Dita kur u çlirua Gjermania!

Dita kur u çlirua Gjermania!
Shumë shtete po e përkujtojnë datën kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore në Europë. Secili vend po e bën këtë me ndjenja të ndryshme, varësisht prej fatit që ka pasur. Por, pavarësisht nëse është humbje a fitore, çlirim prej padrejtësisë dhe sundimit të huaj, ose tranzicionit drejt varësisë së re, ndarjes, aleancave të reja, ndryshime të mëdha të forcës së pushtetit – data 8 maj 1945 është e rëndësisë historike vendimtare për Europën.

Ne gjermanët e përkujtojmë këtë datë në mesin tonë si një datë që, në fakt, është e domosdoshme të përkujtohet. Ne duhet t’i parashtrojmë standardet tona. Nuk është e thënë që edhe të tjerët të ndiejnë çfarë ndiejmë ne. Na duhet dhe e kemi forcën për ta shikuar të vërtetën drejt e në sy – pa pasur asnjë fije dyshimi.

Për ne, 8 maji është, mbi të gjitha, një datë që duhet të përkujtohet, për çfarë njerëzit kanë vuajtur. Është gjithashtu datë kur duhet të reflektojmë për rrugën që mori historia jonë. Sa më shumë ndershmëri që dëshmojmë gjatë përkujtimit të kësaj dite, aq më të shkarkuar do të jemi që të përballemi me pasojat me përgjegjësi të plotë dhe të nevojshme.

8 maji nuk është ditë feste për ne gjermanët. Ata që në fakt e përjetuan vetë tetë majin e atij viti e kthejnë kokën pas dhe mendojnë të kaluarën e tyre personale, për rrjedhojë edhe pasojat e ndryshme. Disa ishin kthyer në shtëpitë e veta, të tjerë kishin mbetur pa shtëpi. Disa ishin çliruar, derisa për të tjerët ishte një ditë robërie. Shumë sish ishin mirënjohës që bombardimet dhe frika kishin marrë fund atë natë dhe se ishin gjallë e shëndosh. Kishte prej atyre të tjerë që në këtë ditë po e ndienin pikëllimin për disfatën e madhe që e kishte përjetuar atdheu i tyre.

Disa gjermanë ndienin hidhërim të madh se iu prishën iluzionet, derisa të tjerët ndiheshin mirënjohës për fillimin e ri si një dhuratë. Ishte e zorshme të gjeje njëfarë mesi kur për të gjithë do të ishte fillim i mbarë. Pasiguria e kishte kapluar anembanë vendin. Kapitullimi ushtarak ishte i pakusht, duke ua lënë fatin tonë në duar armiqve tanë. E kaluara ka qenë e tmerrshme, veçanërisht edhe për shumë prej atyre armiqve. A nuk do të na hakmerreshin ata shumëfish më shumë krahasuar me atë çfarë u kishim shkaktuar atyre?

Shumica e gjermanëve kishin besuar se po luftonin dhe vuanin për të mirën e vendit. Dhe, tani doli se të gjitha përpjekjet e tyre nuk ishte se vetëm po shkonin huq, por u kishin shërbyer qëllimeve johumane të një regjimi kriminal. Shumica e njerëzve ndiheshin të zemëruar, të zhgënjyer dhe e kishin një ankth të ri. A do të duhej edhe një herë të luftohej për mbijetesë? A kishte kuptim të nisej edhe një herë gjithçka nga zeroja?

Kur kthenin kokën pas, ata po e shihnin qorrsokakun e së kaluarës, dhe kur hidhnin shikimin përpara shihnin të ardhme të errët dhe të pasigurt. Prapëseprapë, dita-ditës gjithçka po kthjellohej, e kjo duhet të thuhet në emrin tonë sot: 8 maji ishte ditë e çlirimit. Na çliroi të gjithëve nga çnjerëzorja dhe tirania e regjimit nacionalsocialist. Askush nuk do të harrojë për shkak të atij çlirimi vuajtjen e madhe që kishte nisur për shumëkënd vetëm më 8 maj. Por, nuk duhet ta shohim datën e përfundimit të luftës si shkak për heqje dorë prej lirisë. Duhet ta kthejmë kohën prapa në fillim të tiranisë si shkak që e solli luftën. Nuk duhet ta ndajmë 8 majin 1945 nga 30 janari 1933.

Përnjëmend nuk ka arsye që ne të marrim pjesë në festat e fitores. Por, kemi njëqind arsye që datën 8 maj 1945 ta shohim si përfundim të lajthitjes në historinë gjermane, ta shohim si përfundim që t’i hedhim farat e shpresës për një të ardhme më të mirë. 8 maji është ditë përkujtimi. Përkujtimi do të thotë kujtim i ngjarjeve me ndershmëri dhe pa sherr, me qëllim që kujtimi të bëhet pjesë e neve, qenieve njerëzore.

Kjo kërkon që gjërat t’i themi troç. Ne sot i përkujtojmë të gjithë të vrarët e luftës dhe të tiranisë. Në mënyrë të veçantë përkujtojmë gjashtë milionë hebrenjtë, që u vranë në kampet gjermane të përqendrimit. Përkujtojmë të gjithë popujt që vuajtën në luftë, veçanërisht qytetarë të panumërt të Bashkimit Sovjetik dhe të Polonisë, që e humbën jetën. Si gjermanë, nderojmë bashkatdhetarët që u zhdukën si ushtarë, gjatë aksioneve të bastisjes në vendlindje, rrëmbimit ose dëbimit.

