Dija e dialogu për të kaluarën, rol
vendimtar në trazicionin çlirues

Dija e dialogu për të kaluarën, rol<br />vendimtar në trazicionin çlirues<br>
I nderuar Kryetar i Kuvendit, 

Të nderuar deputetë, të nderuar të ftuar,

Gjatë dekadave të fundit, shumë shoqëri në botë janë përballuar me fenomenin e tranzicionit: Afrika, ish-Bashkimi Sovjetik, Evropa Lindore, Amerika Latine: ndryshimet pas-koloniale, përmbysja e diktaturave ushtarake dhe e regjimeve totalitare me shpresën për liri dhe demokraci. Distancimi nga rendi diktatorial kudo çoi në lindjen e pyetjeve të nxehta, si për shembull: si të përballemi me të kaluarën e ligë? Çfarë lloj trajtimi i së kaluarës ndihmon në krijimin e një rendi të ri liberal? Si të bëjmë drejtësi në të mirë të viktimave? Si të krijojmë një narrativë të re çliruese?

Tranzicionet shpesh sjellin ndryshimin e paradigmave normative, gjë që e vështirëson aplikimin e sanksioneve penale në rrethanat e shtetit ligjor: nulla poena sine lege, nuk ka ndëshkim për krimet që përbënin vepër penale në kohën kur janë kryer – ky është rregull thelbësor për shtetet demokratike. Ose, thënë ndryshe: si të vëmë përpara përgjegjësisë individët që kanë kryer shkelje sistemike gjatë një sundimi shtypës? Kjo nuk e përjashton ndëshkimin për krimet më të tmerrshme, por e kufizon sferën e veprimit të drejtësisë penale.

Shoqëritë kanë në dispozicion mjete të ndryshme për realizimin e drejtësisë tranzitore. Kompensimi mund të jetë një prej tyre. Por, edhe për një vend të pasur si Gjermania Perëndimore, nuk ka qenë i mundur kompensimi i plotë i të gjitha dëmeve të shkaktuara prej komunizmit. Kjo sepse fatura e kompensimit do të rëndonte mbi të gjithë taksapaguesit.

Këto dilema – përpjekjet e viktimave për drejtësi dhe alternativat e kufizuara për sanksione dhe kompensim kanë ngjallur hidhërim të thellë tek shumë viktima të regjimit në shumë vende. Ata ndihen sikur kauza e tyre nuk po njihet aq sa duhet. Megjithatë, i takon shoqërisë shqiptare dhe këtij parlamenti të vendosin nëse mund të bëhet më shumë në këtë fushë, madje edhe pas vendimeve më të fundit në lidhje me kompensimin.

Mirëpo, ekzistojnë edhe mënyra të tjera për t’i zbardhur dhe dënuar shkeljet. Këtë po bën edhe ky kuvend i nderuar sot: ju po njihni krimet i së kaluarës dhe po i dënoni ato, dhe kjo në vetvete arrin përmasa shndërruese, sepse pranimi publik kontribuon në çlirimin e shoqërisë. Ekspozimi i shkeljeve i damkos dhe i skualifikon shkelësit, duke i syrgjynosur në të kaluarën e hidhur. Kjo përbën shtysë për avancimin normativ, gjë që është thelbësore për një tranzicion çlirues.

Për mua është nder dhe krenari që më jepet mundësia t'ju drejtohem në këtë moment historik, kur parlamenti thotë bashkërisht në këtë mbledhje në lidhje me krimet e regjimit të mëparshëm: “Po, kjo ishte diçka e gabuar dhe e ligë”, dhe ju e thoni këtë pavarësisht mendimeve tuaja rreth ideve politike të deputetëve të ekzekutuar.

Regjimet shtypëse bien me revolucion ose përmbysje, por ideologjia e tyre mund të vijojë nëse ato nuk diskreditohen. Ju shpallni qëndrimin e përbashkët politik dhe ndani të njëjtën vetëdije politike me votuesit tuaj. Kjo vetëdije, e cila shpall: “Po, kjo ishte diçka e gabuar dhe e ligë”, e ndan edhe më shumë shoqërinë tuaj nga regjimi i mëparshëm; ky akt ritual kontribuon në vetëdijen kolektive lidhur me këtë avancim normativ, sepse po hidhni poshtë ideologjinë e mëparshme dhe po vini në dukje ndryshimin ideologjik që karakterizon shndërrimin çlirues. Prandaj, ky moment është gur kilometrik për procesin që ka filluar në Shqipëri përmes diskutimeve publike, ndërtimit të muzeve, vendeve të kujtesës dhe ngritjes së Autoritetit për Hapjen e Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit: ky është dialog kombëtar mbi të kaluarën.

Siç mund ta dini, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është angazhuar prej më shumë se dy vitesh në mbështetje të dialogut lidhur me përballjen me të kaluarën dhe të Autoritetit të Dosjeve të Ish-Sigurimit në punën e tij.

Dija dhe dialogu për të kaluarën, luajnë rol vendimtar në trazicionin çlirues, dhe ndihmojnë në rivendosjen e identitetit të vendit. Ky parlament mund të diskutojë dhe të vendosë nëse Shqipërisë i duhen më shumë akte të tilla tranzitore që krijojnë lidhjen normative mes të kaluarës dhe të ardhmes së vendit. Mundësitë për ta vazhduar dhe për ta thelluar këtë dialog janë të shumta.

Prezenca e OSBE-së e quan kënaqësi mundësinë për të kontribuar në këtë dialog.

Faleminderit për vëmendjen.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet 2025/ Begaj: I kënaqur që faktori politik u përfshi si drejtpërdrejtë, ashtu dhe tërthorazi! Kthejini zgjedhjet e pranverës së ardhshme në histori suksesi

Zgjedhjet 2025/ Begaj: I kënaqur që faktori politik u përfshi si drejtpërdrejtë, ashtu dhe tërthorazi! Kthejini zgjedhjet e pranverës së ardhshme në histori suksesi