Shtatorin e vitit 2025 pak muaj pasi Partia Socialiste kishte fituar zgjedhjet, Shqipëria u bë vendi i parë në glob që vendosi një ministre të Inteligjencës Artificiale. Propozimi i kryeministrit Edi Rama pushtoi titujt e mediave botërore. Menjëherë, presidenti Bajram Begaj hodhi firmën dhe dekretoi për ministre Diellën.
Më 26 shtator opozita iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të kontrolluar nëse krijimi i Diellës është ose jo në përputhje me ligjin themeltar të shtetit. Por pavarësisht se kanë kaluar 4 muaj që kur është mbajtur seanca gjyqwsore 8 anëtarët e kushtetueses ende nuk e kanë bërë të ditur vendimmarrjen e tyre për t’i hapur rrugë ose jo një vendi në Këshillin e Ministrave të inteligjencës artificiale .
Në një raport të publikuar nga vetë Gjykata Kushtetuese, gjatë gjithë vitit 2025, mesatarja e kohës që iu desh trupës për të shqyrtuar një çështje ishte 8 muaj, ndërsa në rastin e Diellës kanë kaluar saktësisht 1 vit që kur është depozituar kërkesa.
Ligji për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Procedurave Gjyqësore të japin një panoramë të hollësishme se sa kohë i duhet trupës për të dhënë një vendim.
Kështu, nëse shqyrtimi gjyqësor ka përfunduar me datën 26 maj të vitit 2026 neni 39 i rregullores detyron trupën që pas përfundimit të seancës sa më parë të jetë e mundur të mblidhet në dhomën e këshillimit për të diskutuar dhe për të marrë vendim për çështjen. Momentet e shtyrjes së këtij momenti juridik duket se janë të pakta në rregullore, pasi fjalia “sa më parë të jetë e mundur” prevalon mbi të gjitha.Në lidhje me këtë situatë të krijuar, i kontaktuar nga Report Tv, Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi tha se është e papranueshme që Gjykata Kushtetuese të mos respektojë afatet, që vetë ligji ua imponon anëtarëve të saj.
“Deri më sot, nuk ka pasur precedent që një çështje e kësaj natyre të mbetet pa vendim për një periudhë kaq të gjatë, pavarësisht përfundimit të shqyrtimit gjyqësor. Heshtja dhe zvarritja në një çështje me rëndësi të lartë kushtetuese ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin efektiv të këtij institucioni dhe mbi përmbushjen e misionit të tij për të garantuar rendin kushtetues”, tha Gazment Bardhi, Kryetar i Grupit të PD.
Report Tv iu drejtua për një sqarim edhe Gjykatës Kushtetuese, por deri në këtë moment nuk mori një përgjigje. Sipas ligjit diskutimet e gjyqtarëve dhe votimi për marrjen e vendimit janë të mbyllura dhe konfidenciale, pas diskutimeve votimi nis nga relatori i çështjes e më pas gjyqtarët e tjerë, sipas vjetërsisë në detyrë, duke filluar nga më i riu.









Komente
Komento