Transporti publik vijon të funksionojë me 40% reduktim të kapacitetit. Kjo është dita e dytë që situata vijon pas njoftimit të Shoqatës së Transportit për këtë vendim në mungesë të një reagimi nga qeveria për subvencionimin e naftës.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban është shprehur për revistën “Monitor” se në nivel kombëtar, reduktimi i shërbimit ka arritur në 60%.
“Në rast të mosreagimit nga institucionet, masat për reduktim shërbimi do të përshkallëzohen”, tha Memaj.
Këto masa të paralajmëruara parashikojnë shkurtimin më tej të numrit të autobusëve në shërbim apo pezullim linjash nëse situata nuk ndryshon.
Në total, preken 450 linja të vendit. Në kryeqytet, 250 mijë qytetarë varen nga transporti publik. Vëzhgimi i Report Tv një ditë më parë konstatoi fluksin e shtuar, sidomos gjatë orëve 07:00-09:00, si dhe radhë të gjata pritjeje.
Në ditën e parë të reduktimit të flotës, numri i autobusëve për 50 linjat urbane të Tiranës, nga 200 arriti në 115 mjete në shërbim.
Shoqatat kanë propozuar që kompensimi të kryhet për një periudhë 6-mujore, me një fond të përllogaritur në rreth 300 milionë lekë. Ata kërkojnë edhe heqjen e akcizës së naftës, taksës së qarkullimit dhe uljen e TVSH-së në 5%.
Aktualisht vendimi për uljen e flotës ka prekur linjat urbane, ndërsa operatorët e linjave interurbane paralajmërojnë se nëse situata vazhdon do të detyrohen të reduktojnë edhe oraret e tyre të lëvizjes si dhe të rrisin çmimin e biletave.
Komente










