Në Fushë-Bulqizë, maturantët e Shkollës së Mesme të Bashkuar ‘Asllan Keta’ kanë zgjedhur të festojnë ndryshe përfundimin e vitit shkollor. Sipas dëshmive, ata kanë hyrë në ambientet e shkollës gjatë fundjavës dhe, në festë e sipër, kanë dëmtuar edhe klasat e tjera të shkollës.

Prindër të nxënësve të ciklit 9-vjeçar, të cilët janë njohur me ngjarjen mëngjesin e kësaj të hëne, shprehen se janë shkatërruar dosje dhe materiale mësimore të fëmijëve të tyre. Ata tregojnë gjithashtu se në ambientet e klasave janë gjetur shishe alkooli dhe dyshohet edhe për lëndë narkotike.

Përtej dëmeve materiale, prindërtit tregojnë se kjo ngjarje shihet edhe si një tregues shqetësues i problemeve me të cilat përballet një pjesë e brezit të ri, ku mungesa e përgjegjshmërisë, normalizimi i sjelljeve të dhunshme apo përdorimi i alkoolit dhe lëndëve të ndaluara po kthehen në një alarm për familjet dhe institucionet arsimore. Prindërit kërkojnë marrjen e masave dhe zbardhjen e plotë të incidentit.