SHBA - Veterani 91 vjeçar i Luftës së II-të Botërore nga forcat ushtarake Amerikane i dha vetes një mundësi të dytë duke marrë më në fund diplomën e shkollës së mesme.

Thomas Smith morri pjesë në ceremoninë e diplomimit bashkë me qindra studentë të gjimnazit Saratoga Springs, në New York, për të marrë diplomën që do duhej të kishte marrë që 73 vite më parë.

Ai u shpreh i përlotur se ndihej shumë i emocionuar që më në fund arriti të diplomohej dhe ndonëse ndihej se ishte në prag të fundit të jetës kjo mundësi ishte një hap i rëndësishëm për të. 

Smith ishte vetëm një adoleshent në gjimazin e Saratoga Springs, kur lufta nisi dhe prindërit e tij u sëmurën. Në pamundësi për të siguruar kujdestarë për ta, ai u detyrua të braktiste gjimnazin.

Por ëndrra e tij për diplomim u bë akoma më e largët kur ai ju bashkua ushtrisë amerikane gjatë Luftës së II-të Botërore.

”Unë nuk kam qenë një hero, por vetëm një ushtar i zakonshëm” rrëfen Smith. Pasi ai u kthye nga lufta ju desh t’i përkushtohej punës në një kompani private dhe ndonëse bashkëshortja e tij e nxiste që të përfundonte gjimnazin, si baba i katër femijëve ai kurrë nuk mundi të gjente pak kohë të lirë.

Megjithatë kjo ëndërr e vjetër i mbeti gjithnjë në mendje dhe vetëm pas shtatëdhjetë e tre vitesh arriti ta realizonte, ku me uniformën e tij ushtarake shkoi drejt skenës për të tërhequr diplomën, nën mbështetjen e duartrokitjeve të të diplomuarve të tjerë të cilit ishin 70 vjeç më të rinj se ai.

Redaksia Online
(Suada.B/shqiptarja.com)