Gjykata e Tiranës dënoi dje, (21 Janar) Princ Leka Zogun me 1 vit burg, lidhur me dhunën në pallatin mbretëror, ngjarje e ndodhur në muajin Mars 2024. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi zbriti në 8 muaj dhe u vendos pezullim në 16 muaj shërbim prove, për akuzën “dhuna në familje”.
Report TV dhe Shqiptarja.com disponojnë vendimin e Gjykatës së Tiranës, ku bie në sy fakti se pavarësisht asaj çfarë publiku pa në video, Elia Zaharia shpallet e pafajshme dhe e gjithë përgjegjësia penale i lihet Princ Lekës si autor i dhunës. Dhe sebepi i sherrit ka qenë pikërisht boshatisja e dollapit, në debatin mes Princ Lekës dhe Gjergj Zaharisë.
Elia justifikohet për veprimet e saj si e kapur në befasi nga incidenti kur ka shkuar në banesë dhe gjeti ish-burrin duke dhunuar të atin. Teksa pretendon se ka marrë ajo dhe babai i saj lëndime, nga shtyrja prej Lekës.
Në vendim shpjegohet dinamika e ngjarjes dhe rrëfimi i Elia Zaharias për dhunën nga ish-bashkëshorti, por ajo që bie në sy është fakti se nuk është marrë parasysh dëshmia e punonjësit të Oborrit, Syl Mulosmanaj, duke mos e konsideruar të mbështetur deklaratën në prova.
Gjyqtarja Migena Laska dënoi me 10 muaj Gjergj Zaharinë, babanë e Elia Zaharias, ku me gjykim të shkurtuar dënimi zbret në 6 muaj e 20 ditë dhe që ia ktheu përfundimisht në 1 vit e 40 ditë më kusht.
Kurse për Elia Zaharinë u shpall pafajësia, pasi fakti nuk përbën vepër penale. Të tre personat të cilët u morën si të pandehur për “dhunë në familje”, u gjykuan me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Por çfarë ndodhi në atë ngjarje të 5 Marsit 2024 brenda Pallatit Mbretëror, në rrugën "Murat Toptani" në Tiranë, teksa pamjet e një video të dhunës u bënë virale në media shumë shpejt. Më 25 prill Gjykata e Tiranës vendosi zgjidhjen e kurorës martesore mes Princ Lekës dhe aktores së njohur.
Dinamika e ngjarjes, sipas dosjes dhe vendimit të Gjykatës
“Me një statujë druri në ndjekje të viktimës Zogu, shfaqet i pandehuri Gjergj Zaharia, teksa zbret shkallët e banesës me një objekt në dorë, krejtësisht në distancë dhe aspak në kontakt me asnjë person, dhe as nuk duket që me këtë objekt të ketë goditur apo dëmtuar Leka II Zogun, nuk mund të pranojmë apriori dhe konsiderohet i mirëqenë apo i hamendësuar fakti që i pandehuri pikërisht me këtë send ka goditur Leka 11 Zogun. Vetë Leka II Zogu ka sqaruar në deklarimet e tij, në OPGJ, se dhuna fizike ndaj tij është ushtruar nga vjehrri i tij jo në ambiente të monitoruara me kamera, përfshirë edhe kamerën e telefonit të tij”, theksohet në vendimin e Gjykatës së Tiranës.
Gjykata kalon edhe në interpretimin e rrethanave fizike, ku citon se Zaharia ishte i moshuar dhe në pamundësi për të ushtruar dhunë fizike dhe se incidenti ka ndodhur në prani të fëmijës së mitur të çiftit mbretëror.
