Dita e dytë e shtetrrethimit! Më pak makina se dje në qarkullim! Nga dje, 754 shoferë të ndëshkuar! 5 arrestohen se ishin tapë

TIRANË- Sot është dita e dytë e shtetrrethimit, një vendim i marrë për të parandaluar një bilanc më të rënduar të personave të infektuar. Ndryshe nga një ditë më parë, me një vëzhgim me sy të lirë rreth orës 07:00:-08:00, orar ky i shumë personave që shkojnë në punë, kishte më pak lëvizje të makinave, kryesisht ato me logo. Policia ka dalë në terren me disa postoblloqe të ngritura në pikat më kryesore të qytetit për të bërë kontrollin e automjeteve private që nuk kanë marrë autorizimim për të lëvizur!

Nga dita e djeshme deri sot janë 754 shoferë "të pabindur", teksa 5 të tjerë janë arrestuar se ishin 'tapë' në makinë.  Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se shoferët që thyejnë këtë urdhët do t'u merret patenta dhe nuk do të mund të rinis autoshkollën për disa vite. Me një vendim të marrë ditën e djeshme, për shkak se disa qytetarë nuk po respekton vetëkarantinimin në shtëpi, janë mbyllur gjithashtu në të gjithë Shqipërinë deri më 3 prill lokalet, restorantet dhe fast-food.

Deri më tani në Shqipëri janë konfirmuar 32 të infektuar, mes tyre edhe mjeku i parë në Durrës që pati kontakt me viktimën, 73-vjeçare. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:52
Pas mesazheve, Policia merr një e nga një në telefon të gjithë të ardhurit nga zonat e prekura: Vetëkarantinohu ose ndëshkoheni

Të gjithë ato që kanë hyrë në Shqipëri janë identifikuar dhe përveç se u është dërguar një sms në celular, ato janë telefonuar një e nga një nga Policia e Shtetit. Atyre u bëhet e ditur se duhet të vetëkarantinohen, në të kundërtën do të ndëshkohen.

"Policia e Shtetit ka identifikuar të gjithë qytetarët që kanë hyrë ditët e fundit nga shtetet e prekura nga COVID-19. Për të parandaluar përhapjen e virusit, këta qytetarë duhet të vetëkarantinohen për 2 javë. Policia e Shtetit po telefonon çdonjërin nga këta qytetarë, duke u kujtuar përmbushjen e detyrimit, në të kundërt do të përballen me masa ligjore", shkruan Policia e Shtetit.

Ora 11:06
'Binden' vlonjatët! Mbyllin bizneset! prefekti: Nëse nuk e zbatojnë do gjobiten

Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj ka bërë me dije se deri më tani është respektuar urdhri për të mbyllur të gjitha bizneset që bëhen shkak për grumbullimin e njerëzve. Nga kontrollet e deritanishme në terren, rezulton bizneset ta kenë zbatuar një urdhër të tillë, në të kundërtën bizneset do të gjobiten ose të mbyllen.

"Janë marrë të gjitha masat për të mbajtur në kontroll situatën në të gjithë qarkun. Ne po punojmë me Inspektoratin Shëndetësor, me të gjitha bashkitë për të mbyllur të gjitha lokalet, restorantet dhe njësitë e shërbimit që bëhen shkak për grumbullimin e njerëzve Deri në këto momente na rezulton që është zbatuar urdhri. Mbyllje të aktivitetit  nuk diskutohen, kanë filluar gjobat se urdhri ka dy ditë në zbatim, po bëjmë të gjitha përpjekjet maksimale për të zbatuar të gjitha urdhëresat e marra", tha prefekti.

Ora 10:41
Në Berat të moshuarin shijojnë diellin në distancë nga njëri-tjetri! Në Korçë qetësi, si asnjëherë tjetër

Në Berat të moshuarit kanë dalë në parqe duke shijuar motin e ngrohtë, por ndryshe nga sa kemi parë dje, ato kanë një distancë nga njëri-tjetrin. Ndërkohë në edhe në Korçë është qetësi! Ky qytet është shembull edhe për vendet e tjera, pasi u janë bindur urdhrave të marra me qëllim ndalimin e një bilanci më të rënduar të të infektuarve.

Ora 10:07
Në doganën e Muriqanit asnjë lëvizje!

Në doganën e Muriqanit, asnjë lëvizje. Pas vendimit për mbylljen e kufirit Shqipëri- Mal i Zi, ashtu sikurse pritej është qetësi maksimale.

