Sot u zhvillua ceremonia e diplomimit të 24 oficereve pas përfunduan me sukses te programin pilot në Shkollën e Kandidatëve për Oficerë të Gardës së New Jersey në SHBA.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm, zv/ministri i Mbrojtjes, Dritan Hila, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori i SHBA në Tiranë, Alexander Arvizu, komandanti i Gardës së New Jersey, gjeneral brigade Michael Cunniff, gjeneralë dhe drejtorë të drejtorive në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm, atashe ushtarakë të akredituar në Tiranë, përfaqësues të Zyrës së ODC dhe CUBIC, familjarë dhe të afërm të ushtarakëve të diplomuar etj.

Zv/ministri i Mbrojtjes, Dritan Hila, duke iu drejtuar oficerëve të sapodiplomuar theksoi se "disa muaj më parë, kur ju u larguat për studime në programin pilot të Gardës Kombëtare të New Jersey, ministrja e Mbrojtjes, Kodheli, ju ka thënë dy gjëra të rëndësishme: E para, ju dha besimin se do të keni të gjithë mbështetjen e saj si ministre e Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm dhe për këtë po ju siguroj edhe njëherë, që kjo mbështetje do të jetë e vazhdueshme nga ana jonë. Së dyti, ju dha një këshillë që pritshmëria jonë ndaj jush është vërtetë e lartë, ndaj bëni gjithçka që duhet, që ne të gjithë të ndihemi krenar me ju. Sot, me të vërtetë që ne të gjithë ndihemi krenar që ju përfunduat me sukses këtë program", tha Hila.

Ndërsa Ambasadori i SHBA në Tiranë, Alexandër Arvizu, tha se "veprimi i parë publik i ministres Kodheli sapo u emërua në detyrën e ministres së Mbrojtjes ishte nënshkrimi i letrave të ofertës dhe pranimit për trajnimin e shqiptarëve në shërbimin ushtarak në Shkollën e Kandidatëve për Oficerë në New Jersey dhe në Fort Benning, Georgia. Një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes ne kemi të diplomuar prej kësaj shkolle në New Jersey këta oficerë, si dhe dy nënoficerë që aktualisht janë duke përfunduar programet e trajnimit në shkollën federale të kandidatëve për oficerë në Fort Benning. Të gjithë këta oficerë duhet të jenë shembuj të përpjekjeve modernizuese dhe të suksesshme të Shqipërisë. Ata do të shërbejnë si provë që Ministria e Mbrojtjes dhe FA janë thellësisht të përkushtuar jo vetëm në drejtim të përmirësimit të aftësive të gjuhës angleze, por edhe në sigurimin e një trajnimi me orientim amerikan dhe perëndimor".

Oficerët e sapodiplomuar i përshëndeti edhe komandanti i Gardës Kombëtare të New Jersey, gjeneral brigade Michael Cunniff. Në përfundim të kësaj ceremonie nëntoger Anita Gruda i dorëzoi zv/ministrit të Mbrojtjes, Dritan Hila, flamurin e grupit "Black Eagle 001". /ATSH/