Tashmë ky rast po hetohet në mënyrë intensive nga organi i akuzës për të zbardhur se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Këta 20 pedagogë janë thirrur për të dhënë dëshminë e tyre në lidhje me notat që kanë vënë në procesverbalin e provimeve, vetëm gjatë javës që lamë pas. Ndërsa më herët, edhe pedagogë të tjerë kanë dhënë dëshmitë e tyre pranë prokurorisë së Tiranës për këtë çështje, e cila hedh hije dyshimi mbi procedurën e ndjekur për dhënien e provimeve të Redi Shijakut, ku për çdo lëndë që ka dhënë provim,për çdo notë,figuron firma e pedagogut të lëndës dhe e rektorit.
Dyshimet janë ngritur pasi ky person, nëpërmjet sistemit TIMS, është vërtetuar se së paku në 5 lëndë, ku është vlerësuar me notë në procesverbalët e mbajtur nga pedagogët në ditët e provimeve, ai në të vërtetë ka qenë jashtë Shqipërisë.
Por duket se çështja po hetohet edhe nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Që prej muajit dhjetor të 2013-s një audit i MASH-it ndodhet në këtë universitet dhe pritet që tashmë të bëhet gati edhe raporti me përfundimet e tij.
Këshilli i profesorëve
Por në këtë universitetet prej kohësh ka pasur përplasje të forta edhe mes vetë profesorëve. Kjo gjë ka ndodhur edhe ditët e fundit, ku rektori Rizvanolli, ka vendosur të anashkalojë këshillin e profesorëve, me 10 anëtarë, që funksionon që prej krijimit të këtij universiteti dhe të krijojë një tjetër këshill profesorësh pranë fakultetit të Veprimatrisë Fizike dhe Rekreacionit. Sipas pedagogëve të këtij universiteti ai është krijuar në kundërshtim me rregulloren dhe po përdoret për të përmbushur interesa personale.
“Që të funksionojë këshilli i profesorëve duhet që të ketë 7 anëtarë me titullin profesor. Ky fakultet në të vërtetë ka vetëm dy profesorë me titull, dhe për të plotësuar këtë numër në këtë këshill janë futur emrat e dy profesorëve të tjerë, Albert Karriqi dhe Lumturi Markola, pa i vënë në dijeni dhe pa u marrë fare mendimin. Ndërsa është futur në këtë këshill edhe një pedagog i jashtëm, që e ka dorëzuar dosjen për të marrë titullin profesor, por që kërkesa e tij është rrëzuar nga senati. Pra gjithçka është bërë në shkelje me rregulloren e funksionimit të UST dhe synon të shpërbëjë këshillin e profesorëve të universitetit, duke e përdorur për interesa të ngushta”, - na thonë ata.
Sipas tyre,dëshmia më e qartë e paligjshmërisë së këtij këshilli të krijuar së fundmi, është ajo që ka ndodhur dje në mbledhjen e këshillit të administrimit. “Dje në këshillin e administrimit ka shkuar pikërisht kjo strukturë e re e këshillit të profesorëve por edhe struktura e re e të gjithë universitetit, në mënyrë që të miratohet piramida e pagave për vitin 2014. Mirëpo kryetarja e Këshillit të Administrimit dhe përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit e kanë kundërshtuar këtë strukturë të re të paraqitur nga rektori Rizvanolli dhe nuk e kanë votuar atë, pasi është në kundërshtim me rregulloren e UST-së. Ne mendojmë që ajo që po ndodh në universitetin tonë, është një situatë krejtësisht absurde.
Në një kohë kur kryeministri i Shqipërisë e ka shpallur arsimin emergjencë kombëtare, në universitetin tonë ai po përdoret hapur për qëllime të ngushta. Ne jemi një grup profesorësh si dhe një pjesë e madhe e pedagogëve që do ti dërgojmë një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, por edhe ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, që të ndërhyjë në mënyrë urgjente për të verifikuar zbatimin e ligjshmërisë në këtë rast. Është një situatë kaotike që na pengon edhe në mbarëvajtjen e punës sonë të përditshme akademike dhe që duhet të marrë fund sa më shpejt”, - përfundojnë pedagogët dhe profesorët e Universitetit të Sporteve.
Rektori: Unë nuk kam ndërhyrë për dhëndrin
Në fakt pas publikimit të shkrimit në Shqiptarja.com në maj të 2012-s, rektori i universitetit të Sporteve, Vejsel Rizvanolli, reagoi asokohe duke i quajtur të turpshme dhe të ulëta akuzat e stafit të tij se ai ka ndërhyrë për t'i dhënë provimet dhëndrit të tij. Ai mohoi në mënyrë kategorike që të ketë ndërhyrë ndonjëherë për të ndikuar tek pedagogët në favor të të afërmit të tij. "Akuza të tilla janë të turpshme dhe shumë të ulëta. Unë di të them se në këtë universitet ka sekretari mësimore, ka pedagogë lënde, shefa departamentesh dhe dekanë për secilin prej tyre.
Le të dalë dikush prej tyre dhe të deklarojë se unë i kam kërkuar favore për dhëndrin tim, atëherë po që jam dakord. Këto janë gjëra lehtësisht të verifikueshme. Dhëndëri im është një person si gjithë të tjerët që ka të drejtë të ndjekë cilin fakultet të dojë, apo të mos shkollohet meqë është dhëndërri im??", - na tha asokohe rektori, Vejsel Rizvanolli, i cili vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim për këtë çështje.
Shkrimi u publikua sot (19.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)