Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë që sot përfaqëson dhe mbron interesin e bizneseve dhe sipërmarrjes shqiptare, pritet të zëvendësohet nga një strukturë e re e me rregulla të reja.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hedhur sërish për konsultim projektligjin “Për dhomën Ekonomike Kombëtare” siç do të quhet kjo strukturë e re. Kjo është tentativa e tretë e këtij lloji brenda pak vitesh pasi një version i mëparshëm i projektligjit qarkulloi edhe në 2024, por u tërhoq pas kundërshtimit të ashpër nga bizneset dhe nga vetë dhomat ekzistuese.

Projektligji parashikon anëtarësim të detyrueshëm në Dhomën e Ekonomisë për të gjitha bizneset me statusin aktiv, madje me një tarifë vjetore të detyrueshme, nga 10 mijë deri në 70 mijë lekë të reja. Tarifa do të jetë e detyrueshme dhe mospagimi shoqërohet me gjobë për bizneset.

Organizimi i ri pritet të jetë tërësisht i ndryshëm nga ai aktual, ku ndarja e dhomave në territor është sipas 12 qarqeve, ndërsa anëtarësimi i bizneseve është vullnetar.

Struktura e re parashikon krijimin e “Dhomave Sektoriale” në bazë të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë dhe jo mbi bazë përfaqësimi territorial. Numri i dhomave dhe emërtesat zyrtare do të përcaktohen me propozim të Dhomës Ekonomike Kombëtare dhe miratimin e ministrit përgjegjës. Edhe pse emërtimet janë të papërcaktuara ende, bëhet fjalë për krijimin e dhomave të posaçme në varësi të sektorëve, si psh: Dhoma e Peshkimit, Agropërpunimit apo Ndërtimit.

Sipas vlerësimit financiar që shoqëron projektligjin, kostoja fillestare e ngritjes së Dhomës Ekonomike Kombëtare  për periudhën tranzitore njëvjeçare vlerësohet rreth 15,4 milionë lekë, të mbuluara nga buxheti i shtetit. Pas kësaj periudhe, institucioni parashikohet të vetëfinancohet plotësisht nga tarifat e regjistrimit dhe shërbimet e tjera, pa barrë të përhershme për buxhetin publik.

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, krijohet institucioni i ri që do të përfaqësojë sipërmarrjen përballë institucioneve shtetërore dhe, në të njëjtën kohë, vendos me ligj që sipërmarrja duhet të jetë automatikisht pjesë e saj, pa pasur lirinë e zgjedhjes.