplomatik në librezën time u konkretizuan e u zbuluan se gjithçka ishte menduar nga maja e piramidës. Një delegacion i rëndësishëm qeveritar kinez (duhet të ketë qenë i madh derisa shoqërohej nga kryeministri), qëndron një ditë para tunelit të Bistricës.
Disa ditë më parë agjencitë telegrafike të botës jepnin një lajm shumë sensacional: Go Mo Zhoja, një nga personalitetet e mëdha të Kinës së madhe, një politikan e letrar, kishte deklaruar dhe ishte nisur për në Komunë e atje do të hante bar e baltë. Këtë gjë e dinin anëtarët e delegacionit kinez, e dinte edhe udhëheqja shqiptare. Kryeministri duke zgjatur dorën e duke treguar se ky është tuneli më i madh, tre kilometra e tre metra i çarë me forcat tona, tha dhe këto fjalë: “Ashtu si ju dërguat në Komunë Go Mo Zhonë, dhe ne kemi futur në atë thellësi, mes minatorëve, një nga shkrimtarët tanë më të mirë”.
Asnjëherë nuk është e parakohshme të thuash të vërtetën. E vërteta dhe vetëm e vërteta është misioni i shkrimtarit aq sa ka mundësi, aq sa lejohet në kohëra diktature, sepse të thuash më shumë s’të lë as censura. Më mirë të thuash aq, qoftë dhe pak të vërtetë, sesa të bësh të kundërtën, të këndosh hosana. Kritika zyrtare burokratike është tjetër gjë dhe opinioni shoqëror tjetër. Dhe në opinionin shoqëror të manipuluar shkrimtari gjen një shtresë të gjerë të një opinioni të vërtetë, realist, që diferencon e mirëpret veprën realiste.
Sa është interesuar Lidhja e Shkrimtarëve si organizatë shoqërore (funksioni i së cilës, siç dihet, është të mbrojë shkrimtarët) për fatin tënd, ose më saktë, për kohën kur ti ishe në prodhim? A e ke ndjerë dashurinë e kolegëve shkrimtarë, përkrahjen e tyre, solidaritetin domosdoshëm të intelektualit për intelektualin që bie në vështirësi?
Pozicioni im pas “Tunelit” është shumë i komplikuar, interesant dhe i pazbërthyeshëm. Fati i jetës sime varej diku, po se ku jo vetëm që unë nuk e gjeja dot, por as dhe nëpunësit e lartë, aq më tepër as vetë Lidhja e Shkrimtarëve, e cila, siç dukej, i kishte prerë marrëdhëniet diplomatike me mua që kur më dha librezën e punës në dorë.
Vdekja e prindërve, sëmundja e djalit, vështirësitë ekomomike, pamundësia për të ndihmuar familjen me rrogën time të vogël si punëtor, më detyruan që të ëndërroj e ta quaj veten të lumtur nëse do të më lejohej të punoja diku në periferi të Tiranës, që rrogën time ta fusja në shtëpi, të merrja dhe unë bukën të mbledhur me gazetë nën sqetull si gjithë punëtorët.
Po i hyja një loje të guximshme, e cila do të më deziluziononte. Po i kundërvihesha një urdhri zyrtar, që dhe vetë zyrtarët s’dinin as nga vinte e s’dinin si të vepronin ndaj një njeriu që do të jetojë në shtëpinë e tij, pranë gruas së tij, pranë fëmijës së sëmurë, pa kërkuar punë sipas diplomave përkatëse, përkundrazi pranonte çfarëdolloj pune.
J. Tole dhe H. Çobani, i pari drejtor dhe i dyti kryeagronom i fermës “Gjergj Dimitrov”, japin miratimin e tyre. Shefi i kuadrit kërkoi fletën e punës, të cilën e jep zyra e punës e komitetit ekzekutiv të lagjes. Ai, shefi i zyrës së punës, mblodhi supet e tha se pa urdhrin e kryetarit të komitetit ekzekutiv s’e bënte dot atë punë. Dhe kryetari i komitetit mblodhi supet e tha se nuk ishte aq budalla sa të më jepte mua fletën e punës. De këto fjalë i tha, pasi lexoi të gjithë librezën.
- Ti qenke shkrimtar, qenke ndihmësmjek, mësues, gazetar, paske mbaruar edhe shkollën e lartë për këtë punë?
Nuk po i duroja dot ironitë e tij dhe iu përgjigja shkurt:
- Jo.
- Si jo?
- Lexoni më poshtë, aty shkruan se jam hekurkthyes, saldator dhe elektricist. Unë s’jam më ai që kam qenë. Jam një punëtor i thjeshtë që kërkoj një punë të thjeshtë, të cilën e kam gjetur. Jam qytetar i Tiranës me pasaportizim të rregullt, jam banor i lagjes që drejtoni ju, jam...
- Je mor djalë, je, por s’je për mua, je shkrimtar, për ty u çanë gazetat dhe revistat dhe axhanset e huaja.
- S’jam më shkrimtar. As kam që qejf të shkruaj më. Jam saldator.
- A janë dakord ata të Lidhjes së Shkrimtarëve që ti të punosh si punëtor?
- Sigurisht. Ata më nisën nëpër kantiere.
- Epo, meqë të nisën ata, ata e kanë në dorë të të kthejnë, jo unë! Pse të përgjigjem unë për ty?
- Për veten time, unë përgjigjem vetë, - i thashë i nxehur.
- Jo, mor bir! (nga mosha ai kishte të drejtë të më quante bir). Ti nuk e ke në dorë vetveten. Ti varesh nga Lidhja. Derisa të nisën kantiereve, ata diçka dinë!
- Domethënë po ta sjell unë një copë letër si kjo e J. Toles dhe H. Çobanit, nga ata të Lidhjes, ju ma jepni fletën e punës?
Ai u mendua gjatë dhe nuk di sesi tha me gjysmë goje:
- Po.
Vete në Lidhje e riprodhoj me radhë të gjithë dialogun dhe u zgjas dorën për atë cope letër, por ata nuk ma dhanë. Më premtuan se do të flisnin gojarisht me kryetarin. Dhe vërtet folën. Të pasnesërmen vete te kryetari. Ai më pret me buzën në gaz.
- S’kam ç’të bëj, derisa s’ta dhanë me shkrim!
Nuk e kam ndier veten aq të poshtëruar e të fyer nga ajo buzëqeshje burokratike, triumfatore dhe keqardhëse.
Nuk ishte fjala për një copë letër, siç ngulja unë këmbë. Kush e kishte në dorë fatin tim? Megjithatë, hyra në fermën “Gjergj Dimitrov”, por ilegalisht. Dekonspirimi i këtij sekreti u bë shumë vonë, kur unë shkrova dramën “Pas dy vjetësh”, që bënte fjalë për jetën e traktoristëve dhe të mekanizatorëve të fermës. Dramën e vuri në jetë Kujtim Spahivogli, i cili e pësoi më keq se unë. Unë jam gjallë, m’u dha e drejta e botimit, kurse ai vdiq duke mbajtur në shpirt e në shpinë peshën shkatërruese të mosrehabilitimit.
Veç jehonës së “kritikës zyrtare”, e cila është e njohur dhe e botuar, pjesë të të cilave ne po i botojmë në revistë, a pati romani jehonë jashtë vendit?
Sigurisht pati jehonë. Ishte e pamundur që stuhiza e brendshme të kalonte pa zhurmë e sensacion në faqet e para të shumë gazetave të Evropës e Amerikës, zërave të radiove të ndryshme, madje edhe në gjuhën esperanto, si dhe të agjencive telegrafike. Dhe titujt ishin bombastikë: “Një shkrimtar komunist persekutohet nga qeveria e tij”. “Një shkrimtar në galerat e Bistricës”. Agjencia bullgare e lajmeve njoftonte se së shpejti do të botoheshin nga letërsia ballkanike Ivo Andriqi e Dhimitër Xhuvani. Romani “Tuneli” përkthehet nga Marina Marinova, dërgohet në shtyp dhe pas disa ditësh tërhiqet nga shtypshkronja. Këto ishin të paktat informacione që unë munda të marr vesh atëherë.
Pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri, shkrimtari është më i lirë të shprehet, të kritikojë, të opozicionojë, të thotë të vërtetën. Për shkrimtarët shqiptarë, të mësuar prej vitesh me tutelën ose në mënyrë të figurshme, nën thundrën njëpartiake, liria e demokracisë, e botimit, e mundësive për t’iu afruar të vërtetës, do të sjellë vepra të reja, cilësore, më jetëgjata e më të dobishme për shoqërinë, apo këtë mision mund ta luajnë brezat e rinj të shkrimtarëve që s’i kanë provuar “fushat me mina” të botimit? A mund të ambientohen, pra, shkrimtarët me përvojë, që kanë krijuar e botuar prej shumë vitesh nën censurën e një ideologjie, me këtë klimë të re demokratike e pluraliste?
Shkrimtarët që kanë punuar në “fushat me mina” të botimit, që u ka plasur dhe ndonjë minë, që kanë pasur pasoja më të rënda, kanë qenë nëpër kampe e burgje, kanë kënde vështrimi e krahasime shumë më interesante e origjinale. Shkrimtarët e rinj, që s’e patën e s’do ta kenë këtë fat, do të kenë këndvështrimet e tyre, gjithashtu interesante. Unë jam i bindur që këta shkrimtarë të rinj do ta trajtojnë periudhën e “minave” dhe shpresoj e dëshiroj që ta trajtojnë më mirë. A mund të ambientohen shkrimtarët me përvojë që kanë krijuar e botuar prej shumë vitesh në censurën njëpartiake me klimën e re?
Klima e re demokratike është mjekimi më efikas.
Prej shumë kohësh ka ekzistuar jo vetëm në teori, por edhe në praktikë, parimi që shkrimtarët duhet të zbresin në bazë; të jetojnë poshtë, të njohin jetën, pra të vuajnë edhe fizikisht, edhe materialisht “njëlloj si populli”. Shumë e shumë herë janë dërguar poshtë në kantiere e kooperativa kontingjente shkrimtarësh e artistësh. Me sa di unë, nga këto “njohje jete”, nga këto largime masive, nuk kanë dalë vepra që mund t’i shpëtojnë kohës. Veç punës në Bistricë ju jeni nga ata shkrimtarë që edhe pas “punës në prodhim” keni qenë vazhdimisht në listat e Lidhjes për zbritjen në bazë. Pas një eksperience kaq të gjatë në “njohjen” e jetës, si duhet kuptuar për shkrimtarin “njohja” e jetës? Mos vallë shkrimtari duhet të vuajë si “zbatharakët kinezë” që t’i afrohet së vërtetës dhe realizmit? Sepse, edhe në traditën tonë, edhe në atë botërore, shumica e shkrimtarëve s’kanë jetuar si “zbatharakë” e, megjithatë, ata kanë bërë vepra realiste, të vërteta dhe me peshë kombëtare... Ata janë bërë ndërgjegjja e kombit! Cili është mendimi yt për këtë çështje që ka zotëruar aq tepër konceptet teorike të estetikës sonë, të kritikës dhe të opinionit shoqëror?
Kam qenë, jam e do të jem i mendimit se njohja e jetës është domosdoshmëri jetike për shkrimtarin, ndryshe nuk di se si mund të shkruhet pa njohje. Mënyra se si e njeh shkrimtari jetën është individuale dhe specifike. Njohja e jetës nuk bëhet e organizuar ose me ekipe, dhe nuk është e thënë që shkrimtari duhet të vuajë e të provojë gjithçka që të shkruajë. Ç’duhet të bëjë një shkrimtar që përshkruan vetëvrasjen? Të vrasë veten? Lëreni shkrimtarin të lirë! Zemra e tij e ndjeshme është emërues i përbashkët i dhimbjes, i mundimit e i gëzimit njerëzor.
