DIBER - Nuk kishte se si të kalonte kohën. Përfundimi i semestrit të parë dhe ditët e pushimit, e kanë lënë pushim. Nuk kishte se si të mbushte kohën në fshatin e thellë, Gjurrë, pranë Bulqizës. Në mesditë, fëmija i moshës 13 vjeç, është futur në kasolle dhe siç flitet, për të luajtur.

Ai ndodhej i vetëm në shtëpi dhe pasi kasollja e bagëtive i është shembur mbi kokë, askush nuk i është gjendur pranë për ta ndihmuar. Pak më vonë, kur prindërit janë kthyer në shtëpi, kanë parë kasollen të shembur. Ndërsa prej të miturit, të cilin e kanë thirrur shumë herë, nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ndërsa kanë njoftuar policinë, ata kanë hyrë në gërmadhat kanë gjetur dhe djalin pa jetë.

Sipas policisë, shkaku i vdekjes ka qenë shembja e stallës së bagëtive, si rezultat e amortizimit të saj në sajë të agjentëve atmosferike. Djaloshi 13-vjeçar kishte vajtur të kujdesej për bagëtitë, ndërkohë ndërtesa është shembur papritur, duke zënë poshtë djalin.

Sipas familjarëve të viktimës, dy motrat e tij kanë parë murin e shembur dhe më pas kanë njoftuar dhe te ëmën për atë çka kishte ndodhur, duke pyetur në të njëjtën kohë edhe për vëllain e tyre, Refaelin, fëmijën e parafundit të familjes Hoxha, nëse e kishte parë apo jo. Më pas ato kanë njoftuar fqinjin e tyre me të afërm për t'u ardhur në ndihmë, pasi dyshonin, se poshtë shembjes mund të ndodhej vëllai i tyre, Refaeli 13-vjeçar.

Më pas, fqinji i tyre me 3 persona të tjerë kanë bërë të mundur zhvendosjen e një sasie prej 40 centimetrash gurë dhe dhera, por për fat të keq, dyshimi i motrave të Refaelit rezultoi fatal për 13-vjeçarin.
Menjëherë në vendngjarje ka vajtur grupi hetimor dhe sipas policisë, në ndërtesën e vjetërsuar është nxjerrë trupi i pajetë i Refael Hoxhës. Kjo ngjarje e rëndë për familjen dhe fshatin, ndodhi aksidentalisht, rreth 20 - 30 metër larg shtëpisë, në stallën e ndërtuar prej rreth 50-60 vjetësh, e cila ishte tejet e amortizuar.

Pas tragjedisë, të afërmit kanë njoftuar edhe dhe babain e viktimës, i cili ditën e djeshme ndodhej në Durrës. Ai ka mbërritur në mbrëmje vonë, ndërkohë që në familjen Hoxha ishte hapur morti.
Policia ka bërë të ditur se, pasi ka shkuar në vendngjarje, ka parë trupin e djalit pa jetë dhe për t'i bërë ekspertizën, ai është dërguar në morgun e Peshkopisë, ku dhe sipas rezultateve, ka dalë se ai ishte goditur nga dheu, gurët dhe drurët e kasolles, në kokë e pjesë të ndryshme të trupit, gjë që i kanë shkaktuar dhe vdekjen e menjëhershme.


Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 26 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)