Në oborrin e pasmë të ministrisë së Jashtme mbjellja e një peme ulliri, si një simbol i paqes dhe vazhdimësisë, ishte zgjedhur si një mënyrë për të kujtuar Holokaustin.

“Atëherë Holokausti lindi dhimbje, sot kujtesa ndërton ura”, ishte mesazhi që u përcoll dhe nga prania e nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri„ të Tiranës, dhe bashkëmoshatarëve të tyre nga Berlini, shkolla e të cilëve mban emrin e një shqiptari “Refik Veseli“, simbol i qindra familjeve shqiptare që shpëtuan hebrenj.

Binjakëzimi dhe bashkëpunimi mes tyre u cilësua si ura reale që lidh brezat.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, tha përmes një videomesazhi se vendi i tij nuk do ta harrojë kurrë sakrificën e shqiptarëve.

“Gjatë Holokaustit, ndërsa në pjesën më të madhe të Europës hebrenjtë dërgoheshin në kampet e vdekjes, shqiptarët u ngritën në mbrojtje të hebrenjve në emër të kodit të tyre të nderit, Besa. Asnjë hebre nuk u dërgua drejt vdekjes. Shqipëria ishte i vetmi vend i pushtuar nga nazistët ku popullsia hebraike u rrit gjatë Holokaustit. Ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë”, tha Gideon Sa’ar.

Në fjalën e saj, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, theksoi se ajo që shqiptarët bënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, është një shembull që nuk i përket vetëm historisë, por mbetet busull morale edhe sot, në një botë të përballur me antisemitizëm, urrejtje dhe konflikte të reja, ku Shqipëria ofron kontributin e saj

“Shqipëria vendosi t’i bashkohet kartës së Bordit të Paqes së presidentit Trump përmes pjesëmarrjes së kryeministrit Rama si një vend që ka dalë nga errësira e totalitarizmit me një vëllazëri fetare shembullore dhe pa çarje etnike. Duke nisur nga Gaza në një vend e rajon që ka vuajtur shumë nga ekstremizmi, ideologjitë e urrejtjes, terrorizmi e lufta, e ku paqja e qëndrueshme, pajtimi e rindërtimi duhet të jenë zgjidhja e vetme për izraelitët, palestinezët e të gjithë popujt e Lindjes së Mesme. Në një botë që po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme, ku konfliktet e vjetra në vend të shuhen po intensifikohen Shqipëria i ka qëndruar dhe do t'i qëndrojë busullës së saj morale dhe vlerave universale që na bashkojnë. Paqja si kusht i domosdoshëm për mbijetesën e çdo vlere tjetër. Kjo është e vetmja formulë për të zgjidhur konfliktet kudo", tha Spiropali.

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri e cilësoi Holokaustin kapitullin më të errët të historisë gjermane dhe vlerësoi rolin e Shqipërisë si shembull tolerance dhe mikpritjeje.

“Kurrë nuk duhet ta harrojmë vuajtjen që ju shkaktua më shumë se 6 milionë grave, burrave e fëmijëve hebrenj dhe shumë të tjerëve. Është detyra jonë morale t'i kujtojmë, të sigurohemi që masakra të tilla të mos ndodhin më kurrë. Në 2026-ën, më shumë se 80 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, është thelbësore që t’i mbajmë gjallë mësimet nga Holokausti. Ja pse sot kujtojmë po ashtu ata që dëshmuan kurajo të jashtëzakonshme e mirësi përballë së keqes dhe këtu në Shqipëri gjejmë shembull vërtet të jashtëzakonshëm”, tha Karl Bergner.

Edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përmes një mesazhi në platformën X vlerësoi rolin unik të Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës si mbrojtje ndaj përsëritjes së historisë.

“Dita e Kujtesës duhet të shërbejë si një thirrje e ndërgjegjes kolektive për të mbrojtur me humanizëm dhe përgjegjësi të drejtën e të gjithëve për të jetuar me dinjitet dhe në paqe, sepse të gjithë i kemi parë pasojat e tmerrshme të urrejtjes etnike, racore, fetare dhe të antisemitizmit”, shkroi Begaj.

Në një kohë kur bota përballet me konflikte dhe tensione të reja, mesazhi i kësaj dite është i qartë: kujtesa është një akt moral, që duhet kthyer në veprim për paqe, dinjitet dhe humanizëm.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:44
Ambasada e SHBA-ve përkujton viktimat e Holokaustit: Shqipëria ndër vendet e pakta ku hebrenjtë gjetën strehim!

Ambasada Amerikane ka përkujtuar sot Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit duke sjellë në kujtesë edhe historinë e veçantë të Shqipërisë dhe guximin e shqiptarëve të cilët i dhanë strehim hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. 

Në një postim në rrjete sociale, Ambasada rikthekson përgjegjësinë e përbashkët për të punuar drejt një të ardhmeje pa dhunë dhe urrejtje.

“Siç ka thënë Sekretari Rubio, “Antisemitizmi nuk ka vend në këtë botë”. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për t’u përballur me antisemitizmin dhe shtrembërimin e Holokaustit. Ne e njohim historinë e veçantë të Shqipërisë si një nga të paktat vende të pushtuara nga nazistët ku hebrenjtë gjetën strehim, falë guximit të shqiptarëve të zakonshëm. Ne mirëpresim partneritetin e vazhdueshëm të Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit, siç është miratimi i saj vitin e kaluar i Praktikave më të Mira për Parimet e Konferencës së Uashingtonit mbi Artin e Konfiskuar nga Nazistët, të cilat çojnë përpara drejtësinë dhe kompensimin për pronën kulturore të periudhës së Holokaustit” shkruhet në postimin e Ambasadës në Facebook.

