Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka bërë me dije vendimet në bazë të raundit të fundit të futbollit në vend. Trajneri i Vorës, Arjan Bellaj, për shkak të kartonit të kuq që mori pas konfliktit me sulmuesin e Partizanit, Gudjufi, do mungojë dy ndeshje në stolin e ekipit të tij.

Kapiteni i Teutës së Durrësit, Blerim Kotobelli do vuajë vetëm dy javë dënim, paçka se është me katër të tilla, por durrsakët pritet të shlyejnë gjysmën e pezullimit me pagesë. Për Kotobellin ka një kush që mos përsëritet sjellja josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes në gjashtë muajt që vijnë.

Vendime nga disiplina kishte edhe për dy zyrtarë të Ilirisë së Fushë-Krujës.

Vendimet e plota:

1. Zyrtari i KF Vora, Arjan Bellaj, për sjellje josportive ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/b të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

2. Lojtari i KF Teuta, Blerim Kotobelli, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë. Në aplikim të neneve 34/1 dhe 34/3 të KDE, vendoset pezullimi i pjesshëm i zbatimit të dënimit pas shlyerjes së gjysmës së tij. Periudha e pezullimit me kusht do të jetë 6 (gjashtë) muaj.

3. Pranimin e kërkesës së zyrtarit të KF Iliria U-17, Jomels Selmani, bazuar në nenet 67 dhe 74 të KDE, rishikimin e Vendimit Nr. 21, datë 13.01.2026 të KDE për pikën 9, duke mbyllur procedimin disiplinor ndaj tij.

Dënimin e zyrtarit të KF Iliria U-17, Bledar Dërvishi, për aktivizimin e një lojtari që nuk kishte të drejtë të luante, bazuar në nenin 19/4/b të KDE, me 6 (gjashtë) muaj pezullim nga aktiviteti.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.