TIRANË- Tashmë që data e zgjedhjeve parlamentare është zyrtarizuar më 11 maj, kryesocialisti Edi Rama kërkon më shumë angazhim nga të tijët. Në selinë rozë, mblodhi këtë të hënë për më shumë se 2 orë, Kryesinë e partisë dhe kryetarët e bashkive, të cilët mbledhjes iu bashkuan përmes platformave online.
Me fokusin tek vota e diasporës, që do të jetë testi i parë në këto zgjedhje, Rama u la afat 2-3 javë për të përmbyllur procesin e identifikimit të emigrantëve në regjistrat e partisë.
Pjesën e dytë të takimit, Rama e vijoi vetëm me anëtarët e kryesisë, ku sic bëjnë me dije burime për Report Tv, njoftoi disa ndryshime në grupin e drejtuesve politikë.
Blendi Klosi, mori zyrtarisht detyrën si drejtues politik në qarkun e Dibrës, aty ku pritet të jetë edhe kandidat në listën përfundimtare. Klosi i cili më herët ishte caktuar të administronte procesin zgjedhor në të gjithë vendin, shkoi në Dibër, pas spostimit të Blendi Goxhes në Qarkun e Tiranës, konkretisht në zonën e Kombinatit.
Surprizë ishte ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, i cili për zgjedhjet e ardhshme do të punojë në qarkun e Vlorës, krah Bledi Çuçit, i cili është drejtuesi politik i zonës. Burime bëjnë gjithashtu me dije se Ministri i Financave, Petrit Malaj, do të punojë krah Belinda Ballukut në Fier, duke përforcuar edhe këtë qark, që njihet si bastion i së majtës.
Pas mbledhjes së kryesisë, takimet Rama i vijoi në formate më të ngushta me disa prej eksponentëve kryesorë të PS. Erion Veliaj, Blendi Klosi, Taulant Balla dhe Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, dolën më vonë se pjesa tjetër.
Pasi anuloi edhe një aktivitet të parashikuar në axhendë, Rama la selinë i fundit, pas më shumë se 2 orësh, i shoqëruar nga Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja. Për mediat zgjodhi të mos fliste, por kishte vetëm një batutë: “Kemi dy orë që ju presim, futuni në PS".