Dita e Dëshmorëve në Tiranë...pa makina! (AKTIVITETET)

Krahas ceremonisë përkujtimore në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”, më 5 Maj në Tiranë do zhvillohet edhe dita pa makina. Rrugët e kryeqytetit do të jenë pa makina për t’ia kushtuar të gjithë hapësirën këmbësorëve, ndërsa Bashkia e Tiranës ka organizuar aktivitete për të gjitha grupmoshat.

Drejtoresha për Rininë në Bashkinë e Tiranës, Aspasjana Kërxhalli ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që të bëhen pjesë e aktiviteteve festive në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Sheshin “Nënë Tereza”, Sheshin “Skënderbej” dhe në Parkun e Liqenit Artificial.

“I ftojmë të gjithë qytetarët e Tiranës të bëhen pjesë e “Ditës pa makina” sepse do të ketë një sërë aktivitetesh. Ato do të përqendrohen në Sheshin “Skënderbej”, për të vijuar përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek Sheshi “Nënë Tereza”, dhe në Parkun e Liqenit. Në sheshin “Skënderbej” do ketë një koncert nga kori i Liceut Artistik, panairi i organizatave rinore, panairi i librit, kurse në lulishten para bashkisë do të mbahet ceremonia e vendosjes së pikturave të partizanëve, ndërkohë që sërish në shesh do të jetë një zonë kushtuar fëmijëve”, tha Kërxhalli.

Një vend të veçantë do të zërë edhe panairi i bujqësisë para Ministrisë së Bujqësisë, ku qytetarët mund të njihen me disa nga produktet e zonës, e për të vijuar më tej me panairin e operatorëve turistikë. Ndërkaq, në parkun “Rinia” zhvillohet finalja e lojërave olimpike për shkollat 9-vjeçare, duke vijuar përgjatë gjithë bulevardit me aktivitete të ndryshme sportive, volejboll, basketboll, kalceto, ping-pong etj.

Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe Sheshin “Nënë Tereza” do të zhvillohet edhe Panairi i antikuarëve të Tiranës, ndërsa do të ketë edhe një ceremonial i skulpturave të Partizanëve. Gjithashtu, është menduar një program i pasur artistik, ku nuk do të mungojë Kori i Shkollave të Mesme, shfaqja e filmave të vjetër shqiptarë me temë nga LANÇ etj.

“Do ketë një performancë nga  balerinë profesionistë, ku subjekti i kërcimit të tyre do t’i dedikohet Luftës Nacional-Çlirimtare. Përgjatë gjithë sheshit “Skënderbej”, por edhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do ketë ekrane me filmat që i dedikohen Luftës së Dytë Botërore dhe asaj Nacional-Çlirimtare. Në një skenë të vendosur përpara Kryeministrisë do të performojë Ansambli Kombëtar i dancit sportiv. Ndërkohë, në të gjitha lulishtet e Tiranës do të ketë grupime me këngë partizane, një formë improvizimi me studentët e Akademisë së Arteve dhe Liceut Artistik. Nuk do të mungojë as muzeu i hapur dedikuar luftës së Dytë Botërore”, tha Drejtoresha për Rininë në Bashkinë e Tiranës.

Tek Pallati i Kongreseve do të jetë e vendosur një tjetër skenë, për korin e Liceut Artistik e dirigjuar nga dirigjentja e mirënjohur Suzana Turku. Në këtë 5 Maj, në Sheshin “Nënë Tereza” mbahet Panairi i Ushtrisë, ku do të ekspozohen disa nga asetet e Forcave të Armatosura, përkatësisht të Forcës Ajrore, të Forcës Tokësore, të Forcës Detare, gomone dhe polumbarë, e mjete të tjera të detarisë.

Për të garantuar mbarëvajtjen e aktiviteteve të shumta dhe për t’i dhënë mundësi qytetarëve që të festojnë qetësisht, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit, ka marrë të gjitha masat për kufizimin e qarkullimit të automjeteve në disa prej rrugëve.

Shefi sektorit të kontrollit të territorit, në Bashkinë e Tiranës, Toni Beni u bëri thirrje gjithë drejtuesve të automjeteve që nesër të lënë automjetet e tyre në shtëpi, teksa sqaroi edhe akset ku do të kufizohet qarkullimi.

“Ditën e diel do të ketë një bllokim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke filluar nga sheshi “Skënderbej” deri në sheshin “Nënë Tereza”. Nga ora 8:00 e mëngjesit, deri në orën 17:00, ky shesh do të jetë i bllokuar për lëvizjen e makinave. Gjithashtu, edhe rrugët ndërlidhëse, ose që ndërpresin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të jenë të bllokuara. Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, do të marrin masa edhe në lidhje me sigurinë e aktiviteteve”, deklaroi Toni Beni.

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Naimi: 04/05/2019 14:42

    Me falni eshte dite perkujtimore 5 Maji apo dite feste

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja