Dhurimi i gjakut është një proces sa human, në ndihmë të kujtdo që ka nevojë për gjak, po aq edhe i dobishëm për shëndetin e atyre që zgjedhin të bëhen dhurues. Projekti “Ripresa”, i cili zbatohet prej tre vitesh në Shqipëri, ka ndihmuar jo vetëm në rritjen e numrit të dhuruesve vullnetarë, por ka sjellë edhe një qasje të re mbi mënyrën se si duhet parë dhurimi i gjakut: si një akt solidariteti, por edhe si një mundësi për kontroll periodik të shëndetit.

Të ftuar në emisionin “Rreze Dielli”, Dr. Natale Capodicasa, president i Organizatës Shqiptare të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut, Rolando Dani, përfaqësues i Color Albania, si dhe Viola Shano, drejtuese e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, folën për rezultatet e projektit dhe rëndësinë e dhurimit të gjakut.

“Organizata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut është krijuar 21 vite më parë. Projekti ‘Ripresa’ është një bashkëpunim italo-shqiptar që synon jo vetëm rritjen e numrit të dhuruesve, por edhe kujdesin më të madh për shëndetin e qytetarëve. Aplikacioni ‘Unë Dhuroj’ i afron njerëzit më pranë procesit të dhurimit”, shpjegoi Dr. Natale Capodicasa.

Një nga elementët më të veçantë të projektit është autoemoteka, një njësi lëvizëse e pajisur si një ambient spitalor, ku qytetarët mund të dhurojnë gjak në kushte të sigurta. Gjatë këtyre viteve, ajo ka përshkuar mbi 40 mijë kilometra në të gjithë Shqipërinë. Rolando Dani sqaroi se “Ripresa” është shumë më tepër sesa një autoemotekë.

“Ky projekt përfshin disa partnerë: Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Shoqatën e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut, një organizatë italiane me seli në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë, si dhe Institutin San Raffaele, i cili merret me kërkimin shkencor. Në bashkëpunim me këtë institut është hartuar një pyetësor për dhuruesit, ku përfshihen informacione mbi shëndetin, historinë familjare dhe faktorët gjenetikë. Të dhënat kombinohen me analizat laboratorike dhe një algoritëm identifikon personat me rrezikshmëri të mundshme për sëmundje të caktuara, duke rekomanduar analiza shtesë”, tha ai.

Sipas tij, janë realizuar rreth 40 mijë pyetësorë në Shqipëri, të cilët kanë nxjerrë në pah disa problematika shqetësuese.

“Rezultatet tregojnë se obeziteti po bëhet një problem serioz në shoqërinë shqiptare. Rreth 25 për qind e personave rezultojnë të rrezikuar. Gjithashtu, është vënë re një rritje e konsumit të duhanit, veçanërisht tek femrat”, u shpreh Dr. Capodicasa.

Viola Shano theksoi se procesi i dhurimit të gjakut në Shqipëri është plotësisht i sigurt dhe qytetarët nuk duhet të kenë frikë. Gjak mund të dhurojë çdo person i shëndetshëm nga mosha 18 deri në 65 vjeç. Dhurimi mund të kryhet të paktën dy herë në vit, ndërsa dhuruesit periodikë janë persona që nuk vuajnë nga sëmundje kronike, nuk marrin medikamente që i përjashtojnë nga dhurimi dhe nuk kanë probleme me aneminë.

Specialistët shpjeguan se dhurimi i rregullt ndihmon në mbajtjen nën kontroll të depozitave të hekurit në organizëm, veçanërisht tek meshkujt.

“Tek meshkujt, dhurimi i gjakut lidhet me një ulje të rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare dhe goditjen në tru. Procedura zgjat rreth 10 minuta. Pas dhurimit rekomandohet konsumimi i lëngjeve, shmangia e ekspozimit në diell dhe e aktiviteteve të rënda fizike. Gjithashtu, akti i dhurimit shoqërohet me rritje të oksitocinës, hormonit të mirëqenies dhe kënaqësisë”, shpjeguan specialistët.

Dr. Natale Capodicasa rrëfeu edhe historinë e tij personale në Shqipëri.

“Kam filluar të dhuroj gjak që në Itali. Babai im ishte dekan i një shkolle dhe unë e nisa nga kurioziteti. Kur erdha në Shqipëri, pashë se kishte shumë pak dhurues vullnetarë dhe shumë dhurues me pagesë. Atëherë vendosa, bashkë me disa miq, të krijonim shoqatën. Kuptova se problemi kryesor ishte mungesa e informacionit. Dhurimi i gjakut është një akt dashurie për veten dhe për të tjerët. Unë vetë dhuroj katër herë në vit. Jam baba i tre fëmijëve dhe e gjithë familja jonë është e përfshirë në këtë mision”, tha ai.

Një nga historitë më prekëse të ndara gjatë emisionit ishte ajo e një profesoreje, dhuruese e rregullt e gjakut.

“Gjatë kontrolleve që kryhen periodikisht tek dhuruesit, u evidentuan shenja që çuan në ekzaminime të mëtejshme. Falë kësaj, ajo zbuloi në fazë të hershme një kancer të gjirit dhe arriti të trajtohej në kohë. Në një farë mënyre, duke dhuruar gjak për të shpëtuar të tjerët, shpëtoi edhe veten”, tregoi Dr. Capodicasa.

Edhe Viola Shano theksoi se shumë qytetarë që paraqiten për të dhuruar gjak nuk kanë kryer më parë kontrolle të rregullta shëndetësore.

“Kemi pasur raste kur qytetarët kanë mësuar për probleme shëndetësore që nuk i dinin. Për shembull, persona që kishin kaluar hepatitin pa simptoma e kanë zbuluar këtë gjatë analizave të kryera në procesin e dhurimit. Dhurimi i gjakut u jep mundësinë njerëzve të njihen më mirë me gjendjen e tyre shëndetësore, duke monitoruar parametra si kolesteroli, trigliceridet dhe tregues të tjerë të rëndësishëm”, përfundoi ajo.