HimarëTre të rinj kanë rënë në prangat e policisë pasi hynë në banesën e një të moshuari, e mbajtën me dhunë dhe e kanosën me një imitues arme zjarri (pistoletë çakmak), me qëllim vjedhjen e një shume parash.

Të arrestuarit janë identifikuar si: Elkshi Xhemali, 25 vjeç, banues në Selenicë, Knidi Truja, 23 vjeç, banues në Vlorë dhe Antonio Cani, 19 vjeç, banues në Vlorë.

Ngjarja u regjistrua tre ditë më parë në Borsh, ku të rinjtë kishin vëzhguar për dy ditë shtëpinë e 70-vjeçarit, teksa kishin marrë me qira edhe një makinë tip 'Benz.

Sipas bluve njëri nga të arrestuarit, Antonio Cani kishte thyer masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", të caktuar nga Gjykata për krime në fushën e narkotikëve.

"Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas kallëzimit të një 70-vjeçari, se më datë 12.07.2026, në fshatin Borsh, 3 shtetas kishin hyrë në banesën e tij, e kishin mbajtur me dhunë dhe e kishin kanosur me një imitues arme zjarri, me qëllim vjedhjen e një shume parash, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë finalizuan operacionin policor të koduar "Shuma".

Në kuadër të operacionit u identifikuan, u lokalizuan dhe u vunë në pranga shtetasit:

E. Xh., 25 vjeç, banues në Selenicë;

K. T., 23 vjeç, banues në Vlorë;

A. C., 19 vjeç, banues në Vlorë.

Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. C. kishte thyer masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", të caktuar nga Gjykata për krime në fushën e narkotikëve.

Nga hetimet rezultoi se 3 shtetasit kishin mbajtur banesën e 70-vjeçarit në vëzhgim për 2 ditë dhe kishin marrë me qira një automjet për të shkuar në vendin e ngjarjes dhe për të kryer krimin", njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë