Të paktën për 8 ditë protesta të dhunshme krijuan një situatë kaosi dhe shkatërrimi në Tiranë, ku qindra protestues, shumica të maskuar, sulmuan institucione, biznese private, shkatërruar pronë publike, hodhën gurë e molotovë e madje edhe grushte drejt policisë.

Por kur tashmë kur 3 ditët e fundit ka pasur një lloj paqeje me incidente sporadike, në gjykatën e Tiranës thuajse kanë mbaruar edhe të gjitha masat e sigurisë për ata të cilët ranë në pranga e bluve në ditët e kaosit.

Policia shoqëroi më shumë se 1000 persona për protestat, nga të cilët vendosi të arrestonte rreth 310 prej tyre, rreth 280 në Tiranë dhe 28 në rrethe. Tani që mund të bëhet një bilanc rezulton se nga këta 310 të arrestuar sot ndodhen jashtëzakonisht shumë pak të izoluar, vetëm 22 duket se mbeten sërish në arrest.

Vetëm 11 të arrestuar janë në arrest me burg, 8 prej të cilëve me 21 ditë paraburgim. Domethënë prokuroria duhet patjetër të gjejë prova edhe më të forta për ta këto ditë, ndryshe do të lirohen. Vetëm për 11 aktualisht janë në arrest shtëpie, 7 në Tiranë dhe 4 në Durrës.  Të gjitha këto masat më të forta i përkasin ditëve të para të protestave, ku dhuna dhe shkatërrimi i pronës publike dhe private, pasi nuk munguan edhe plaçkitjet, ishte shumë më e madhe.

Vihet re se për këta persona prokuroria kishte kërkuar masën arrest me burg ose arrest në shtëpi sepse akuzohen jo vetëm për kundërshtim të forcave të policisë apo pjesëmarrje në një tubim të paligjshëm siç janë të gjithë të tjerët, por edhe për vjedhje, goditje për shkak të detyrës, shkatërrim prone dhe disa edhe për armëmbajtje pa leje.

Por çfarë ka ndodhur me të gjithë të tjerët. Nga mbi 310 të arrestuarit duket se një pjesë e mirë, rreth 25% prej tyre janë liruar që në komisariate nga prokurorët. Përfaqësuesit e akuzës nuk kanë çuar fare para gjykatës për masë sigurie. Nga mbi 210 masa sigurie që Report Tv ka verifikuar në vendimet e gjykatave rezulton se 143 prej tyre kanë marrë detyrim paraqitje, për 11 të mitur është përcaktuar mbikëqyrje prindërore, për 11 të tjerë u është ndaluar afrimi me zonën e përplasjeve (të qëndronin 500 metra nga protesta), ndërsa për rreth 30 të tjerë është vendosur që arrestimi të konsiderohet i paligjshëm. Pra edhe pse prokurori ka kërkuar masë ndaj tyre, gjykata ka vendosur që nuk ka pasur arsye pse të mbeteshin nën arrest. Përgjithësisht për ta nuk është caktuar masë, por ka edhe raste përjashtimore kur janë lënë në detyrim paraqitje apo mbikëqyrje prindërore. Shumica e arrestimeve të paligjshme janë për të miturit dhe janë vendosur vetëm ditët e fundit nga gjykata. Çdo arrestim i ditëve të para është cilësuar i ligjshëm nga gjykatat.

Gjykata ka vlerësuar se policia dhe më pas edhe prokuroria nuk kanë pasur provat e mjaftueshme për të lidhur akuzën me të arrestuarin për të cilin kërkohej masa e sigurisë.

Duhet theksuar se përgjithësisht për masat ‘detyrim paraqitje’, të cilat përbëjnë pjesën dërrmuese, janë kërkuar nga prokuroria dhe s’e gjykata ligjërisht nuk mund të kërkojë një masë sigurie më të ashpër se ajo që kërkon organi i akuzës.

Përvec Tiranës në rrethe ka pasur masa sigurie vetëm në Durrës dhe Korçë, ku  edhe atje si në Tiranë shumica janë lënë në detyrim paraqitje, 21 detyrim paraqitje dhe 4 arrest shtëpie.

Kujtojmë se nga datat 13 deri më 20 tetor në Tiranë u sulmuan disa dhjetëra institucione, duke filluar nga ato kryesoret si Kryeministria, Kuvendi, Gjykata Kushtetuese, ministri, gjykata, Banka e Shqipërisë, komisariate policie e të tjera. Janë plagosur mbi 191 policë, ndërkohë që nga aktet vandale ndaj pronës private deri më tani llogaritet një dëm 2.15 milionë euro, por vijon verifikimi dhe deklarimi.

Sa i përket pastaj dëmëve në pronën publike ato pritet të jenë edhe më të mëdha. Janë djegur dhe shkatërruar stola, kangjella ndarëse në rrugë, tabelë e sinjalistikës rrugore, shtyllë dritash, kosh mbeturinash apo semafor, shkulur trotuari apo thyer dritare dhe djegur institucione.

 

GJITHSEJ MASAT E SIGURISË
Arrest me burg:                         11 (3 nga te cilët 21 ditë)
Arrest në shtëpi                         11
Detyrim paraqitje                      164
Mbikëqyrje prindërore              11
Mos lejim afrimi në protestë      11
Arrestime të paligjshme            Mbi 30