Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas protestës së dhunshme dhe shkatërrimit të gjithçkaje në Rrugën e Kombit nga qytetarët nga të dyja anët e kufirit. Kryeministri dënon ngjarjen dhe paralajmëron protestuesit se do të marrin përgjigjen e merituar për dhunën barbare.

“Dhuna barbare mbi pronën e përbashkët dhe reagimi i dhunshëm ndaj forcave të rendit në Kukës, do të marrin përgjigjen e merituar me të gjithë fuqinë e ligjit mbi këdo që ka ngritur dorën e paligjshmërisë! Ta harrojnë dhunuesit e frymëzuesit e tyre se i’a dalin dot mbi ligjin”

Deklarta e kryeministrit Edi Rama

Sot prej orës 11:00 në Rrugën e Kombit në Kukës po zhvillohet protesta kundër taksës. Qindra qytetarë janë përplasur me policinë, ndërsa kanë shkatërruar sportelet e kompanisë që do të vjelë taksën.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:21
Përplasja në Rrugën e Kombit, Meta: Keqardhje! Shmangni dhunën, dialog

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas dhunës në Rrugën e Kombit. Presidenti i Republikës shpreh shqetësimin për situatën e krijuar në Rrugën e Kombit dhe keqardhjen për personat e lënduar gjatë protestës së sotme.

Ai bën thirrje për evitimin e dhunës për vetëpërmbajtje dhe dialog e mirëkuptim me qëllim normalizimin e situatës dhe kthimin e lëvizjes normale të automjeteve dhe qytetarëve në pritje.

Ora 14:06
Protesta, Basha: I bëj thirrje Ramës që të tërhiqet nga dhuna dhe taksa

Pas dhunës në Rrugën e Kombit ka reaguar kryetari i PD, Lulzim Basha. Ai ka akuzuar policinë se ka dhunuar protestuesit, ndërsa i ka bërë thirrje Ramës që të tërhiqet.

“Edi Rama e vendosi këtë tarifë me dhunën e kartonëve në parlament dhe dhunën e policisë për të grabitur qytetarët. Kjo tarifë është ndëshkim për një nga zonat më të varfra të Shqipërisë. Kjo është revolta që Rama thotë se nuk ekziston. Ky është populli me të cilin Rama u tall. Nga nesër një grabitje tjetër e madhe do të bëhet me rritjen e taksës së pronës dhe biznesit me TVSH. Sot qytetarët i treguan Ramës se një qeveri anti-kombëtare nuk e mposht dot. I kërkoj Ramës, që të pezullojë tarifën, të tërheqë policinë dhe të ndalë dhunën barbare. Revolta e banorëve buron nga padrejtësia dhe dhunë qeveritare”
 

Deklarata e Lulzim Bashes

Ora 12:52
Protesta në Rrugën e Kombit, Kryemadhi: Revolta, fundi i regjimit

Kryetarja e LSI, Kryemadhi ka reaguar pas protestës së dhunshme në Rrugën e Kombit duke deklaruar se revolta në Kukës është shenjë e qartë e fillimit të fundit për një qeveri që ka humbur besimin dhe mbështetjen.

Sot qytetarët e Kukësit dëshmuan qartas se fatet e një kombi nuk mund të jenë kurrsesi pjesë e lojërave perverse të një kryeministri të papërgjegjshëm.

Ata që kanë humbur besimin te drejtimi i qeverisë, tek ekonomia që po shkatërrohet sepse Edi Rama do të kënaqë orekset e oligarkëve, sot janë shumica dhe me të fortë se kurrë.

Revolta e tyre në Kukës është shenjë e qartë e fillimit të fundit për një qeveri që ka humbur besimin dhe mbështetjen, që po rrënon çdo ditë familjet shqiptare dhe që ndoshta sot mund të kuptojë që revolta ka qenë dhe mbetet fundi i çdo regjimi që sundon me dorën e krimit dhe korrupsionit.

Deklarata e Monika Kryemadhit