Ora 10:00
Në Vlorë qetësi maksimale

Qetësi maksimale është në Vlorë! Pas vendimit të djeshëm, të gjitha bizneset janë mbyllur, teksa në rrugë qarkullojnë vetëm qytetarët në këmbë dhe shumë pak makina.

Ora 09:53
Koronavirusi/ Lezha e 'bindur' edhë në ditën e dytë të shtetrrethimit

Lezhjanët vijojnë t'i binden urdhrit të autoriteteve për të mos lëvizur.  Në ditën e dytë të karantinës, rrugët dhe trotuaret janë të boshatisura.

Gjatë ditës së sotme janë mbyllur të gjitha lokalet. Në rrugë ndodhen policia dhe ushtria të cilët po ndalojnë të gjitha automjetet që lëvizin pa autorizim.

Ora 09:02
Thyen shtet-rrethimin, shkon në 754 numri i shoferëve të ndëshkuar! 5 arrestohen se ishin 'tapë' në makinë

Në dy ditë shtet-rrethim, 704 drejtues mjetesh janë ndëshkuar pasi kanë thyer urdhrin që i ndalonte ato të lëviznin me automjete private në rrugë. 5 shoferë janë arrestuar sepse jo vetëm se po qarkullonin me makinë, në një kohë që është e ndaluar, por ishin në gjendje të dehur, teksa në Shkodër 3 janë proceduar se nuk iu bindën urdhrit të policisë. Ligji parashikon që ndaj këtyre shoferëve "të pabindur" të dënohen me gjobë nga 1000-4000 lekë, ose heqje patente për një periudhë 6 muaj, ndonëse kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa edhe më drastike.

Njoftimi i plotë i policisë
Vijon monitorimi i rrugëve urbane dhe interurbane, për zbatimin e urdhrit për ndalimin e qarkullimit të automjeteve.

Shkon në 745 numri i drejtuesve të automjeteve, të ndëshkuar me masë administrative. Vihen në pranga 5 drejtues mjetesh, në Tiranë, Lushnjë, Fier, Vlorë e Elbasan, të cilët në kundërshtim me urdhrin dhe në gjendje të dehur qarkullonin në rrugë, si dhe një drejtues mjeti në Shkodër për kundërshtim me dhunë ndaj punonjësit të rendit publik. Gjithashtu, procedohen edhe tre drejtues mjetesh në Shkodër, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë. 

Shërbimet e Policisë vijojnë  pa ndërprerë monitorimin e rrugëve urbane e interurbane, për zbatimin e  masave shtesë, për të mos lejuar qarkullimin e mjeteve, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. Në këtë kuadër, prej orës 06:00 të datës 13.03.2020, deri në orën 06.00 të datës 14.03.2020, janë ndëshkuar me masë administrative sipas parashikimeve të nenit 7, paragrafi 12 i Ligjit Nr. 8378, datë 22.07.1998, Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë (i ndryshuar), 745 drejtues mjetesh, të cilët nuk kanë respektuar urdhrin e dhënë për ndalim qarkullimi të automjeteve, në qytetet Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Elbasan, Lezhë e Shkodër.

93 drejtues mjetesh u shoqëruan në ambientet e Komisariateve të DVP-ve,  pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë për masën administrative, për  thyerjen e urdhrit për ndalim qarkullimi të automjeteve dhe këtyre drejtueseve iu bllokuan edhe automjetet. Ndërkohë, në Tiranë nga Specialistët e Policise Rrugore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N.M., 32 vjeç, pasi në rrugën " E Kavajës"u kap duke drejtuar automjetin tip "Opel" në kundershtim me Telegramin Nr.2013 date 12.03.2020 si dhe ne gjendje të dehur në masën 1.11 mg/l.

Në Vlorë, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin M. Rr., 31 vjeç, pasi u kap në aksin rrugor “Osman Haxhiu", Vlorë, duke drejtuar automjetin tip "Fiat Punto", në gjendje të dehur. Në Fier, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin E. H., 31 vjeç, pasi në vendin e quajtur "Vija e ngjalës", ky shtetas u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.  Në Lushnjë, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin L. V., 41 vjeç, pasi në aksin rrugor Lushnjë-Rrogozhinë, është kapur duke drejtuar automjetin tip "Opel" në gjendje të dehur.Ndërsa në Elbasan, specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rrugore, arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 53 vjeç, , pasi në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, ky shtetas u kap duke drejtuar automjetin tip "Fiat Punto", në gjendje të dehur, në masën 0.68 mg/l.

Po në vijim të monitorimeve dhe kontrolleve, në Shkodër, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Gj. D., 45 vjeç, , pasi në aksin rrugor Zogu i Parë-Sheshi Parrucë, Shkodër, u kap duke drejtuar mjetin tip Benz, në kundërshtim me urdhrin, si dhe ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë për masën administrative.  Gjithashtu, po gjatë monitorimit, në Shkodër janë proceduar në gjendje të lirë tre shtetas të tjerë, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë̈ së rendit publik”.

Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë kufizimin e lëvizjes me mjete, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, pasi në të kundërt do përballen me sanksione të përshkallëzuara ligjore sipas normave te përcaktuara ne Kodin Rrugor Shqiptare.

Ora 08:56
Koronavirusi/ Edhe Fieri i bindet urdhrave kufizuese

Rrugë të zbrazëta sot në rrugët e Fierit. Sot pothuajse nuk ka lëvizje, jo vetëm në automjete por edhe qytetarë. Masat e marra nga policia duke filluar nja gjobat dhe shoqërimet kanë dhënë efekt. Pedonalja është e zbrazur nga të gjithë dyqanet apo lokalet. E njëjta panoramë edhe në qendër të Fierit.

Ora 08:50
Lushnja ende në 'gjumë', i gjithë qyteti në vetëkarantinë

Edhe në qytetin e Lushnjes mëngjesi ishte mjaft i qetë. Në rrugë shihen vetëm disa qytetarë me biçikleta dhe shumë pak automjete, disa me autorizim ndërsa disa të tjera që janë ndëshkuar pasi kanë dalë pa justifikim.

Të gjitha njësitë e shërbimit që i detyron ligji të mbyllen, ditën e sotme nuk janë hapur. Hapur janë vetëm furrat e bukës, farmacitë dhe marketet e supermarketet. Në Lushnje është infektuar me koronavirus një i moshuar i cili nuk është në spital, por në vetëkarantinë.

Ora 08:30
Kukësi në 'karantinë' Gjici video-mesazh nga shtëpia qytetarëve: Mos dilni nga shtëpia, respektoni rregullat

I gjithë Kukësi sot zyrtarisht është futur në karantinë. Të gjitha lokalet e baret janë mbyllur, pas vendimit të mbrëmshëm për t'i mbyllur në të gjithë Shqipërinë deri më 3 prill.  Të hapura janë furrat e bukës, farmacitë dhe disa markete.

Në rrugë janë patrullat e policisë dhe të ushtrisë për të verifikuar nëse ka automjete që dalin pa autorizim. Shumë pak qytetarë lëvizin në rruge po ashtu edhe makinat. Nuk lejohet të lëvizë asnjë automjet tjetër i paautorizuar dhe jashtë rregullave të paracaktuara për këtë periudhë. Kryetari i bashkisë Safet Gjici ka ripërsëritur apelin për qytetarët e Kukësit për të zbatuar këshillat që jepen nga Ministria e Shëndetësisë.

Në një videomesazh, nga shtëpia e tij, Gjici kërkoi zbatim rigoroz edhe të masave shtrënguese që rrjedhin nga urdhri për ndalimin e plotë të qarkullimit të mjeteve dhe qytetarëve, duke dhënë shembullin e tij për qëndrimin në shtëpi në këto ditë të vështira.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Populli: 14/03/2020 11:27

    Ajdeni dilni njeher nga rruga e spitalit te vlores te shikoni ca behet..te gjitha dyqanet e lokalet hapur dhe njerezit sikur ska ndodhur gje..ju lutem shtetit te marri masa ti mbylli dhe ti largoje njerezit ne shpi

    Përgjigju
    • A. N.: 14/03/2020 13:35

      Cti bejme rrethinave te Tiranes seVlora eshte qeveri ne vete mer plako.

  • Ligj: 14/03/2020 10:47

    5 police mbanin rendin e gjithe shqiperise ne kohen e enverit. Kur u bene kaq trima keta katunare te trashe qe dhe ne kete situate te rrezikshme bejne gangon

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Vrasja e Eduart Reçit! Ky është oficeri i policisë, akuzohet se qëlloi biznesmenin e ndërtimit! Arrestohet dhe i vëllai

FOTO/ Vrasja e Eduart Reçit! Ky është oficeri i policisë, akuzohet se qëlloi biznesmenin e ndërtimit! Arrestohet dhe i vëllai