Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj ka zgjedhur Shtëpinë e të Moshuarve në Kavajë për të kaluar 1 Tetorin, Ditën Ndërkombëtare kushtuar të moshuarve.
Veliaj theksoi se 1 Tetori është një moment për të reflektuar për gjeneratën e gjyshërve tanë, të cilët kanë luftuar dhe punuar për vendin.

Ai theksoi se qeveria do të ndihmojë të gjitha bashkitë e vendit për të buxhetuar më mirë, të kenë staf të shtuar të punonjësve socialë dhe fonde të vazhdueshme për të mirëmbajtur shumë prej këtyre shërbimeve, të cilat tashmë u janë transferuar pushtetit vendor.

Për ministrin një nga problemet e të moshuarve që jetojnë në qendrat rezidenciale është edhe mungesa e pensionit dhe pamundësia për të pasur vite pune të mjaftueshme për t’u përfshirë në skemë.

“Ligji i ri që hyn në fuqi në 1 janar 2015 siguron një pension social, çka nënkupton se të moshuarit mbi 70 vjeç që deri dje nuk kanë marrë asnjë lek me ligjin e vjetër, për shkak të një anomalie të sistemit, do të marrin pension social”, theksoi Veliaj.




Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)