Në zemër të Gjermanisë janë minierat më të mëdha të karbonit, burim i fuqishëm ndotjeje për gjithë Europën. Garzweiler, pronë e gjigandit Rwe, është vendi që prodhon më shumë CO2 në të gjithë kontinentin. Jo sot, por prej 47 vitesh.

Dhe Gjermania është vendi i ëndrrave, i pasurisë, i mirëqënies edhe të shumë shqiptarëve. Nuk bëjmë me faj asnjeri. Njësia matëse e njeriut sot është pasuria, por, sa më lart të ngjitemi në shkallët e pasurisë, aq më “në qafë” do t’u biem më të varfërve dhe sidomos Natyrës.

Sot është 22 prill, i njohur prej të gjithëve si Dita e Tokës. Eshtë vënë kjo datë simbolikisht për të kthyer vëmendjen te planeti i mrekullueshëm e magjik, parajsa e vizatuar kushedi se nga cila dorë që na strehon prej mijëra e mijëra vitesh.

E megjithatë admirojmë politikat ekonomike të Gjermanisë, politikat për mjedisin, admirojmë të jashtëzakonshmen Merkel dhe parajsën e mirëqënies që ka ngritur. Si të mos admirohet një realitet e një parajsë e tillë? Po. Por në anën tjetër të peshores janë minierat më ndotëse që vazhdojnë e vazhdojnë të hanë Tokën, pa e vrarë mendjen për njeri.

Mund të vazhdojmë të vendosim data e ditë të bukura për Tokën, mund të bëjmë fotografi e vizatime nga më mallëngjyeset, mund të vëmë fëmijët të recitojnë për zogjë e fluturat, të moshuarit të përloten për pikën e shiut, por nëse një pakicë e globit, nuk do të heqë dorë nga pasurimi i tejskajshëm, duke mbajtur të heshtur e të pafuqishëm me disa thërrime pjesën tjetër, kemi firmosur bashkë fundin e botës. Nuk do të shërbejnë më as fotot mallëngjyese të Angela Merkelit në radhë si çdo njeri i thjeshtë i Universit.