Ministria e Puëve të Jashtme ka ndëprerë mandatin e konsullit të nderit të Republikës së Shqipërisë në Nigeri, Nitin Sandesara.
Ministria e Jashtme ka sqaruar se propozimi për dhënien e nënshtetësisë shqiptare që shtetasi indian, i akuzuari për pastrim parash, nuk është bërë nga ky institucion, por nga një ministri tjetër e qeverisë.
Reagimi i plotë i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme
"Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon sa më poshtë lidhur me rastin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Nigeri, Nitin Sandesara:
Procedura e emërimit të z.Nitin Sandesara si Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë në Nigeri ka përfunduar në janar 2019. Në zbatimin e procedurës së emërimit janë marrë në konsideratë kriteret dhe kushtet e përcaktuara në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore.
Dhënia e nënshtetësisë shqiptare dhe pajisja me pasaportë shqiptare e z. Sandesara nuk është procedurë, e cila ka kaluar nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, apo është në kompetencat e këtij institucioni.
Për më shumë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, sqaron se, ndonëse ka të drejtën e pajisjes me pasaporta diplomatike dhe shërbimi, sipas VKM-së 335, dt. 2.9.1997, z. Sandesara nuk është pajisur, as me pasaportë diplomatike, as me pasaportë shërbimi.
Rasti i artikuluar së fundmi i z. Sandesara me nënshtetësi shqiptare, mund të cënojë imazhin dhe reputacionin e Institucionit të Konsullit të Nderit, por edhe atë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe shtetit shqiptar në përgjithësi, pavarësisht faktit se veprimet e ndërmarra prej z. Sandesara janë në emrin e tij personal.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, informon se, ka të gjitha të drejtat ligjore për ndërprerjen e mandatit të Konsullit të Nderit.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndërprerë mandatin si Konsull Nderi të Republikës së Shqipërisë në Nigeri për z.Nitin Sandesara me efekt të menjëhershëm", thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.
Nitin Sandesara është një prej dy vëllezërve indianë të shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim. Ata akuzohen për pastrim parash dhe për zhdukjen e plot 725 milionë dollarë.
Dy vëllezërit ushtrojnë një aktivitet në fushën e ndërtimit në Shqipëri dhe dyshohet se kanë gjetur terren në vendin tonë për të pastruar paratë. Jo vetëm që u bënë ndërtues, por ata kanë mundur edhe të marrin nënshtetësinë shqiptare nga Presidenti Ilir Meta.