Shqiptarët që paguajnë një darkë 1400 $ dhe ata që mbijetojnë me më pak se 2 USD në ditë

Shqiptarët që paguajnë një darkë 1400 $ dhe ata që mbijetojnë me më pak se 2 USD në ditë

Foto ilustruese

Kur gjysmën e trupit e ke në frigorifer dhe gjysmën tjetër në furrën e sobës, temperatura mesatare e trupit është 36.5 gradë Celsius. Normale si temperaturë, por gjendja e trupit është tejet anormale. Kjo është një metaforë, ekzagjeruar enkas në ekstrem, që përdoret nga ekonomistët për të stigmatizuar shoqëri me kontraste të forta mes të pasurve e të varfërve.

Po të bazohesh në treguesit mesatarë të ekonomisë shqiptare të dekadës së fundit (gjatë së cilës vendi është qeverisur nga Berisha dhe Rama), mund të thuhet me plot gojën se, gjendja është përmirësuar ndjeshëm për shoqërinë. Kështu, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë dhe të ardhurat e disponueshme për frymë (bazuar në të dhënat e Bankës Botërore), janë rritur rreth 40% në periudhën 2007-2017. Por këtu bëhet fjalë për shifra mesatare për frymë. Dhe mesatarja, si tregues, ka problemin e ilustruar nga metafora e mësipërme…

Kështu për shembull, PBB-ja për frymë (pas zhveshjes nga tatimet e taksat që grumbullon shteti), ishte rreth 2600 dollarë në 2007-ën dhe arriti në 3600 dollarë në 2017-ën. Por pyetja është, nëse kjo rritje u shpërnda në mënyrë proporcionale në shtresat e ndryshme të popullsisë.

Sipas INSTAT-it, gjysma e familjeve shqiptare kanë aktualisht të ardhura mujore nga 50 deri në 450 dollarë në muaj (që përkthehet në 150-1400 dollarë për frymë në vit). Ndërkohë, disa shqiptarë të pasur mund të shpenzojnë 1400 dollarë vetëm për një darkë luksoze (ndër të shumtat darka luksoze të tyre). Për të mos folur këtu për 14% të shqiptarëve që mbijetojnë me MË PAK SE 2 dollarë në ditë!

Në vendet e zhvilluara nuk preferohet si tregues mesatarja e të ardhurave për frymë, por mediana. Mediana është pika që ndan përgjysmë popullsinë – gjysma me të ardhura më të larta e gjysma tjetër me të ardhura më të ulëta. Dhe sa më afër të jetë mediana me mesataren, aq më simetrike është shpërndarja e të ardhurave në një shoqëri.

Siç e përmenda më sipër, mediana e të ardhurave në Shqipëri, është sot rreth 1400 dollarë për frymë në vit, ndërkohë që mesatarja është 3600 dollarë. Por në qoftë se faktorizohet inflacioni i dekadës së fundit, rezulton se mediana ishte më e lartë para 10 vjetësh. Nga ana tjetër, mesatarja është sot ndjeshëm më e lartë se para dhjetë vjetësh, sepse të pasurit kanë përfituar në mënyrë eksponenciale, ndërkohë që të ardhurat e të varfërve janë ulur (po të faktorizohet inflacioni). Gjë që tregon se pabarazia mes të pasurve dhe të varfërve, është rritur ndjeshëm në dekadën e fundit.

Në qoftë se 1000 familjet më të pasura shqiptare kanë sot të ardhura disafish më të mëdha se para 10 vjetësh (ndërkohë që familjet e tjera kanë një rritje më të vogël se inflacioni), është normale që të rritet mesatarja e të ardhurave për frymë, por të ulet mediana. Aktualisht, diferenca mes mesatares dhe medianës së të ardhurave personale në Shqipëri, është ndër më të mëdhatë në botë.

Dhe kjo diferencë gjigante mes mesatares dhe medianës na tregon se, Shqipëria ka nevojë për një revolucion politik. Jo të natyrës marksiste ose fashiste, por një revolucion që do të nxirrte në krye një forcë të re politike, e cila do të krijonte kushte vërtet të barabarta në treg për të gjithë – jo vetëm për biznesmenët korruptivë dhe kriminelët, që janë pasuruar gjatë pushtetit të PD-së e PS-së.

Rotacionet politike të 2005-ës dhe të 2013-ës, ishin të mirëpritura nga pikëpamja e normalitetit demokratik, sepse shteti shqiptar kishte njohur vetëm rotacione pushteti traumatike në 90 vitet e para të ekzistencës së tij. Por një rotacion normal në vitin 2021, pavarësisht se do të rikonfirmonte normalitetin e rotacioneve, nuk do të shëronte sëmundjen e medianës. Fatkeqësisht, bizneset korruptive dhe grupet kriminale që lulëzuan në kohën e Nanos dhe që u fuqizuan në kohën e Berishës dhe të Ramës, ka shumë gjasa të vazhdojnë të fuqizohen në një kohë të ardhshme të Bashës (nëse do të ketë një kohë të tillë).

Me fjalë të tjera, gjysma e familjeve shqiptare do të kenë më pak të ardhura reale se sa sot, ndërsa gjysma tjetër do të ketë edhe më shumë se sa sot. Për të mos folur për njëpërqindëshin e familjeve super të pasura, të cilat mund të shpenzojnë për qenin ose macen e tyre, më shumë se sa shpenzon një familje e varfër për fëmijët e saj…

Duke u kthyer te revolucioni politik, është e kuptueshme që fjala “revolucion”, është shumë e thjeshtë për t’u shkruar në letër, por shumë e vështirë për t’u materializuar në një shoqëri të prapambetur si e jona. Mund të duhen 200-300 njerëz të përndritur e të guximshëm, për ta nisur revolucionin politik, por është e vështirë që ata të bëhen bashkë. Sidoqoftë, në qoftë se bëhen bashkë dhe e nisin revolucionin, PS-ja, PD-ja, LSI-ja etj., mund të mbeten thjesht relike në muzeun e tranzicionit…/AFP/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • idiferenti: 08/10/2018 18:38

    dhe ju analistet na dolet me plera nga politikanet jeni ca servila frikacak e indiferente hyyyy

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim