“Funerali i madh dhe i paparë ndonjëherë në kryeqytetin shqiptar do të niste nga Tirana dhe si një stafetë maratone, do të përfundonte në Vlorë. Që në mëngjes legata italiane i dërgoi Romës kabllogramin e mëposhtëm urgjent: “Solemniteti i madh që do t’i jepet ceremonisë, e bën atë gjithashtu politikisht shumë me kuptim, për deri sa ajo do të jetë një lloj mbledhjeje e të gjitha forcave demokratike nacionaliste të vendit, të cilat janë në opozitë me fuqinë arrogante të bejlerëve dhe veçanërisht të Ahmet Bej Zogut. Ky konsiderohet si urdhërues i krimit”.
Menjëherë pas kësaj teksti i mesazhit alarmues i bënte të ditur Ministrisë së Jashtme Italiane se “Elementë demokratë nacionalistë më të zjarrtë u orvatën këto ditët e fundit të shpërthenin një lëvizje revolucionare, që kish për qëllim rrëzimin e qeverisë së sotme dhe si pikënisje mbledhjen e Vlorës. Duket që këshilla më të përmbajtura të kenë mbisunduar, por nuk mund të përjashtohet akoma që elementë ekstremistë ta teprojnë, duke provokuar përçarje të furishme. Ndërkaq ata vazhdojnë të bëjnë agjitacion që Asambleja Kushtetuese, me rifillimin e punimeve të saj pas dhjetë ditësh, të mblidhet në Vlorë dhe në Shkodër, në vend të Tiranës”.
Fjalia që e mbyllte kabllogramin, nënvizonte prerë: “Në përgjithësi gjendja e brendshme është shumë e errët dhe e paqëndrueshme”.
Informata urgjente kishte mbërritur në kryeqytetin italian dhe pati nisur të shqyrtohej për t’iu vënë në dorë mbase edhe vetë ministrit kur në sheshin qendror të Tiranës, para Xhamisë së Vjetër, u vendosën në vendet e tyre edhe diplomatët e huaj.
Ora qe 10.15.
Ceremonia e përmortshme do të fillonte pas pesëmbëdhjetë minutash. Ndërkohë mijëra pjesëmarrës kishin mbushur çdo hapësirë të lirë dhe lëvizja më e vogël e trupit ngushtonte tjetrin që ndodhej ngjitur. Të gjithë kërkonin të ishin dëshmitarë çfarë do të bëhej. Shumë kishin trishtim në zemër, por jo pak prej tyre edhe një ankth frymëmarrës. Që prej dy-tri ditësh mjaft simpatizantë të opozitës nga Tirana dhe qytetet e tjera të Shqipërisë qenë nisur drejt Vlorës, për t’u grumbulluar atje. Ishin shprehur se këtë e bënin për të qenë të pranishëm në ceremoninë e varrimit të Avni Rustemit në vendlindje, por jo pak dilnin përtej kësaj formule shpjegimi. Ata deklaronin se nuk do të riktheheshin nëpër shtëpitë e tyre pa i dhënë fund qeverisë. Ajo duhej të dorëhiqej, sa më shpejt. Në rast se do të shfaqej kokëfortë për të ndenjur me pahir, atëherë meritonte të dorëzohej.
Nëpër mitingjet e përditshme të Vlorës fjala “revolucion” kishte nisur të bëhej e adhuruar, gjithandej e shumë shqiptuar. Ndërkaq asnjë grumbullim njerëzish nuk përfundonte pa shpallur se klasa feudale e shfrytëzonte shumë popullin dhe se këtij të fundit i kishte ardhur ora të kërkonte shpagim.
Pasi mjaft vullnetarë të lidhur me opozitën qenë shpërndarë nëpër fshatra me qëllim që të tërhiqnin sa më tepër pjesëmarrës në ceremoninë e varrimit, të nisur me një anije të shpejtë, disa të tjerë patën zbarkuar në Durrës. Dëshironin ta fillonin që aty pritjen e heroit të tyre.
Bashkia e Vlorës, ndërkaq, po kryente të gjitha punimet e nevojshme për varrin e të ndjerit. Ai do të ndodhej në kryqëzimin e rrugës Skelë-Kaninë, para barakës së teatrit dhe kinemasë “Përparimi”, në një lëndinë të vogël trekëndëshe. Mbi të, në rastin më të parë, do të ngrihej edhe një përmendore e madhe.
Një vapor jugosllav mban trupin e Avniut
Atë 28 prill, në Tiranë, edhe pse zgjati, ceremonia funebre gjithsesi vijoi e qetë dhe mjaft protokollare. Nga folësit deputeti Bedri Pojani përfaqësoi Kosovën, Ali Këlcyra djalërinë shqiptare dhe Fuat Asllani organizatën “Bashkimi”.
Fan Noli heshti përzishëm.
Përreth arkivolit qëndronin në shenjë nderimi gjashtë deputetë, gjashtë anëtarë të Bashkimit dhe po kaq oficerë. Binin në sy të shkruara në një banderolë të madhe fjalët “AVNIU DËSHMOR IDEAL I TIJ GJALLË”.
Pas fjalimeve trupi i Avni Rustemit, i stolisur me lule dhe i rrethuar nga shumë kurora, u nis drejt rrugës së Durrësit.
