Dhunën e ushtruar nga rojet private ndaj protestuesve në Zvërnec e kanë dënuar ashpër socialistët, ndërsa në Partinë Demokratike ka pasur vetëm heshtje. Teksa deputetë të PS kërkojnë dënim të përgjegjësve, Berisha dhe të tijtë nuk kanë asnjë reagim, madje as lajme në mediat pranë tyre.

Njoftimin fillestar të policisë së Vlorës se protestuesi i dhunuar të shtunën në Zvërnec hyri me forcë në pronë private, deputeti socialist Erion Braçe e ka quajtur një tentativë për të fshehur një ngjarje penale nga ana e drejtorit të bluve atje, Elidon Çela.

“Aty është rrëmbyer një protestues paqësor, i cili thjesht po fliste, në sy të Policisë, në krah të policëve. Ai është goditur, është tërhequr zvarrë nga persona të paautorizuar dhe të panjohur nga ligji. Drejtori i Policisë nuk ka gabuar në informacion, por ka tentuar të fshehë një fakt penal, madje të rëndë. Për këtë duhet të mbajë përgjegjësi”, deklaroi Braçe.

Teksa përshëndeti ndjesën nga ana e kryepolicit Hita dhe pezullimin e Çelës Braçe tha se policia lejoi që në vendngjarje të kishte njerëz me maska dhe nuk ndërhyri kur ata dhunuan protestuesit.

“Policia ka lejuar që në vendin e protestës të ketë njerëz me maska, pa asnjë shenjë identifikuese, si element kyç për t’i mbajtur përgjegjës në rast të shkeljes së ligjit. Policia jo vetëm që ska garantuar tubimin por ka bërë sehir kur këta njerëz kanë dhunuar protestues”, shtoi Braçe.

Jo vetëm Braçe por edhe deputetët socialistë, të zgjedhur në Qarkun e Vlorës, Ardi Bido dhe dhe Briseida Çakërri kanë dënuar dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve dhe kanë kërkuar hetim të plotë të ngjarjes. Bido kërkoi heqjen e licencës kompanisë së sigurisë ‘Major Security’ pasi sipas tij shteti ka vetëm një autoritet dhe forca e shtetit nuk mund të privatizohet.

Por, në kontrast total nga mazhoranca, nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike nuk ka pasur asnjë reagim për ngjarjet e së shtunës. Duke filluar nga Berisha, të gjithë zyrtarët kryesorë të PD nuk kanë pasur asnjë denoncim të dhunës, ndërsa edhe media të familjes Berisha si “Syri Tv” nuk kanë bërë asnjë lajm për ç’ka ndodhi, ngjarje e cila krijoi reagim shumë të madh publik. Një qëndrim absurd ky i çdo instance të Partisë Demokratike, që duket kundër protestës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:00
Dhuna dhe spray i hedhur nga rojet privatë ndaj protestuesve në Zvërnec, deputeti Bido: T’i hiqet licenca kompanisë së sigurisë, forca e shtetit s’mund të privatizohet (VIDEO)

Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka dënuar hedhjen e spray-t me piper dhe dhunën e ushtruar nga disa roje privatë ndaj protestuesve në Zvërnec të Vlorës, njëri prej të cilëve u tërhoq zvarrë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bido shprehet se arrestimi i rojës privat Gerald Biba dhe nisja e hetimeve ndaj të gjithë zinxhirit komandues të Policisë në Vlorë për këtë ngjarje, është për t’u përshëndetur.

Teksa kërkon heqjen e licencës kompanisë së sigurisë ‘Major Security’ Bido shprehet se shteti ka vetëm një autoritet dhe forca e shtetit nuk mund të privatizohet.

Reagimi i Ardit Bidos:

Koha t’u hiqet licensa banditëve që mendojnë se janë mbi ligjin!

Arrestimi i personit që ushtroi dhune ndaj protestuesve në Zvërnec është për t’u përshëndetur. Po aq për t’u përshëndetur është edhe vendimi për të hetuar të gjithë zinxhirin komandues të Policisë Vlorë. Shteti serioz nuk mbulon askënd, as privatin, as veten.

Tani hetimi duhet të shkojë deri në fund. Dhe kur të konfirmohet ajo që pamjet tregojnë qartë, pra se kompania e sigurisë ka tejkaluar kompetencat dhe ka ushtruar forcë në kundërshtim me ligjin, duhet të merren masat më të forta që parashikon ligji, deri në heqjen e licencës.

Në Shqipëri nuk mund të privatizohet forca. Shteti ka vetëm një autoritet.

Ora 11:56
Dhuna ndaj protestuesve në Zvërnec/ Braçe: Kryepolici i Vlorës tentoi të fshehë një vepër penale, indiferenca e policëve përshkallëzoi protestën (VIDEO)

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar për dhunën e patolerueshme që punonjës të kompanisë private "Major Security" ushtruan ndaj disa qytetarëve në Zvërnec, të cilët protestonin kundër resortit masiv që është planifikuar të ndërtohet në zonë. 

Përmes rrjeteve sociale, Braçe thotë se pezullimi i kryepolicit të Vlorës nuk është masë e mjaftueshme, pasi protestuesi që u grushtua e u mor zvarrë nga rojet private ishte "protestues paqësor, i cili thjesht po fliste, në sy të Policisë, në krah të policëve".

Drejtori i Policisë nuk ka gabuar në informacion, por ka tentuar të fshehë një fakt penal, madje të rëndë, thotë Braçe, i cili shton se indiferenca e trupave të Policisë së Shtetit në vendgjarje, ishte shkaktare e përshkallëzimit të situatës. 

Reagimi i plotë i Erion Braçes:

Për ngjarjen në Vlorë

Edhe dhunë, e egër madje; e papranueshme, e patolerueshme! Si e tillë, është krim!

E vlerësoj vendimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për të pezulluar drejtorin e Policisë në Vlorë.

Por nuk mjafton!

Aty është rrëmbyer një protestues paqësor, i cili thjesht po fliste, në sy të Policisë, në krah të policëve. Ai është goditur, është tërhequr zvarrë nga persona të paautorizuar dhe të panjohur nga ligji.

Drejtori i Policisë nuk ka gabuar në informacion, por ka tentuar të fshehë një fakt penal, madje të rëndë.

Për këtë duhet të mbajë përgjegjësi!

Në Plazhin e Dajlanit ishte lajmëruar në Polici se do të zhvillohej një tubim, protestë etj. Kur merr një njoftim të tillë, Policia e Shtetit ka detyrimin të marrë masa për të garantuar tubimin, protestën etj.

Drejtori i Policisë dhe trupat në territor nuk kanë garantuar asgjë!

Madje kanë bërë edhe më keq: kanë lejuar që në vendin e protestës të ketë njerëz me maska, pa asnjë shenjë identifikuese, si element kyç për t’i mbajtur përgjegjës në rast të shkeljes së ligjit.

Për më tepër, këta njerëz janë shfaqur agresivë, fyes e kërcënues, të dhunshëm deri në acarimin e situatës. Shihini pamjet: nuk është vetëm një, por disa të tillë.

Prania e tyre dhe aktet e tyre ndaj protestuesve, si edhe mosveprimi i Policisë ndaj tyre, e çuan konfliktin në konfrontim.

Pra, drejtori i Policisë në Vlorë dhe trupat në vendngjarje jo vetëm që nuk garantuan tubimin, por lejuan edhe përshkallëzimin e protestës për shkak të dhunës së personave me maska.

E drejta e protestës paqësore është një e drejtë e fituar që në vitin 1990 në këtë vend dhe Policia është një prej garantëve të saj.

Ndërkohë që po shkruaj, mësoj se personi që goditi protestuesin është arrestuar. Në fakt, në aktin e rrëmbimit të tij ishin tre persona; u bënë katër me këtë që goditi. Mbeten edhe dy që e tërhoqën zvarrë. Po këta ku janë?

Ndërkohë, zinxhiri komandues i Policisë në Vlorë është vënë nën hetim disiplinor; akt i duhur edhe ky.

Por nëse me Policinë po ndodh kjo, po ky grup njerëzish të veshur me të zeza a po hetohet? Nëse janë roje sigurie të një kompanie të licencuar nga shteti, a mund ta gëzojnë më këtë privilegj?

Dje i panë të gjithë se nuk sollën siguri, por dhunë!

Ora 07:38
Dhunimi i protestuesve në Zvërnec, deputetja e PS: Pamjet e personave të maskuar, hije e rëndë mbi parimet e shtetit të së drejtës

Deputetja e Partisë Socialiste, Briseida Çakërri, ka dënuar dhunën e ushtruar nga disa roje privatë ndaj protestuesve në Zvërnec të Vlorës, njëri prej të cilëve u tërhoq zvarrë.

Përmes një reagimi, Çakërri shkruan se dhuna e ushtruar ndaj protestuesve nga persona të maskuar është një hije e rëndë mbi parimet e shtetit të së drejtës.

Sipas Çakërrit, autoriteti i ligjit nuk mund të zëvendësohet nga askush dhe rendi publik nuk mund të delegohet jashtë institucioneve që e kanë këtë përgjegjësi.

Reagimi i deputetes Çakërri:

Ajo që pamë sot nuk pasqyron standardet dhe vlerat që duhet të karakterizojnë një shoqëri demokratike.

Pamjet e personave të maskuar që përplasen dhe ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve janë një hije e rëndë mbi parimet e shtetit të së drejtës. Autoriteti i ligjit nuk mund të zëvendësohet nga askush dhe rendi publik nuk mund të delegohet jashtë institucioneve që e kanë këtë përgjegjësi.

Shqipëria ka nevojë për investime, zhvillim dhe projekte që krijojnë mirëqenie. Çdo investim në përputhje me ligjin duhet të realizohet. Por po aq e rëndësishme është që ligji të mbetet busulla që orienton çdo proces dhe çdo vendimmarrje.

Reagimi i Policisë së Shtetit dhe procedimi i rojeve private të përfshira në ngjarje janë një sinjal se askush nuk mund të veprojë përtej kufijve që vendos ligji.

Në një demokraci të vërtetë, forca nuk buron nga maska apo intimidimi, por nga besimi i qytetarëve te ligji, i cili duhet të jetë i barabartë për të gjithë.