Këtë vit NASA e ka festuar Ditën e Tokës në një mënyrë të veçantë, ajo ka mbledhur me mijëra foto selfie nga rrjetet sociale dhe i ka publikuar në faqen e saj zyrtare.

Njësia hapësinore e SHBA ka publikuar fotot e vetëshkrepura që kanë ardhur nga gjithë planeti me rastin e ditës së Tokës për vitin 2014. Kanë qenë mbi 50 mijë foto të dërguara në faqen e internetit.

Me rastin e ditës së Tokës më 22 Prill NASA kishte nisur një iniciativë në platformat sociale në internet. Ajo ftoi të gjithë njerëzit nëpër botë të dërgonin një foto selfie duke specifikuar edhe vendin e saktë ku ishte bërë fotoja.

Ideja pati sukses, duke parë që nga Facebook, Twitter dhe Google iu dërguan NASA-s më shumë se 50 mijë foto. Me selfie-t globalë NASA realizoi një video dhe një hartë të botës të krijuar nga 36 mijë prej këtyre fotove.

NASA në të njëjtën kohë dha dhe informacione mbi operacionet që agjencia ka ndërmarrë në vazhdim edhe në mbrojtje të ambientit.

Fotot e ardhura nga 113 vende shfaqen në mënyrë interaktive në faqen zyrtare falë një sfere tokësore 3.2 gigapixel.
 

Redaksia Online
(Gre.M/F.I/Shqiptarja.com)