/ATSH/ - Në Rrajce të Librazhdit një shtëpi me 5 persona është përfshirë nga flakët. Sipas policisë dhe repartit zjarrfikës, shkak është bërë një shkëndije elektrike gjatë natës. Për fat të mirë familjarët e ndihmuar dhe nga banorët e fshatit janë nxjerrë jashtë në kohën e duhur, pa pësuar asnjë lëndim.
Për të parë nga afër gjendjen ka qenë dhe deputeti i Librazhdit, Taulant Balla, i cili ofroi mbështetjen e tij personale dhe ndihmën e nevojshme që familja të mund të rindërtojë shtëpinë. Kryefamiljari shprehu mirënjohjen e tij për deputetin, duke theksuar se ai gjithmonë ka qenë në shërbim të tyre.
Deputeti Balla i garantoi familjarët se në bashkëpunim me Prefekturën si dhe emergjencat civile do të bëjnë të mundur një ndihmë financiare për këtë familje. Gjithashtu, tha Balla, ndihma të tjera do të vijnë nga kompani private për rindërtimin e shtëpisë.