Dikur i thonte hero, ndërsa sot tradhtar. Kështu shprehet analisti Ergys Mërtiri për deklaratat e Sali Berishës për Ervin Salianjit, pas Foltores që ky i fundit ka nisur me strukturat e Partisë Demokratike.
Në një intervistë për gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, Mërtiri tha se pretendimi i Berishës së ish-deputeti po i shërben kryeministrit Edi Rama është absurd.
“Partisë Socialiste dhe Edi Ramës i shërben ai që nuk do që të reformohet Partia Demokratike”,- tha Mërtiri.
“Rama me Berishën jeton 1 mijë vjet në pushtet. Megjithëse kjo është qeveria më e mbuluar nga skandalet dhe zullumet, ajo është më e fortë se kurrë se ka përballë Sali Berishën”,- shtoi analisti.
Për Mërtirin, zgjedhja e Endri Shabanit si Avokat i Popullit ishte produkt i një marrëveshjeje mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Kundërshtimin e opozitës për procesin e quajti artificial.
“Në shkencën politike njihet kjo gjë: studiuesit e teorisë së konfliktit sqarojnë se si dy palë kundërshtare në një situatë bipolare e marrin peng skenën politike duke bërë një konflikt shterpë. Një konflikt i ashpër pa kompromis, por që në fakt fsheh marrëveshjet mes Ramës dhe Berishës”,- tha Mërtiri.
Analisti këmbëngul se fajtori i vetëm i dobësimit të Partisë Demokratike dhe lëvizjeve aspak strategjike të kësaj force politike, është Sali Berisha.
“Është e turpshme që kjo parti fshihet pas gishtit dhe fajëson çdokën përveç Berishës. Nëse ka fajtor këtu është Berisha, se pazaret me Edi Ramën i bën Sali Berisha. Nuk ka sens që kjo parti të vazhdojë ‘Mehmeti bën në kokë të vet se Enveri dhe Nexhmija nuk i dinë këto punë’. Berisha është ai që ka gisht te Avokati i Populliy dhe këtë e thonte vetë, ka thënë se ne e bëmë këtë se deshëm t’i merrnin votat Endri Shabanit për Bashkinë e Tiranës”,- tha Mërtiri.
Komente











