E gjithë trupa drejtuese e komisariatit të Krujës do të shkarkohen dhe rendin dhe sigurinë në këtë territor do ta marrë Tonin Vocaj, drejtori i Policisë së Tiranës, që aktualisht po ndjek dhe hetimet për dhunën barbare të Rrajave për guroren në Borizanë.

Në një komunikim për Report Tv, kryepolici i Tiranës, Vocaj, tha se policia do të rinovohet, do të ketë shkarkime e pezullime në masë, pasi ka familjarizim, lidhje  të bluve me fisin Rraja.

Policia kishte heshtur përballë ankesave të banorëve të zonës së Borizanës se shpërthimet e gurores së Rrajave po u dëmtonte banesat.  Një banor i zonës, Nazmi Ruda i tha Report TV se kishin bërë 40 denoncime për guroren e Rrajavve në komisariat, por jo vetëm që askush nuk kishte marrë asnjë masë por shefi i policisë i kishte kërcënuar se nëse do të protestonin do të prangoseshin.

Kryetari i degës që banori thotë se i ka kërcënuar me burg është ish shefi i komisariati të Krujës Elton Shahini, i cili mbante denoncimet e qytetarëve në sirtar. Report TV mësoi se ishte larguar nga detyra vëtëm pak kohë para ngjarjes. Burime në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë thanë se jo vetëm për rastin e sulmit barbar ndaj kushërinjve Maja, por për çfarë ndodh në Krujë, është ngritur një grup special hetimor. Do hetohet për kallëzime jo vetëm të fshatarëve të Borizanës, në lidhje me guroren që po u shëmb shtëpitë, por edhe të personave të tjerë, nga zyrtarë të lartë, pushtetarë vendorë, drejtues institucionesh, juristë, policë, shumë prej tyre të dorëhequr, si viktima të terrrorit, shantazhit dhe kërcenimeve.

"40 denoncime i kemi bërë në komisariatin e Fushë Krujës. I ke me fakte, kemi bërë takim me shefin e degës dhe na ka thënë po dolët e bllokuat guroren jeni të gjithë në burg. I kemi thënë jemi 50 familje. Çfarë të bëjmë?  Po qe ashtu na jepni lekë e të ikim nga Borizani. Jemi autoktonë këtu, por këto nuk marrin masa. Kryetari i degës thotë unë i vë hekrat për 30 minuta. Si i vë hekrat?! " tha Nazmi Ruda për Report TV.

Edhe Jashar Maja, njëri prej dy personave të dhunuar brutalisht nga pjesëtarë të fisit Rraja denoncoi se policia kishte shkuar dy orë me vonesë në ngjarje. Edhe autorët e dhunës u identifikuan dhe shpallën në kërkim disa me vonesë edhe pse të dhunuarit i kishin denoncuar me emra dhunuesit. 

Dhuna ne mes të ditës 

Bilbil dhe Jashar Maja u dhunuan brutalisht me shkopinj gome e bejsbolli por dhe pistoletë tek koka nga djali, vëllezërit, nipi i deputetit socialist Ramazan Rraja dhe anëtarë të tjerë të fisit Rraja mesditën e 6 korrikut.

Shpërndarja masive e videos së dhunës, të cilën vetë e filmuan por u rrodhi në media një ditë më pas shokoi mbarë shoqërinë në këmbë policinë e Tiranës, policinë e shtetit.

Takimi I fundit i Çuçit si ministër 
Drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku priti për rreth 5 orë në zyrën e tij ministrin e Brendshë, Bledi Çuçi ndërsa në të njëjtën kohë forcat e policisë, përfshirë ato të Ndërhyrjes së Shpejtë kishin zbarkuar në Krujë me kontrolle në 20 banesa dhe biznese të Rrajave.

Takimi i ministrit Çuçi me drejtorin Rrumbullaku në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policië u mbyll rreth orës 14:30.
Menjëherë më pas policia e Tiranës njoftoi rinovimin e komisariatit të Krujës, ndërsa nga Partia Socialiste u njoftua se deputeti I Krujës Rrahman Rraja kishte dhënë dorëheqjen dhe I kërkonte të birit, Rrexhep Rraja të dorëzohej.

Dorëheqja e Ministrit
Ndërkohë në mbrëmje, rreth orës 20:00 kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale njoftoi shkarkimin e Bledi Çuçit nga posti i ministrit të Brendshëm dhe se në vend të tij do të emëronte Taulant Ballën, aktualisht kryetar i grupit të PS-së.  Dy emrat do të dërgoheshin të hënën tek presidenti për dekret.

Organizatorët e dhunës djali dhe vëllai i deputetit Rraja
Sipas policisë, Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist të dorëhequr, Ramazan Rraja dhe vëllai i tij Xhelal Rraja janë organizatorë të dhunës barbare ndaj dy kushërinjve të fisit Maja dhe policia i bën thirrje të dorëzohen.

Së fundimi policia bënë me dije se u identifikuan dhe shpallën në kërkim edhe dy të tjerë mes tyre dhe pronari i gurores. Në kërkim janë dhe Edison Meta, 27 vjeç  Përparim Rraja, 48 vjeç, pronari i gurores në Borizanë që banorët thonë se po u dëmton banesat. Ndërsa dje ishin shpallur në kërkim

Katër persona të tjerë të fisit Rraja u morën këtë të shtunë për tu pyetur nga policia.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:35
Dhuna e fisit Rraja në Krujë, përfundon pas 5 orësh takimi i ministrit Çuçi me drejtorin Rrumbullaku

Ka përfunduar pas 5 orësh takimi mes ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. Ky takim i tyre vjen një ditë pas publikimit të videos së dhunës brutale që ushtruan anëtarë të fisit Rraja ndaj dy kushërinjve Maja, pasi ishin ankuar për shpërthimet në gurore.

Ora 11:44
Pas dhunës brutale të Rrajave për guroren, ministri Çuçi 5 orë takim me drejtorin e Policisë, Muhamet Rrumbullaku

1688819180_WhatsAppImage20230708at14.25.001.jpeg

TIRANË- Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka zhvilluar ditën e sotme (8 korrik 2023) një takim me drejtorin e Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. Takimi ka zgjatur mbi 5 orë dhe vjen një ditë vjen një ditë pas publikimit të videos së dhunës brutale që ushtruan anëtarë të fisit Rraja ndaj dy kushërinjve Maja, pasi ishin ankuar për shpërthimet në gurore.

Dje Çuçi ka reagoi duke shkruar se pamjet e dhunës në Krujë ishin të papranueshme, ndërsa bëri të qartë se askush nuk është mbi ligjin.

"Të rënda e të papranueshme pamjet e dhunës në Krujë. Askush nuk është mbi ligjin dhe s'mund t'u shpëtojë përgjegjësive në asnjë rrethanë. Policia e Shtetit ka ushtruar kontroll të imtësishëm në banesat e të dyshuarve, ka arrestuar 4 persona sot herët në mëngjes dhe po punon për kapjen sa më parë të 3 të tjerëve të përfshirë në ngjarje. Çdo insinuatë tjetër s'ka lidhje me të vërtetën dhe me punën e Policisë së Shtetit për të çuar autorët përpara drejtësisë", shkruante dje Çuçi. 

Dhuna për guroren
Anëtarë të fisit Rraja dhunuan në mënyrë brutale dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, të cilët ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore, po u shkatërronin banesat e tyre por dhe të zonës përreth. Mesditën e 6 korrikut 2023, ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, kur grupi i dhunuesve mësyu lokalin dhe ata bien pre e një dhunë barbare.

Gurorja është në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Për dhunën e ushtruar ndaj kushërinjve Maja, policia ka arrestuar 4 persona, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre Rexhep Rraja djali i deputetit dhe dy vëllezërit e deputetit socialist të Krujës, Flamur dhe Xhelal Rraja.