Ai qe futur në një tabut të posaçëm.
Brenda njëri-tjetrit qenë dy arkivole. I madhi ishte i zakonshëm, i dyti krejtësisht i mbyllur hermetikisht, i plumbosur. I ndjeri gjendej këtu. I shihej qartë poshtë një xhami koka dhe një pjesë e bustit. Fytyra e Avni Rustemit, me mustaqet nën hundë dhe flokët e shkurtër, shihte si njeri që ende po flinte. Qe mbuluar me qefin dhe trupi i ishte vendosur sipas rregullave të rrepta myslimane. Duart i mbante të kryqëzuara mbi bark.
Mbi gjoks i rrinte shumë dukshëm një flamur i vogël kuq e zi. Pranë arkivolit qëndronte po ashtu edhe ena me zemrën e tij.
Ende i shoqëruar nga mijëra njerëz, në të dalë të Rrugës së Durrësit tabuti i posaçëm u vendos në një automobil special, i gjithi i veshur me cohë të zezë. I ndjekur nga shumë makina të tjera kortezhi u nis ngadalë drejt qytetit-port.
Pasi edhe në Durrës u mbajt mitingu i përmortshëm, dopio arkivoli me trupin e të ndjerit hipi në anijen “Beogradi”. Rrugën e lundrimit e mori me në direk flamurin jugosllav dhe atë shqiptar.
Kur bashkë me zemrën e ruajtur në formalinë vapori i vogël doli në det të hapur, pastaj mori ngadalë drejt jugut vijën e buzëbregut, nga Vlora kishte njëzetë e katër orë që dy eksponentë të opozitës, Shefqet Korça dhe Riza Cerova, patën mbërritur në qytetin e Përmetit. Atje qenë takuar menjëherë me komandantin e garnizonit, Kasëm Qafëzezin. Biseduan në se ky dhe njësia e tij ushtarake ishin të gatshëm të bashkoheshin me një veprim që tashmë dukej i pashmangshëm: një revolucion kundër bejlerëve.
U ra dakord shumë shpejt. Garnizoni i Përmetit jo vetëm mes oficerëve, por edhe në radhët e ushtarëve, kishte mjaft antifeudalë. Po ashtu marrëdhëniet mes të dy palëve, eprorë dhe vartës, qenë jo fort të ngrira nga rregullat e disiplinës formale. Ishin të ngrohta dhe liberale.
Pasi u bë marrëveshja, Kasëm Qafëzezi thirri një komandant toge dhe e ngarkoi të merrte ushtarët e tij për t’u nisur pa u vonuar për në Vlorë. Detyra e tij e parë qe të ishte pjesëmarrës në varrimin e Avni Rustemit. Kur shkoi tek toga dhe u komunikoi detyrën e porsadhënë, por gjithsesi shtoi se cili nuk dëshironte mund të tërhiqej e rrinte në kazermë, të gjithë ushtarët dolën vullnetarë.
Vlora, kryeqyteti i ri
Vlora qe shndërruar në një pol magnetik, thëthinte kureshtje, ambicie politike dhe shpirt aventure. Këtu njëri pas tjetrit filluan të mbërrinin të dërguarit e posaçëm të qyteteve të tjerë, të ngarkuar të merrin pjesë në funeral. Kishin sjellë me vete edhe kurora të mëdha me lule. Binte mjaft në sy ajo nga Shkodra.
Tashmë përherë e më shumë Avniun e quanin “dëshmori i opozitës”.
Arkivoli mbërrin në qytetin e pavarësisë
Pas udhëtimit nëpër det arkivoli me trupin e balsamosur të Avni Rustemit si edhe zemrën në formalinë zbritën në molin e qytetit në 29 prill, rreth mesditës.
Flitej se varrimi do të kryhej në datën tridhjetë, por të tjerë shpreheshin të sigurt se ceremonia përfundimtare do të mbahej në 1 maj.
“Është festa e punëtorëve”, pati shpjeguar shpejt e shpejt këtë mundësi të fundit dikush. Pastaj kishte shtuar se qe koha e vdekjes së shfrytëzuesve, e të gjithë feudalëve dhe borgjezëve. Gjithçka që tha e mbylli më në fund me fjalën “revolucion”. Gjithkund flitej se tashmë në Vlorë patën ardhur posaçërisht për këtë të pazakonshme afro dhjetë mijë vetë
Trupi i Avniut u vendos mbi katafalk në mes të dhomës mortore të bashkisë që atë pasdite të 29 prillit. Gjithçka përreth qe e veshur me ngjyrë të zezë. Në të majtë rrinin prindërit e të ndjerit. Dallonte fort pikëllimi i të atit. Në skajet e arkivolit të mbushur me lule, në shenjë nderimi, qëndronin katër vetë. Këta herë pas here ndërroheshin, të pikëlluar, por më shpesh të zymtë.
Ndërkohë radha e njerëzve që bënin homazhe nuk kishte të këputur. Në sallë, bashkë me erërat ngacmuese të esencave dhe të lule dafinave, ndihej një gulçim i madh. Përveç dënesave dëgjoheshin herë pas here mallkime kundër dorës tradhtare. Kur takoheshin me prindërit e Avni Rustemit shumë shpërthenin në vaj”.
Redaksia online
a.n shqiptarja.com