Diskutimi te ‘Ligjet’ për punën e Prokurorit të Përgjithshëm, Xhafaj: Mënyra e sjelljes me të miturit në një çështje penale, duhet ndryshuar urgjentisht

Situata e krijuar në gjyqësorin shqiptar nga bojkoti i avokatëve, u diskutua në komisionin e Ligjeve, ku ish-ministri i drejtësisë, tashmë në cilësinë e deputetit të Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj, lëshoi kritika të forta ndaj KLGj e KLP për mosreagimin e tyre. Dy javë pa gjyqe për Xhafajn janë të papranueshme, ndaj edhe këto institucione duhet të shtojnë presionin ndaj Dhomës së Avokatisë.

“Marrëdhëniet ndërinstitucionale mes Prokurorisë së Përgjithshme-KLP-KLGJ e më gjerë paraqiten problematike. Duhet të vëmë theksin tek parandalimi i krimit tek të miturit dhe të rinjtë. I kapin fëmijët me hashash, i fusin në polici me orë të tëra në procese penale. E kuptojmë çfarë po bëjmë, lëmë gjurmë në memorien e tyre, po tek prindërit? Për të ardhmen e tyre. Një pjesë e veprave penale në prokurori sot janë fiktive. Kanë qëllime të tjera prokurorët, deri diku edhe korruptive. Do të doja të forcohet pika që ka të bëj me një sistem të integruar elektronik. Ne sot nuk dimë sa është vlera, nëse s kemi një sistem të unifikuar të të gjithë institucioneve penale, nga policia e në gjykata, nuk mund të flasim për efikasitet, performancë, llogaridhënie e politika serioze në këtë fushë”, tha ai.

Ndërsa deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, tha se nuk e kupton kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për më shumë ndikim tek prokurorët e tjerë, ndërkohë që reforma në drejtësi kishte si synim pavarësinë e prokurorit të çështjes.

“Kur u bë reforma në drejtësi, një nga synimet e saj ishte dhënia e pavarësisë për prokurorin e çështjes. Mund të ketë qenë synim i mirë në atë kohë, por sot Kryeprokurori ankohet dhe thotë nuk kam mekanizma për të kontrolluar. Ai pretendon se nuk i binden prokurorët, nuk ka mjete, nuk ka instrumente. Nuk di ta them cila do të ishte zgjidhja, por sipas tij, duhej të bëheshin ndryshime ligjore. Nuk e shoh të pasqyruar as çështjen dhe as rekomandimin. Rreziku është që vitin tjetër në këtë kohë të dëgjojmë tek kryeprokurori të njëjtat fjalë, nuk më binden prokurorët apo nuk kam instrumente në dorë. Në një afat kohe të caktuar, ato nevoja që ai ka, ti sjell pse bëhet kjo, për t’i hequr justifikimet dhe alibitë, në mënyrë që të bëj punën”, tha Alibeaj.

Në kërkesat e parashtruara nga Alibeaj ishin edhe pavarësia që duhet të ketë SPAK për të hetuar çështje sensitive. SPAK, sipas tij, duhet të mbyllë sa më shpejt hetimet për disa çështje të bujshme, duke përfshirë inceneratorët, çështjen “Bechetti” dhe koncesionet në shëndetësi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:31
Debat për SPAK te 'Ligjet'/ Alibeaj: Të ndalohet ndërhyrja e politikës! Majko: E kemi kaluar pak cakun, por nuk duhet të akuzohet qeveria

 

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, debatoi me ish-ministrin dhe deputetin socialist, Pandeli Majko teksa diskutohej veprimtaria e SPAK në Komisionin e Ligjeve.

Alibeaj kërkoi të futej në draft për vitin 2022 edhe propozimi që të ndalohej rreptësisht ndërhyrja e politikës te SPAK. Sipas tij, Rama dhe Manja kanë ndërhyrë, por tundimit për të ndërhyrë thotë se nuk i shpëtoi as Majko. Ndërsa deputeti Pandeli Majko tha se e kupton që ka kaluar caku por  sipas tij, nuk mund të akuzohet qeveria pse bën deklarata.

"Është e qartë që pastrimi i parave është ndër gangrenat më të mëdha që ky vend ka. Ndaj do duhet t’i përcillet SPAK, sepse pastrimi i parave i ngritur në piedestal, pra i kryer nga krimi i organizuar, është një gjë faktike tashmë. Ndaj dhe kjo gjë do duhet hetuar nga SPAK. Inceneratorët, çështja Beccheti, koncesionet në shëndetësi, duhet të hetohen nga SPAK.

Duhet ndalur ndërhyrja e politikës te sistemi i drejtësisë, si Rama, ministri i drejtësisë, dhe fatkeqësisht nuk i shpëtoi tundimit të ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë edhe Majko. Duhet ndaluar me forcë kjo ndërhyrje. Unë e di që drejtësia nuk ka gojë të flasë e të bëjë replikë me politikën, por në situata të tilla, të paktën njëherë në vit, kur ata vijnë e raportojnë, t’ua krijojmë ne mundësinë, që sa herë goditen drejtpërdrejtë apo dikush do t’i udhëzojë si të kryejnë detyrën, ata të kenë të drejtën që publikisht të reagojnë. Do të hiqte cfarëdolloj pështjellimi, që do t’i shqetësonte në punën e tyre. Unë besoj se do t’i dalin për zot punës, nëse do të përgjigjen, në të kundërt rreziku do të jetë i madh, ku do të krijohet përshtypja që presioni i kryeministrit e ka bërë punën dhe ata heshtin", tha Alibeaj.

"I vlerësoj gjitha propozimet e kolegut. I kërkoj t’i cojë me shkrim pranë Sekretarisë. Por i lutem të shikojë dhe raportin e Kuvendit në strukturën e drejtësisë. Nuk është më ajo marrëdhënie që kemi pasur, është krejt tjetër. Edhe unë vetë jam i vetëdijshëm që e kemi kaluar pak cakun. Për të bërë rekomandime, që të akuzohet qeveria, kryeministri apo ministri i Drejtësisë, mendoj se do keni mirëkuptimin maksimal që nuk mund të detyroni një mazhorancë të shprehet, megjithatë keni të drejtën tuaj të bëni propozime. Deri më sot nuk ekzistojnë eksperienca të tilla", tha Majko.

K.T./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sot Kukësi sfidon Egnatian në finalen e Superkupës, rrogozhinasit kërkojnë 'tripletën'

Sot Kukësi sfidon Egnatian në finalen e Superkupës, rrogozhinasit kërkojnë 'tripletën'