Nga Thumana deri tek Ura e Tapizës, pjesë e aksit rrugor që lidh Tiranën me Fushë Krujën dhe Milotin janë jo më shumë se 16 kilometra. Ky aks, prej vitesh konsiderohet nga policia njollë e zezë e aksidenteve rrugore.

Rruga cilësohet e tillë edhe nga banorët e zonës, të detyruar të lëvizin çdo ditë mes trafikut dhe shpejtësisë së makinave.

“Këtu është kot! Çfarë me gjyku? Këtu është vdekje, është aks i vdekjes! Rruga e vdekjes kjo është, nga Tapiza deri në Thumanë. Kjo na merr në qafë të gjithëve, kalamajtë. Këtu nuk ka asnjë gjë. Këtu është shtet kot. Aksi është me probleme, shpejtësia është në maksimum. Edhe aksidenti që ndodhi këto ditë për faj të shpejtësisë ishte. Edhe sinjalizim nuk ka”, thonë banorët.

Pranë kryqëzimit të Gramzës, kur sapo kishte kaluar mesnata e 6 marsit u përplasën dy automjete, si pasojë humbën jetën 5 të rinj.

Fiks në të njëjtin vend, dy vite më parë nga një përplasje fatale humbën jetën katër persona. Në gjatësinë e rrugës të zë syri lapidarë që kujtojnë edhe viktima të tjera nga aksidentet. Por, çfarë thonë ekspertët e sigurisë rrugore?

Në intervistë për Report Tv, Artur Sulçe tha se në këtë aks nacional me trafik të rënduar parakalimet e gabuara janë problemi kryesor.

“Në çdo kohë kjo ka një numër të madh mjetesh që lëvizin në këtë kategori rruge. Niveli i shërbimit të saj është i ulët, duke pasur parasysh edhe kulturën e vogël të përdoruesve të kësaj rruge. Në moment të caktuara përdoruesi i rrugës duke lëvizur me një shpejtësi të vogël, ndërkohë që shpejtësia maksimale është 80 km në orë, ndërhynë dhe hynë në parakalime të gabuara. Ato sjellin këto aksidente kaq të rënda”, thotë Sulçe.

Situata përkeqësohet sidomos gjatë orëve të natës, ku mungon ndriçimi.

“Në kushtet e errësirës ka edhe një vështirësi tjetër të madhe. Fakti që është një rrugë me dy korsi, dritat ndërfutet tek njëri-tjetri dhe përplasja ndodh në pak sekonda, nga dy deri në katër”, vijon eksperti.

Zgjerimi i rrugës, vendosja e sinjalistikës dhe mbikalimet në zonë të populluar janë zgjidhje sipas ekspertit.

“E vetmja zgjidhje është ndërtimi sipas standardeve të rrugës. Zgjatimi nga ku përfundon autostrada e Laçit deri në Tapizë. Kjo lloj rruge nuk ka kosto shumë të madhe, kërkon pak investim për zgjerim që problemi të përmbyllet përfundimisht”, përfundon eksperti Artur Sulçe.