Duket se dimri i këtij viti do të nxjerrë në pah shumë prej problemeve që po kalon ekonomia shqiptare. Indikatorët ekonomikë, që kanë treguar rënie të vazhdueshme gjatë vitit të shkuar, të shtyjnë të mendosh se pavarësisht entuziazmit të deklaratave qeveritare, ekonomia ndodhet në prag të një dimri të gjatë e të ftohtë.

Shprehja "Leku është trembur!" që e dëgjojmë të përsëritet shpesh ndoshta nuk i shpjegon në terma ekonomikë arsyet e krizës, por ama tregon fare mirë se ku qëndron problemi për operatorët e vegjël ekonomikë. Të gjendur shpeshherë përpara nevojës për të mbijetuar kalimin nga një sezon i vështirë në një më të mirë, shumë prej tyre gjenden sot në pikë të hallit si pasojë e përsëritjes së sezoneve të këqija. Konsumi ka rënë, fuqia blerëse po ashtu, të ardhurat janë në rënie, siç tregojnë edhe të ardhurat nga tatim fitimi dhe, në fjalët e vetë bizneseve, të gjithë po përgatiten për një stinë të ashpër ekonomike që me ç'duket do të zgjasë.
Në këtë situatë ata që janë më të ekspozuar ndaj humbjeve e vështirësive ekonomike janë padyshim bizneset e vogla, të cilët kanë më pak fleksibilitet ndaj luhatjeve në kërkesë. Në Shqipëri, sipas Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve Ekonomike të INSTAT, ka një numër tejet të madh biznesesh, rreth 68 616, që punësojnë nga një deri në 4 njerëz, , thënë ndryshe 91% e të gjitha bizneseve në vend në 2010. Shumica janë biznese familjare, të cilat vitet e fundit janë gjendur nën një sulm të furishëm për shkak të nevojës së shtetit për të prodhuar të ardhura që mbështesin deklaratat pompoze për rritjen ekonomike.

Kështu pas uljes së tavanit të xhiros për biznesin e vogël në rreth 1.6 milion lekë të vjetra në muaj, bizneset e vogla në Shqipëri janë sulmuar me legjislacione që në thelb i kanë dobësuar. Barra për këto biznese sot është shumë më e rëndë se më parë. Këtu mund të përmenden çmimet e referencës, rrogat e indeksuara, parapagimi i TVSH, taksa e biznesit të vogël, kasat fiskale, referencat doganore, ndryshimet e përsëritura në legjislacionin tatimor, gjobat e padyshim korrupsioni. Duke mos patur fleksibilitet për të përballuar ndryshimet e njëpasnjëshme, këto biznese jo rrallë i transferojnë këto kosto tek konsumatori, duke kontribuar pa dashje edhe vetë në uljen e konsumit, që njëkohësisht i dëmton edhe ato.

Në vende si Amerika, ku kriza ka qenë më e ashpër se në Shqipëri, fillimi i rimëkëmbjes ekonomike i ka pasur bazat tek shtresa e mesme,ky hyjnë edhe këto biznese. Megjithatë duket qartë se me masat që ka marrë vitet e fundit për "normalizimin e tregjeve" Ministria e Financës nuk e ka marrë parasysh rolin që bizneset e vogla luajnë si kapilarë tejet të rëndësishëm ekonomikë. Pavarësisht peshës që mbajnë në ekonominë e vendit në terma sasiorë, bizneset e vogla luajnë një rol të pazëvendësueshëm në terma cilësorë si për rishpërndarjen e të ardhurave, ashtu edhe për punësimin. Kjo është arsyeja pse sot në Shqipëri, në vend që ringritja ekonomike të fillojë nga niveli mikro për tu shtrirë pastaj sa më gjerë, po ndodh e kundërta: të vegjlit po shkatërrohen pikërisht në pikat ku duhen mbështetur. Dhe shumica e nismave qeveritare, duke filluar që nga taksa e sheshtë e deri tek referencat, punojnë kundër interesave të biznesit të vogël.

Duke mos mbështetur potencialin e biznesit të vogël qeveria mund të jetë duke bërë një nga gabimet më të mëdha strategjike për të ardhmen e vendit. Duke pasur vazhdimisht vetëm prioritetin e mbushjes së arkave shtetërore për të maskuar krizën në të ardhurat e shtetit, qeveria është duke dëmtuar një segment tejet të rëndësishëm të ekonomisë. Për shembull, nëse në vend të gjobave do të kishte pasur stimuj, efekti i këtyre stimujve, i shumëfishuar me aftësinë rishpërndarëse të bizneseve të vogla do të kishte krijuar efekte të gjera pozitive. Sepse, nëse përmirësohen të ardhurat apo rentabiliteti i bizneseve të vogla, si pasojë e numrit të madh të këtyre bizneseve, ndikimi tek shtimi i punësimit do të kishte qenë i jashtëzakonshëm.

Por në vend të këtyre politikave stimuluese, Ministria e Financave ka zgjedhur të ndërmarrë një politikë masive gjobvënieje, e cila, siç pohojnë bizneset se është shumë më represive se një vit më parë, kur ishin vendosur "vetëm" 33 mijë e kusur gjoba. Në një vend me 75 mijë ndërmarrje kjo politikë natyrisht ka një ndikim potencialisht rrënues për ekonominë, sidomos në plan afatgjatë, pasi meraku për të ardhurat e shtetit nuk mundet kurrsesi të justifikojë investimet e munguara sidomos nga bizneset e vogla. Për këtë arsye, ndërsa kriza thellohet çdo ditë, qeveria ka nevojë ta rimendojë tërësisht politikën e saj përballë biznesit, e sidomos atij të vogël. Rruga e rimëkëmbjes ekonomike kalon nga ringritja e shtresës së mesme, e ndoshta këtë herë duhet të marrim ndonjë mësim nga perëndimi dhe të mos pretendojmë vetëm të japim leksione. Nevoja e vazhdueshme e qeverisë për para tani po minon ekonominë e Shqipërisë në vitet e ardhshme.

(Gre.M/Shqiptarja.com)