“Dhuna që kanë ushtruar njëkohësisht të dy këta të pandehur kundrejt dhe në dëm të njëri tjetrit si ajo verbale ashtu edhe ajo fizike, kjo sigurisht në proporcion me aftësitë dhe mundësitë objektive fizike të secilit (se këtu duhet te kemi parasysh që Gjergj Zaharia është 73 vjeç, pensionist, dhe ka një shtat lartësi apo gjatësi trupore normale, të një pensionisti 73 vjeçar, ndërsa Leka II Zogu është rreth 42 vjeç dhe ka një shtatlartësi rilevante krahasimisht me vjehrrin e tij), ka nisur në prani të fëmijës së mitur, fakt që provohet nga deklarimet e shtetasit Syle Mulosmani, sipas të cilit Leka II Zogu ja ka dhënë në dorë vajzën për ta larguar nga vendngjarja, pasi ajo kishte filluar të qante, fakt të cilin e pranon edhe vetë Gjergj Zaharia, kur deklaron që i ka kërkuar Syl Molosmanit të largojë vajzën e vogël nga ambjenti ku ata ishin duke debatuar ndërkohë”, theksohet ndër të tjera në vendim.
Ndryshe nga çfarë u pa në video, e gjithë përgjegjësia i lihet Princ Lekës
Prania, trembja dhe qarjet e vajzës së vogël tregojnë sipas faktit se Prokuroria i ka kualifikuar si veprime të paligjshme ato të dy të pandehurve Gjergj Zaharia dhe Leka Zogu. Edhe lidhur me të pandehurën Ella Zaharia, Gjykata thekson se “e gjen të drejtë akuzën e Prokurorisë dhe të mbështetur në prova”, pavarësisht se në fund të procesit dha pafajësinë.
Në dosje përfshihet edhe dialogu i dhunës verbale:
"Ti ke prekur me dorë babain tim! Ke gjuajtur babanë tim, a nuk te vjen keq? Te prekësh ti me dorë prindin tim, atë që të ka mbajtur me bukë!”.
Në minutën 00:00:27 të videos vërehet se gjatë debatit, sipas dosjes, Elia ka tentuar t'i heqë telefonin nga duart e Leka Zogut II, i cili ka qenë duke filmuar, dhe në atë moment ka pasur një kontakt trup me trup me princin (shtyrje dhe prekje me duar).
“Pra Elia Zaharia nuk ka pasur qëllim (në kuptimin e anës subjektive) ta qëllojë dhe ta dhunojë Leka II Zogu. Duket dhe në pamjet filmike që ajo ka pasur për qëllim të ndalojë dhe të pengojë Lekën të kryente regjistrimin filmik me anë të telefonit të tij. Ajo i kërkonte llogari për faktin që e ka gjetur duke debatuar dhe duke u konfrontuar edhe fizikisht me babain e saj 73 vjeç, të cilit ajo i kishte besuar t'i mbante dhe a kujdesej për vajzën e saj 3 vjeçare, gjatë kohës që ajo vetë nuk ndodhej në banesë”, konstatohet në vendim.
Të gjitha këto rrethana të mësipërme provojnë edhe kryerjen e katër elementëve të "dhunës në familje", e parashikuar nga Neni 130/a/1 i K.Penal.
Gjykata rrëzon dëshminë e nëpunësit të Oborrit: Nuk provohet! Sherri për boshatisjen e dollapit
Një detaj tjetër interesant ka qenë dëshmia e punonjësit Syl Mulosmanit (që shihet edhe në video), se kanë qenë të pandehurit Elia dhe Gjergj Zaharia ata që godisnin Leka II Zogu, por që për Gjykatën “nuk ekziston asnjë fakt dhe asnjë provë tjetër që e provon dhe e dokumenton këtë fakt të pretenduar”.
Gjykata i qëndron argumentit se Elia kur është kthyer në shtëpi ka gjetur skenën befasuese në “mënyrë krejtësisht të papritur dhe befasuese, aspak të paramenduar prej saj, ish bashkëshortin i cili debatonte dhe konfrontohej me babin e saj 73-vjeçar, sherr ky i iniciuar për herë të parë mes tyre, vetëm për boshatisjen e një dollapi (sendi, orendi shtëpie)”.
“Në të tilla kushte ajo thjesht ka ndërhyrë mes tyre dhe ka reaguar duke i kërkuar "llogari" Leka Zogut për të tilla veprime”, thuhet në vendim për veprimin e Elias.
Por çfarë thotë gjykata për momentin e agresionit të Zaharias ndaj ish-bashkëshortit?
