Ilide Carmignani, ‘zëri’ i Nerudës, Markez e autorëve të mëdhenj në italisht në Panair: ‘Magjia’ e përkthimit e miqësia me Sepulvedën! Letërsia, urë dialogu me Shqipërinë

Mbi 120 libra të përkthyer nga letërsia latino-amerikane për t’ia çuar lexuesit italian. E ftuar nga Instituti Italian i Kulturës, Ilide Carmignani, një nga përkthyeset më të rëndësishme të skenës bashkëkohore, vjen për herë të parë në Shqipëri me rastin e Panairit të Librit.

“Më duhet të them se u befasova nga zhvillimi i Tiranës. Madje herë pas here më dukej sikur isha në Milano, grataçelat përreth. Kështu që më duket një qytet shumë i gjallë, që rritet edhe në lartësi...  Pastaj, Panairi, i mrekullueshëm! Nuk e prisja një panair kaq të madh, me kaq shumë pjesëmarrje. Është një shenjë shumë e bukur për një vend që të shohësh kaq shumë libra dhe kaq të rinj që lexojnë, ndaj kompimenta, një surprizë shumë e bukur”.

Gabriel Garcia Marquez, Pablo Neruda, Luis Sepulveda dhe Roberto Bolano, janë vetëm disa nga autorët më të rëndësishëm që ajo ka përkthyer.

“Mendoj që ta duash gjuhën nga e cila përkthen është e domosdoshme, sepse jeton me të në një farë mënyre. Janë më shumë se 30 vjet që i kaloj ditët e mia nga mëngjesi në darkë duke punuar me gjuhën spanjolle, kështu që sigurisht që duhet ta duash, të bësh kërkime rreth saj, të njohësh të gjithë nuancat që ka dhe që shpesh janë aspekte të atij realiteti, kafshë, bimë, institucione, peizazhe, koncepte”.

Në një proces përkthimi, siç rrëfen bashkëpunimi me autorin ndihmon.

“Kur shkrimtari është i arritshëm unë përpiqem gjithmonë që të vendos kontakt me të. Ka shkrimtar me të cilët kam bashkëpunuar vazhdimisht si Luis Selpuveda, por dhe shkrimtarë të tjerë bashkëkohorë , argjentinas, meksikanë apo nga Guatemala. Ndonjëherë për fat të keq janë autorë të ndarë nga jeta sepse të përkthesh ndonjëherë do të thotë edhe të ripërkthesh tekste të rëndësishme, kanonet e letërsisë... Dhe atëherë duhet që të përpiqemi që në njëfarë mënyre ta kuptojmë sa më mirë këtë autor, zërin e tij në të gjitha nuancat, që ta rikthejmë. Kjo, sepse nëse një përkthyes humbet diçka nga origjinali, lexuesi nuk mund ta vlerësojë siç duket, pra zëri i autorit zhduket”.

Tregon se të pasurit stimën e shkrimtarit që përkthen, e ka ndihmuar në punën e saj. Me disa syresh si Luis Sepulveda, ka pasur edhe raport miqësor.

“Me Luis Sepulvedën ne kishim  një miqësi që zgjati 30 vjet, që për mua do të thoshte të shkëmbenim emaile, mesazhe, të flisnim në telefon, dhe ta pyesja, çfarë ke dashur të thuash me këtë fjali dhe ai më shpjegonte. Apo të kishe edhe autorizimin, kur nuk ishte e mundur një përkthim letrar, që ta ndryshonim, të vendosnim bashkë se cila është mënyra më e mirë për tia përçuar lexuesve italianë këtë imazh, këtë metaforë, këtë mënyrë... Më kujtohet në veçanti një personazh, që ishte drejtor i një Cirku që fliste një gjuhë të përzier mes italishtes dhe spanjishtes. Dhe, në Itali është zhdukur kjo gjuhë e dyfishtë. Kështu unë i propozova ta transformonim në italo-gjermanishte, dhe ai që kishte jetuar gjatë në Hamburg, u gëzua pa masë, më falënderoi dhe i pëlqeu shumë...”

Ilide është edhe kuratore për sallonin e përkthimit në Panairin e Librit në Torino, që këtë vit mirëpriti dhe autorë shqiptarë.

“Autorët shqiptarë më të njohur në Itali janë emra si Ornela Vorpsi, shkrimtarë që edhe prej gjuhës bëhen ura lidhëse, pastaj klasikët e mëdhenj. Por, unë mendoj që duhet bërë shumë më shumë. Janë dy vende fqinjë, që kanë qenë gjithmonë shumë të afërta edhe në të shkuarën. Ndaj e shikoj me rëndësi qoftë të përkthehen më shumë autorë italianë në Shqipëri, ashtu edhe të shpiem më shumë autorë shqiptarë në Itali. Është një mënyrë që këto dy kultura të dialogojnë”.

Të gjitha përkthimet janë të dashura për të, e megjithatë veçon ndër titujt më të vështirë dhe të bukur që ka ccuar në italisht.

“Si i bëhet ti ndash?! Një nga më të vështirët po e përkthej tani, titullohet ‘Libri i Manuelit’ i Julio Cortazar. Është plot me lojëra fjalësh, një gjuhë e sajuar, është gjuha e tangos, e lagjeve të vogla.  Është një gjuhë poetike, ku duhet të vendosësh ekuilibrin si përkthyes.

Vështirë të them për më të bukurin, por janë dy tituj pas të cilëve jam veçanërisht e afeksionuar , një është “ Plaku që lexonte romane dashurie” nga Luis Sepulveda.  kjo lloj përralle ekologjike, e ambientuar në Amazonë, që është një mësim dhe për më të rinjtë, edhe për të gjithë ne, edhe për një të nesërme.

Tjetri është “2666” i Roberto Bolanos, që është një cikël romanësh, që siç thotë Nicola Lagioia, një shkrimtar i rëndësishëm italian, “është një roman që i përket tashmë letërsisë së të ardhmes”. Ka hapur dyert e një mënyre të re të të rrëfyerit dhe ndihem shumë me fat që isha unë përkthyesja që e solli në gjuhën italiane”.

Si një nga mjeshtret e përkthimit, e ka një këshillë edhe për të rinjtë.

“Të lexojnë sa më shumë, edhe në gjuhën prej nga vijnë, sepse ajo është mjeti i tyre. Por edhe të shkruajnë, jo me ambicien për ta publikuar, por për ta ushtruar këtë mjet, sepse ne duhet jo vetëm të përkthejmë atë që është në një libër të huaj, por edhe të dimë se si. Siç thotë një përkthyese e madhe italiane, Renata Colorni “përkthyesi është një kameleon libertin. Kameleon sepse çdo libër që përkthen duhet të marrë ngjyrën, zërin përkatës. Dhe libertin, sepse ne kalojmë nga një libër në tjetër, dhe na pëlqen edhe të ndryshojmë autorë”.

B.K//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje