TIRANË- Policia ka vënë në hetim në gjendje të lirë 8 persona pas protestës së zhvilluar nga opozita para Kryeministrisë. Policia thotë se protestuesit kanë ushtruar veprime të dhunshme dhe kanë hedhur molotovë në drejtim të Kryeministrisë.

"Gjithashtu, këta specialistë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për protestën e zhvilluar mbrëmjen e djeshme, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit R. D., 20 vjeç, M. P., 22 vjeç, S. L., 69 vjeç, B. Xh., 33 vjeç, A. L., 38 vjeç, B. Xh., 34 vjeç, D. P., 62 vjeç, dhe një 17-vjeçar. Këta shtetas dyshohet se gjatë protestës, kanë ushtruar veprime të dhunshme, kanë hedhur flakadanë dhe molotovë, në drejtim të kryeministrisë", njofton policia. 

Për personat e maskuar në protestë foli edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj. I pyetur nga gazetarët në një konferencë për mediat se përse nuk kanë ndërhyrë kur kanë evidentuar protestuesit e maskuar, Vocaj tha se kanë respektuar të gjitha ligjet dhe procedurat në raste protestash.

“Sqaroj që në të gjitha rastet e protestave Policia e Shtetit, drejtoria e Tiranës respekton kushtetutën, ku e drejta për pjesëmarrje në tubime paqësore dhe pa armë është e garantuar. Ne kemi zbatuar ligjin e posaçëm për tubimet dhe procedurat standarde të miratuar nga drejtori i përgjithshëm i policisë”, tha Vocaj për gazetarët.

Partia Demokratike mbajti mbrëmë protestën para Kryeministrisë, e cila zgjati rreth 2 orë e gjysmë bashkë me ndalesat te Bashkia e Tiranës dhe Kuvendi. Në drejtim të Kryeministrisë u hodhën molotovë sapo nisi fjalimi i ish-kryeministrit Sali Berisha, në hetim për aferën Partizani.

Dhjetëra molotovë iu drejtuan godinës së Kryeministrisë dhe Bashkisë, ndërsa në protestë u panë dhe persona të maskuar dhe me çanta të zeza të mbushura plot. Ndërkohë, Berisha iu drejtua militantëve përmes një videoje të regjistruar, ku foli për qeveri teknike. Të dy, bashkë me Metën sulmuan SPAK dhe drejtësinë e re.