Nga shtypi i kohës rreth “tunelit”
I mungon roli udhëheqës i partisë
Unë mendoj se një nga dobësitë themelore të romanit “Tuneli” prej të cilit burojnë pastaj të meta e dobësi të tjera, qëndron në mosparaqitjen me vërtetësi të rolit udhëheqës të Partisë, në jetën e punën e ndërtuesve të hidrocentralit. E vërteta e jetës sonë na mëson se partia është frymëzuesja, udhëheqësja dhe organizatorja e tërë aspekteve të jetës dhe të injorosh ose ta zbehësh këtë faktor objektiv, do të thotë të mos pasqyrosh me vërtetësi kohën tonë. Roli i partisë paraqitet në roman tepër i zbehtë dhe artificial. Marrim vesh se ka një organizatë partie vetëm kur provokohet një mbledhje.
Kjo është e gjitha mbi rolin udhëheqës të Partisë! Kështu i është vënë kufizim ideve të Partisë, frymës revolucionare të Partisë, mësimeve të Partisë, ideve të cilat, po të depërtonin në vepër, me siguri do të kishin shpërndarë pesimizmin, panikun, trishtimin, grindjet, ashpërsinë, do t’i kishin prerë rrugën shkarjes morale dhe depresionit të inxhinierit. Partia do të kishte krijuar në atmosferë të pastër, të vrullshme e të gëzuar, një atmosferë pune të ndërgjegjshme dh miqësie të sinqertë dhe të fortë. Duke injoruar rolin e organizatës së Partisë mendoj se autori e dënoi veprën e tij me të meta të mëdha ideore.
“Zëri i Rinisë”, 11.06.1966
Roman që shtrembëron të vërtetën
Romani bën fjalë për një vend konkret, me personazhe të ditëve tona, të cilët duhet të jenë bartës të mendimeve e të ndjenjave tona, duhet të pasqyrojnë realitetin tonë. Por sa ia arrijnë këtij qëllimi personazhet e krijuara nga autori? Cilët janë ata dhe gjithë veprimtaria e tyre në ngjarjet e romanit? Pikërisht këtu qëndron gjithë e keqja e tyre. Ata, mund ta them që në fillim, nuk janë heronjtë kohës sonë, pavarësisht nga veshja që është munduar t’u japë autori. Ata nuk kanë as mendime, as ndjenjat e njerëzve tanë...
Njeriu ynë, ndërtues i socializmit mendon gjithnjë për çështje tepër të vështira, mendon zgjidhjen e problemeve të pazgjidhura dhe jo ngaqë i duhet të merret me një çështje tepër të vështirë për të harruar atë “diçka të ligë” dhe “të ftohtë” që ndjen në shpirt...
Autori nuk ka mundur të na japë gjithashtu edhe rolin e madh udhëheqës të Partisë në të gjitha anët e jetës sonë.
Në roman, në të gjitha ngjarjet nuk shohim dhe bile as e ndiejmë fare rolin e Partisë. Sekretari i Partisë, edhe kur shfaqet, s’është në gjendje të na bindë për detyrat që ka dhe na del një figurë e krijuar artificialisht. Këtu kemi hijen e një sekretari të Partisë konsekuent, revolucionar, i cili të përfaqësonte në roman qëndrimin e prerë dhe shumë të qartë të Partisë sonë ndaj atyre problemeve ideologjike.
“Zëri i Rinisë”, 11.06.1966
Një vepër pa partishmëri
...Së pari dua të them se tek ne s’dërgojnë asnjë njeri me zor të punojë atje ku nuk i pëlqen... I zymtë sterrë është heroi kryesor i veprës, inxhinier Gjini. Gjini është një intelektual i mërzitur që nuk gjen gëzim nga puna që jeta e ka hedhur në atë skaj të humbur si për ta dënuar të vuajë...
Në përgjithësi, në roman nuk del dora e fuqishme e drejtuese e Partisë. Që të mos nxjerrësh në pah punën drejtuese të Partisë dhe punën e saj, edukimin me njerëzit, është një gabim i madh...
Romani nuk përshkohet nga patosi revolucionar që karakterizonte punonjësit e veprës madhështore të Bistricës. Ai përshkohet nga një frymë e huaj dhe i mungon fryma e klasës sonë punëtore.
“Zëri i Rinisë”, 11.06.1966
Shkrimi u publikua sot (08.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)