Diaspora kosovare: Vendi ka
përparuar, por ka ende shumë punë 

Diaspora kosovare: Vendi ka<br />përparuar, por ka ende shumë punë 
PRISHTINË (AA) – Me sloganin “Ti je pjesë e atdheut”, Ministria e Diasporës këtë verë është duke ndërmarrë kampanjën e promovimit të regjistrimit të mërgatës kosovare. Qëllimi i kësaj iniciative është që bashkatdhetarëve të cilët jetojnë në Diasporë, t’iu afrohet vendlindja dhe t’iu mundësohen shërbime sa më efikase. Kjo kampanjë ka filluar më 21 qershor dhe do të zgjasë tre muaj, do të thotë, gjatë periudhës kur fluksi i mërgimtarëve të cilët vizitojnë familjet e veta në Kosovë është më i madhi. Numri i të regjistruarve do të publikohet në fillim të vitit 2016.

Isa Osmanaj, zyrtarë i Ministrisë së Diasporës i cili po realizon regjistrimin e mërgimtarëve në shtandin e vendosur në qendër të Prishtinës, për Anadolu Agency deklaroi se procesi po rrjedh shumë mirë dhe njerëzit janë të interesuar për t’u regjistruar dhe qenë pjesë e vendlindjes, që edhe është slogani i kësaj kampanje. 

 “Jemi të vendosur në dy vende, këtu në sheshin e Prishtinës. Zyrtarë si ne, kemi në secilin vendkalim kufitar, në kuvendet komunale, ndërsa shërbimet për ne po i kryen gjithashtu edhe Posta e Kosovës e cila çdo bashkatdhetari po i ofron numra falas. Do të thotë, së pari duhet të regjistrohen dhe pastaj e marrin numrin e VALA-së”, thotë Osmanaj. Përveç regjistrimit pranë ekipeve të lëvizshme në mbarë Kosovën, diaspora kosovare ka mundësi të regjistrimit edhe përmes internetit (on-line).

Të dhënat e mbledhura përmes anketave të shumta, vërtetojnë se remitencat të cilat i dërgon diaspora kosovare, edhe më tutje luan rol të rëndësishëm në mirëqenien e një numri të madh të qytetarëve të Kosovës, sikurse për ekonominë ashtu edhe për shtetin në përgjithësi. Vlerësohet se, shuma vjetore e remitencave arrijnë deri në 600 milion euro. Në Kosovë, përndryshe, dominon bindja se për t’i interesuar mërgimtarët kosovar që të investojnë në vendlindje, atyre duhet t’ju sigurohen kushte pak më të mira. Këtë e vërtetojnë edhe bashkëbiseduesit tanë.

Sabri Bajraktari nga Drenasi, të cilin e takuam duke e plotësuar formularin për regjistrim, qe 23 vite jeton në Gjermani. Kosovën e ka braktisur për arsye politike, së bashku me gruan, në fillim të viteve të 90-të, ndërsa të tre fëmijët i kanë lindur në Gjermani . 

“Për fat të mirë, të gjithë fëmijët studiojnë. Njëra vajzë studion ekonominë dhe punon në bankë, djali është në makineri ndërsa, vajza më e re është student e mjekësisë. Aty kemi kushte. Unë punoj si inxhinier i kimisë në Institutin e Kimisë. Deri tash është mirë. Fillimisht, në Kosovë vija në mënyrë ilegale , fshehurazi por tash, çdo gë është në rregull. Nga viti 1995 në Kosovë kam ardhur çdo vit”, thotë Bajraktari.
 
Sipas tij, ndryshimet e bëra në Kosovë janë rrënjësore por, papunësia mbetet edhe më tutje problemi më i madh. Bajraktari tregon se në Kosovë, infrastrukura është e dobët  por kjo është e kuptueshme kur të merret parasysh lufta, situata politike dhe migrimi. Megjithatë, ai shton se diaspora ka investuar shuma të mëdha të parave në Kosovë.
 
“Unë personalisht kam investuar, së pari në familjen time, ku tri shtëpitë i kemi pasur të rrafshuara me tokë. Ka pasur vuajtje, prindërit dhe familja ime kanë qenë në frontin e luftës, gjashtë muaj kanë jetuar në mal, pa ushqim, pa veshmbathje...por për fat të mirë kanë mbijetuar duke i falënderuar financimeve tona nga Perëndimi, edhe pse disa nuk kanë pasur atë fat. Kështu, kam investuar diçka, në familje kam investuar gjithçka, kurse për vete e kam blerë një banesë”, thotë Bajraktari.
 
Kur është fjala për institucionet e Kosovës, ai konsideron se për Diasporën ka mundur të bëhet shumë më tepër dhe se ajo ka mundur të jetë pjesë e Kuvendit dhe institucioneve. Në pyetjen se, a dot kthehej të jetojnë në Kosovë, ai përgjigjet se ai dhe bashkëshortja e tij sigurisht se do të kthehen por një gjë të tillë nuk mund të garantojë për fëmijët e tij.
 
Edhe Afërdita Ismajli e cila është nga Fushë Kosova dhe jeton në Munih të Gjermanisë, aktualisht gjendet në pushim në Kosovë, me familjen e saj.
 
“Në Gjermani kemi shkuar në vitin 1993. Atëherë ishte krizë ekonomike...atje jetojmë, punojmë, e dini sikurse në kurbet. Kur vijmë në vendin tonë, është më ndryshe, jemi më të lirë...vendlindja të thërret me ardhur  më shpesh”, thotë për Anadolu Agency, Afërdita.
 
Ajo thekson se, Kosova ka ndryshuar shumë, për të mirë. Vendi është më i rregulluar, njerëzit janë më të arsimuar dhe kulturuar por, ende ka shumë punë për t’u bërë.
 
“Posaçërisht për të rinj, papunësia e rinisë është e madhe këtu në Kosovë, rinia nuk ka ku të dal, vetëm nëpër lokale sepse nuk ka vende tjera adekuate. Megjithatë, është më mirë se që ka qenë përpara, mjaftë është arritur. Në Gjermani është krejt ndryshe, ligji është më i fortë dhe puna është më e rregullt”, thekson ajo.
 
“Ne nuk e kemi filluar biznesin këtu sepse këtu nuk ka siguri për biznes. Puna më e mirë është që e kemi ndërtuar shtëpinë tonë dhe unë vij në shtëpinë time”, thekson Afërdita Ismajli.
 
Ajo që i pengon më së shumti në Kosovë është ndërprerja e shpeshtë e furnizimit me rrymë , që është e pakuptueshme , si thotë ajo, kur Kosova vet e prodhon rrymën. Gjithashtu, ajo shpesh ëndërron që të kthehet në Kosovë, por realizimi i kësaj ëndrre varret shumë nga fëmijët e saj.
 
Kalorësi, djali i saj pesëmbëdhjetë vjeçar, më i riu nga katër fëmijët e saj, ka lindur në Gjermani por thotë se ka shumë dëshirë të vij në Kosovë.
 
 “Këtu jam më i lirë se në Gjermani. Atje ndihmë pak i bllokuar kurse në Kosovë ndihem i lirë”, thotë Kalorësi ndërsa nëna e tij Afërdita ndërhynë, "Atje e thërrasin azilant dhe kur vjen në Kosovë thotë se nuk është azilant, këtu jam në vendin tim, edhe pse ka lindur atje" .

Redaksia Online
(a.a/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës