SARANDË - Kryetari i Partisë Demokratike të Sarandës, Hariz Mema është sulmuar nga dy persona, ndërsa ishte duke lëvizur në shëtitoren e qytetit. Sipas burimeve për Shqiptarja.com ai është goditur nga dy të rinj me doreza hekuri. Në momentin që është goditur ai ka qenë i shoqëruar nga vajza e tij. Menjëherë pas ngjarjes policia ka vënë në pranga dy vëllezërit Fatjon dhe Ferge Manaj të dyshuar si agresorët e mundshëm ndaj kryedemokratit të Sarandës. Identifikimi i tyre është bërë nga kamerat e sigurisë së shëtitores së qytetit.

Veç goditjeve në kokë me doreza hekuri, Mema është dhunuar edhe me grushte e shkelma në pjesë të ndryshme të trupit. Mema u dërgua në spitalin "Petro Nako” për ndihmë mjekësore nga ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën dhe se ka pësuar dëmtime të lehta. Ai i është nënshtruar disa kontrolleve e analizave dhe sipas mjekëve gjendja e tij është e stabilizuar.  

Policia e Sarandës ka nisur hetimet për të mësuar shkaqet e këtij sulmi si dhe për të identifikuar autorët. Para efektivëve të Policisë, kreu i PD-së së Sarandës ka deklaruar se nuk ka konflikte me asnjë person.

Sulmi
Fillimisht qytetarët që kanë qenë aty pranë kanë ndërhyrë për të larguar dy të rinjtë dhe më pas kanë lajmëruar policinë.

Reagimi i PD-së
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe Partia Demokratike, duke e quajtur sulm banditesk. Përmes një deklarate zyrtare shpërndarë në postat elektronike të mediave, PD kërkon hetimin e ngjarjes dhe vënien para drejtësisë së autorëve. Edhe pse ende nuk diheshin se kush ishin autorët, PD flet për sulm me "porosi" dhe deklaron se "dhunuesit dhe porositësit do japin llogari deri në një".

"Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe sulmin banditesk ndaj kryetarit të Degës së Sarandës z. Hariz Mema. Ne i kërkojmë autoriteteve të rendit dhe prokurorisë të veprojnë pa asnjë vonesë për arrestimin e autorëve të këtij krimi të shëmtuar dhe për venien e tyre para drejtësisë si dhe zbardhjen e motiveve dhe porositësve të këtij akti të ulët banditesk. Partia Demokratike i uron shërim të shpejtë z. Mema dhe shpreh solidaritetin e saj të plotë njerëzor dhe politik me të dhe familjen e tij. Dhunuesit dhe porositësit e këtij sulmi do të japin llogari deri në një".

Redaksia Online