Ora 11:31
Ceremonia për përkujtimin e Holokaustit, Spiropali: Shpëtimi i hebrenjve, maja morale e historisë sonë

 

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mori pjesë në aktivitetin përkujtimor me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nën temën “Ura që lidh brezat”. Ceremonia nisi në oborrin e pasmë të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme me mbjelljen e një peme ulliri, simbol i paqes, kujtesës dhe vazhdimësisë. Spiropali risolli në vëmendje fjalën e Kryeministrit Rama në Parlamentin e Izraelit për të dëshmuar forcën e humanizmit të shqiptarëve me aktin e shpëtimit të hebrenjve gjatë Holokaustit.

“Dje, në seancën historike të mbajtur në Knesset, Kryeministri Edi Rama riktheu në vëmendjen e të gjithëve shembullin e jashtëzakonshëm të dritës shqiptare gjatë kapitullit më të errët të njerëzimit, Holokaustit. 'Arin po, hebrenjtë jo', ishte në vitin 1943, përgjigja e dhënë përballë ultimatumit të Gjermanisë Naziste, nga populli dhe autoritetet shqiptare. Shqipëria, ishte i vetmi vend në Europë, që përfundoi luftën me 15-fish më shumë hebrenj nga sa e nisi. Në një kohë kur edhe vende shumë më të pasura e të ashtuquajtura më të qytetëruara ranë pre e një flame totalitare që i zhveshi nga kodet njerëzore e morale, Shqipëria pikërisht në kodin e saj moral gjeti forcën për të mbrojtur të ndryshmin dhe për të nderuar jetën. Ne jemi krenarë për këtë majë morale që meriton të dëshmohet kudo, por që nuk është e vetmja në historinë tonë të strehimit dhe mbrojtjes së të huajve e të njerëzve në nevojë. Shqipëria vendosi t'i bashkohet Kartës së Bordit të Paqes së Presidentit Trump përmes pjesëmarrjes së Kryeministrit Rama. Si një vend që dalë nga errësira e totalitarizmit, me një vëllazëri fetare shembullore dhe pa çarje etnike, Shqipëria ka ç'i dëshmon e ofron botës edhe në këtë format me qëllime fisnike për zgjidhjen e konflikteve të vjetra e të reja. Duke nisur nga Gaza, në një vend e rajon që ka vuajtur shumë nga ekstremizmi, ideologjitë e urrejtjes, terrorizmi e lufta, e ku paqja e qëndrueshme, pajtimi e rindërtimi duhet të jenë zgjidhje e vetme për izraelitët, palestinezët e të gjithë popujt e Lindjes së Mesme. Në një botë që po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme, ku konfliket e vjetra në vend të shuhen po intensifikohen, Shqipëria i ka qëndruar dhe do i qëndrojë busullës së saj morale dhe vlerave universale që na bashkojnë", nënvizoi Spiropali.

Ora 11:16
“Shqiptarët u ngritën në mbrojtje të hebrenjve”- Ministri i Jashtëm i Izraelit në ditën ndërkombëtare të përkujtimit të Holokaustit: Jemi gjithmonë mirënjohës për guximin tuaj

 

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa‘ar, ka folur ditën e sotme përmes një video-mesazhi në aktivitetin përkujtimor për Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit të organizuar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

Gjatë fjalës së tij, ministri izraelit shprehu falënderim për popullin shqiptar, që gjatë periudhës së Holokaustit, ndihmoi në mbrojtjen e hebrenjve nga nazitët.

Teksa vlerësoi udhëheqjen e kryeministrit Rama, ministri Izraelit vijoi më tej duke thënë se Shqipëria ishte i vetmi vend i pushtuar nga nazistët ku popullsia hebraike u rrit gjatë Holokaustit.

Fjala e ministrit të Jashtëm të Izraelit:

E nderuar Ministre e Punëve të Jashtme, mikja ime Elisa Spiropali, të nderuar të ftuar,

Jam i nderuar t’i drejtohem ceremonisë vjetore të Shqipërisë për Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Historia unike e Shqipërisë qëndron si një shembull morali për botën.

Gjatë Holokaustit, ndërsa në pjesën më të madhe të Europës hebrenjtë dërgoheshin në kampet e vdekjes, shqiptarët u ngritën në mbrojtje të hebrenjve në emër të kodit të tyre të nderit, Besa. Asnjë hebre nuk u dërgua drejt vdekjes. Shqipëria ishte i vetmi vend i pushtuar nga nazistët ku popullsia hebraike u rrit gjatë Holokaustit. Ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë.

Populli hebre dhe Shteti i Izraelit do të jenë gjithmonë mirënjohës për guximin tuaj në shpëtimin e hebrenjve dhe për zgjedhjen e anës së drejtë të historisë. Ne e vlerësojmë thellësisht guximin moral të Shqipërisë edhe sot, dhe vlerësojmë miqësinë dhe udhëheqjen morale të Kryeministrit Edi Rama.

Zonja dhe zotërinj, ne nuk duhet të harrojmë kurrë gjashtë milionë gra, burra dhe fëmijë hebrenj të vrarë gjatë Holokaustit.

Kurrë më.