“Duket qartë që ajo i shkon nga pas duke i kërkuar llogari Lekës për dhunën që ai kishte ushtruar ndaj babait të saj. Ajo shfaqet e shfytyruar, e shqetësuar, e papërgatitur, e tronditur nga situata me të cilën është ballafaquar, pa e ditur më parë. Ajo e tërheq për ta ndaluar, për ta penguar në veprimet që ai po ndërmerrte me filmimin, por nuk duket aspak se ka për qëllim ta dhunojë më. Është ajo që në fund, është shtyrë, është hedhur, dhe është lënë në tokë e vetme. Ajo dhe babai i saj nuk kanë ushtruar kallëzim penal. Dhe nuk kanë pasur asnjë qëllim për ta bërë këtë gjë, as ajo vetë dhe as babai i saj. Duke mos pasur për qëllim dëmtimin as të Lekës dhe as të imazhit publik të familjes së tyre tashmë të njohur në publik”, nënvizohet aty, duke lehtësuar pozitën e Elias.
Kurse më tej shpjegohet se ka qenë vetë Leka II Zogu, i cili në deklarimet e tij, ka theksuar se "është ofenduar dhe kërcënuar nga Elia". Pra nuk pretendon për dhunë fizike. Gjatë konfrontimit fizik dhe sipas dëshmive, rezulton se ka qenë Gjergj Zaharia që i ka grisur edhe xhupin Lekës dhe jo Elia.
“Pra kjo gjykatë bindet plotësisht se veprimet e kryera konkretisht nga kjo e pandehur, nuk përbëjnë në rrethanat konkrete, fakt apo vepër penale, Neni 388/1/b”, konstaton gjyqtarja Laska.
Në të kundërt, në rastin e lekës, Gjykata shprehet se:
“Referuar të gjitha provave në dosje, provohet që ky i pandehur të ketë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe ndaj vjehrrit. Provat mbi të cilat ka mbështetur akuzën e saj Prokuroria janë deklarimet e të pandehurve Elia dhe Gjergj Zaharia, pamjet filmike, si dhe aktet e ekspertimeve mjeko-ligjore te tre se pandehurve”.
Gjykata i hedh përgjegjësitë, ndryshe nga ajo që u pa në video, tek Leka.
“Leka i ka pasur të gjitha mundësitë, aq më tepër i ndihmuar dhe i asistuar edhe nga nëpunësi i tij Syl Mulosmani, që së bashku me të bijën, apo edhe krejt i vetëm, ta shmangte këtë situatë konfliktuale dhe të zhvendosej menjëherë në një ambient tjetër të ndryshëm, nga ai ku qëndronte Gjergj Zaharia. Aq më tepër në kushte kur ndërtesa/banesa përkatëse për shkak të hapësirave të mjaftueshme ia lejonte këtë mundësi, këtë zgjedhje”, konstaton gjyqtarja e dosjes.
Përfundimi për Gjykatën: Elia Zaharia e pafajshme, nuk ushtroi dhunë!
Madje shkon edhe më tej, duke ia kaluar Princit të gjithë përgjegjësinë penale të aktit.
“Gjithashtu, dëmtimet fizike të dukshme dhe të theksuara të evidentuara në trupin e Gjergj Zaharia, dokumentojnë, dhe në tërësi me të gjitha faktet, provat, dëshmitë, indiciet dhe rrethanat në tërësi të kësaj ngjarje, provojnë tej dyshimit të arsyeshëm se Leka II Zogu ka konsumuar veprat penale për të cilat si akuzohet nga Prokuroria në dëm të të dy të pandehurve Zaharia”, theksohet po aty.
Vendimi mbyllet edhe me konkluzionin penal e juridik, duke përjashtuar nga fajësia Elia Zaharian dhe fajësuar dy të tjerët.
“Bazuar në këtë analizë të katër elementëve bazikë që konfigurojnë cilësimin juridik të kësaj vepre penale, gjykata krijon bindjen se në rastin konkret i pandehuri Gjergj Zaharia dhe Leka II Zogu kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Dhunës në familje", kryer në prani të fëmijës së mitur 3 vjeçare, ndërsa e pandehura Elia Zaharia nuk provohet të ketë konsumuar elementët e kësaj vepre penale, si dhe të asnjë vepre tjetër penale. Ndaj duhet të deklarohet nga kjo gjykatë e pafajshme”, përfundon vendimi, që më tej shoqërohet edhe me masat e dënimeve.
Elia Zaharia gjatë momentit të sherrit në Oborrin Mbretëror
Aktorja Elia Zaharia ka dhënë rrëfimin e saj gjatë procesit hetimor të Prokurorisë së Tiranës dhe më pas në Gjykatë, për kallëzimin si e pandehur për dhunë në familje dhe kërcënim.
Në deklarimin e saj të parë, dhënë përpara OPGJJ-së, ditën e ngjarjes ajo është kthyer në banesë dhe ka parë biçikletën e të atit të rrëzuar në oborr.
“Pasi ka hyrë brenda ka dëgjuar debatin ndërmjet ish-bashkëshortit dhe babait të saj dhe ka parë Leka II Zogu që po shtynte me forcë babanë e saj. Në fjalën e saj të fundit para gjykatës, Elia Zaharia ka sqaruar se Leka Zogu II po shkelmonte derën që mbante nga ana tjetër Gjergj Zaharia, për të mos u hapur”, theksohet aty sipas dëshmisë së Zaharias.
Dëshmitari në vendngjarje Syl Mulosmani, i cili është nënpunësi i oborrit mbretëror, i punësuar nga Leka, ka deklaruar se kanë qenë pikërisht të pandehurit Zaharia që godisnin Zogun, ndërsa ky i fundit vetëm mbrohej. Por këtë rrëfim Gjykata nuk e ka pranuar pasi nuk mbështetej në fakte.
Ndërkohë që shpjegohet se nëpërmjet akteve të ekspertimit mjeko-ligjore-prova shkencore, ka rezultuar se në trupin e së dy të pandehurve Elia dhe Gjergj Zahana “janë konstatuar dëmtime fizike të dukshme”.
“Madje dëmtimet fizike të konstatuara tek Gjergj Zaharia, janë jo vetëm tepër evidente në dukje por të shkaktuara me një mjet të fortë mbrehës”, thotë vendimi i Gjykatës. Në dosje gjenden edhe fotografitë përshkruese të akt ekspertimit për dhunën.
Madje Gjykata citon gjithashtu se Elia Zaharia pasi ka kanë dalë nga rezidenca, “është shtyrë nga Zogu dhe si pasojë është goditur në kokë”. Por nuk janë konstatuar dëmtime të dukshme fizike në aktin e ekspertimit.
Elia është ankuar për dhimbje koke dhe brinjësh, teksa përshkruhet edhe këqyrja mjeko-ligjore për dëmtimet.
“Këto dëmtime provohet se Elia Zaharia i ka marrë nga shtyrja prej Lekës”, shprehet Gjykata.
Edhe i pandehuri Gjergj Zaharia ka deklaruar se kishte konstatuar shenja në këmbën e tij pas ngjarjes dhe ka kërkuar që t'i nënshtrohet një ekspertimi mjeko-ligjor.
Zahariat janë shprehur se ata nuk kanë depozituar kallëzim për ngjarjen dhe se kanë dëshmuar në Komisariatin nr. 1 Tiranë kur janë thirrur pas incidentit dhe kallëzimit të bërë nga Leka Zogu II.
Me demek duhet me marr shembull se rrjedh gjak mbreteror...ca njerez qe hiqen sikur cfare jan mbreter pa fron edhe pa territor... mjere ku po shkon ky komb edhe cfare nuk dalin ne pah. U degjenerua bota edhe skiperia.
PërgjigjuKy Leka paska shpetuar nga kjo familje çakenjsh! I kushtoj pak ne vlere monetare (Apartament + Ndarje Pasurishe) se besoj se kish menduar dhe kuptuar qellimin e zaharinjve por prap ja vlen te nxjerresh kembet nga ajo grope e zaharzeze ku kish hyre!
Përgjigju