Klima politike në vend ka pezulluar edhe punën e reformës zgjedhore. Komisioni i posaçëm për këtë çështje është ngritur në tetor por nuk është mbledhur më e nuk ka pasur asnjë produkt, pasi marrëdhënia mes mazhorancës dhe opozitës është konfliktuale dhe palët nuk ulen bashkë, as për një reformë tjetër që e kanë në tryezë, atë territoriale
Këshilluesit kryesorë në këtë fushë, diplomatët e OSBE-së, kërkojnë që deputetët t’i rikthehen punës, për të zbatuar rekomandimet e ODIHR.
“Rekomandimet e ODIHR janë për të përmirësuar ligjin e zgjedhjeve, dhe këtu inkurajojmë punën e komisionit për reformën zgjedhore. Shpresojmë shpejt të fillojë punën e tij. Puna e tij është shumë e rëndësishme, sepse ka disa probleme të lidhura me ligjin zgjedhor që sipas nesh nuk është akoma aty ku duhet të jetë. Ky është rekomandim i vazhdueshëm i misionit të ODIHR”, tha Michel Tarran.
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë është i bindur se palët politike janë të vetëdijshme për detyrat e shtëpisë.
“Më duket se kësaj here mesazhin e ODIHR e kanë lexuar dhe partitë politike. Sa i përket debatit politik, ne nuk përfshihemi. Por të gjitha partitë politike janë dakord që ligji zgjedhor duhet të ndryshojë”, tha Tarran.
Në raportin përfundimtar, ODIHR kërkoi që të komisionerët dhe numëruesit e votave të mos jenë më partiakë, si dhe të merreshin masa që burimet shtetërore të mos përdoreshin për fushatë.
Komisioni i reformës që bashkë drejtohet nga Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi është bllokuar që në nisje, ndërsa palët nuk ja dolën që të miratonin as ligjin e parë në planin e punës, atë për financimin e partive, edhe pse BE na e kërkoi që në dhjetor.
Komente











