Dhuna e ushtruar ndaj një 17-vjeçareje në Fier, e cila u filmua dhe më pas u publikua në rrjetet sociale, ka ngritur alarmin për përhapjen e fenomeneve të dhunës dhe bullizmit mes të rinjve.

E ftuar në "Frontline" me Marsela Karapançon në Report Tv, aktivistja Zhaklinë Lakatari u shpreh se ngjarja nuk ishte thjesht një konflikt mes bashkëmoshataresh, por një “spektakël dhune”, pasi e reja u izolua, u dhunua, u filmua dhe më pas videoja u publikua. Sipas saj, kanë dështuar të gjitha hallkat institucionale, nga policia dhe prokuroria te shkolla, psikologët, shërbimet sociale dhe familja.

“Ne kemi një krizë të madhe sociale. Të rinjtë që kryejnë akte të tilla janë gjithashtu viktima të sistemit, të modeleve të gabuara që promovohen dhe të mungesës së politikave për të rinjtë”, deklaroi Gjolla.

Ish-drejtuesi i policisë, Shemsi Prençi, tha se fenomenet e dhunës mes të rinjve janë shtuar vitet e fundit dhe se shoqëria po i jep shembuj të gabuar brezit të ri.

“Gjuha e ashpër e politikës, bullizmi në jetën publike, dobësimi i rolit të shkollës dhe ndikimi i pakontrolluar i rrjeteve sociale po kopjohen nga të rinjtë. Jemi përballë një shoqërie që po dështon në edukimin e brezit të ri”, u shpreh Prençi, duke kërkuar hartimin e një strategjie kombëtare për edukimin dhe mbrojtjen e të rinjve.

Avokati Edmond Petraj e cilësoi videon “të tmerrshme” dhe tha se nuk arriti ta shikonte deri në fund për shkak të dhunës së ushtruar ndaj 17-vjeçares. Sipas tij, familja, shkolla dhe shteti kanë humbur kontrollin mbi brezin e ri, ndërsa rrjetet sociale po ndikojnë negativisht te adoleshentët.

“Ky brez ka harruar librin, ka harruar mësuesin dhe nuk i llogarit më prindërit. Duhet një ligj i posaçëm dhe një kontroll më i madh mbi përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit”, tha ai.

Ndërsa pedagogia Nora Malaj tha se pas shikimit të videos nuk kishte fjetur gjithë natën, pasi ngjarja i tregoi se kriza më e madhe e shoqërisë shqiptare është ajo e familjes dhe e prindërimit.

“Kuptova se tabani i familjes nuk është më i fortë dhe po kriset. Shpesh prindërit, për të siguruar të ardhura, i lënë fëmijët pa mbështetjen e nevojshme. Këto vajza nuk më krijuan përshtypjen se ishin vetëm, por se pas tyre mund të ketë ndikime apo abuzime të tjera që duhen hetuar”, deklaroi Malaj.