Janë dhjetë artistë nga Italia dhe Ballkani, të cilët ripërcaktojnë konceptin e artit digjital në një ekspozitë të përbashkët të çelur në galerinë “Gocat” te Piramida në Tiranë.
“aDigital Perspective”, një projekt i Instituteve Italiane të Kulturës të Beogradit, Bukureshtit dhe Tiranës, i kuruar nga “Spazio Taverna” e pati ndalesën e parë në kryeqytetin shqiptar.
"Kur u ftuam të mendojmë për ekspozitën mbi artin digjital, sigurisht çdokush kishte në mendje kripto dhe inteligjencën artificiale por menduam të bëjmë një antiekspozitë. Kjo ishte sfida kryesore, të mendojmë për artistët që janë italianë dhe nga Ballkani, që janë në gjendje të hetojnë dhe eksplorojnë botën digjitale, por me mediume tradicionale, sepse arti bashkëkohor nuk ka të bëjë me se si e bën diçka, por çfarë mendon dhe cili është mesazhi që kërkon të përcjellësh. Të dhjetë artistët e ftuar kanë një kërkim të thellë mbi punën digjitale në një mënyrë jo të zakonshme.”, - thotë Marco Bassan, themelues i "Spazio Taverna".
![]()
Artistët e përzgjedhur janë të njohur në skenën e artit bashkëkohor ndërkombëtar.
“Diferencat më të mëdha vijnë nga background I tyre. Artistët italianë janë më të fokusuar në kërkimet mbi historinë e artit dhe interpretimin e historisë përmes lenteve të botës digjitale. Ndërkohë, në botën ballkanike, çdo gjë është më sociale, më politike dhe artistët shohin në botën digjitale në një mënyrë sfiduese.”, - vijon Bassan.
Nisma është pjesë e një projekti më të gjerë të diplomacisë kulturore, e cila synon forcimin e lidhjeve mes Italisë dhe vendeve ballkanike, përmes artit bashkëkohor. Ekspozita do të jetë shëtitëse dhe do të çelet edhe në Bukuresht, Beograd e Prishtinë, duke propozuar një reflektim të përbashkët mbi të ardhmen e digjitales në panoramën artistike. Krahas ekspozitës është botuar një katalog dygjuhësh, i pasur me intervista me shkrimtarë, filozofë dhe intelektualë të sugjeruar nga artistët, me qëllim eksplorimin e tematikave të nxjerra nga veprat, edhe nga pikëpamja teorike.
B.G/r.k./Shqiptarja.com
Komente