Përkujtojmë romët, homoseksualët dhe të sëmurët mendorë, që u vranë, si dhe njerëzit që vdiqën për bindjet e tyre politike dhe fetare. Përkujtojmë pengjet që u ekzekutuan. Përkujtojmë viktimat e lëvizjeve të rezistencës në të gjitha vendet e pushtuara prej nesh. Si gjermanë, nderojmë viktimat e rezistencës gjermane – në mesin e administratës shtetërore, ushtrisë, kishave, punëtorët, anëtarët e sindikatave tregtare dhe komunistët.

Ne përkujtojmë ata që vdiqën pa rezistuar në mënyrë aktive, por në vend të kësaj vendosën të vdisnin që të mos ndiheshin të turpëruar. Bashkë me numrin e ushtrisë së pafund të të vdekurve, janë ngritur male të vuajtjes njerëzore – pikëllimi për të vdekurit, vuajtjet prej plagëve ose prej sterilizimit barbar, punës së detyruar, padrejtësisë dhe torturës, urisë dhe vështirësive, vuajtjes për shkak të përdhunimit dhe grabitjes, dëbimit, bombardimeve ajrore, frikës së vdekjes, ose prej frikës së humbjes së çdo gjëje, që ishte arritur me vështirësi dhe punë të mundimshme.

Ne sot e kujtojmë me dhimbje të madhe gjithë këtë vuajtje njerëzore. Mbase barra më e madhe është ngarkuar në kurrizin e femrave të të gjitha shteteve. Vuajtja e tyre, fuqia e tyre e madhe e heshtur, është harruar me lehtësi prej historisë. Të frikësuar deri në palcë, ato punuan, gjallëruan dhe e mbrojtjen jetën njerëzore. Ato vajtuan baballarët dhe të bijtë, burrat, vëllezërit dhe miqtë e rënë. Në vitet e errësirës, ishin ato që nuk lejuan që të shuhej drita e humanizmit.

Ishin gratë pas luftës, pa kurrfarë prospekti të së ardhmes së sigurt, të parat që gjithkund nisën rindërtimin e shtëpive përsëri, “gratë e rrënojave” në Berlin dhe gjithkund. Shumë gra kishin mbetur qyqe vetë dhe e kaluan jetën në vetmi të madhe si pasojë e luftës. Por, falë grave, popujt nuk u këputën shpirtërisht, pavarësisht shkatërrimit, krimeve dhe çnjerëzimit, dhe po ato rimëkëmbën gjithçka.

Urrejtja e pafund ndaj bashkatdhetarëve hebraikë ishte në rrënjë të tiranisë së Hitlerit. Hitleri kurrë nuk e ka fshehur këtë urrejtje prej publikut, por e bëri tërë popullin vegël të urrejtjes. Vetëm një ditë para vdekjes së tij më 30 prill 1945, ai përmblodhi vullnetin e tij me këto fjalë: “Mbi të gjitha, i obligoj krerët e vendit dhe pasuesve të tyre t’i respektojnë vendosmërisht ligjet raciale dhe t’i kundërshtojnë pamëshirshëm helmuesin e gjithë botës: hebraizmin ndërkombëtar”. Është e vërtetë se asnjë vend në histori nuk ka qenë pa gjynahe e faje për luftë dhe dhunë. Sidoqoftë, në histori është i pashembullt gjenocidi kundër hebrenjve. Kryerja e këtij krimi ishte në duart e pak njerëzve.

Ishte fshehur prej syve të publikut, por çdo gjerman e shihte me sytë e tij se çfarë vuajtjesh po përjetonin bashkatdhetarët e tyre hebraikë, prej dashakeqësisë së madhe deri te jotoleranca e fshehur dhe urrejtja e jashtëzakonshme. Kush mund të mos kishte dyshime pas djegies së sinagogave, stigmatizimit përmes Yllit të Davidit, privimit të të drejtave, dhunës së pafrenueshme ndaj dinjitetit njerëzor?

Kushdo që hapte sytë e veshët dhe donte informacione nuk ka mundur të mos e vërente se hebrenjtë po deportoheshin. Natyra dhe përmasat e shkatërrimit mund të shkojnë përtej imagjinatës njerëzore, por në realitet kishte përpjekje, përjashto krimin e kryer në vetvete, përfshirë edhe pjesëtarët e gjeneratës sime, që ishin të rinj dhe nuk ishin përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e krimeve, e që nuk kishin vërejtur se çfarë po ndodhte.

Kishte shumë mënyra që të mos ngarkoheshe me ndërgjegje të lënduar, duke u përjashtuar prej këtyre krimeve. Kur e vërteta e pathënë e Holokaustit mori dhenë në fund të luftës, shumë prej nesh pretendonim se nuk kishin ditur e dyshuar asgjë. Nuk mund ta fajësosh e ta shfajësosh një popull të tërë. Fajësia, sikur edhe pafajësia, nuk është kolektive, por personale. Ka fajësi dhe pafajësi individuale.

Ka fajësi që njerëzit e pranojnë, ose e mohojnë. Të gjithë ata që e kanë përjetuar drejtpërdrejt atë kohë, sot duhet ta pyesin heshtazi veten për përfshirjen e tyre atëherë. Pjesa më e madhe e popullsisë së sotme, ose ishin fëmijë, ose nuk ishin fare të lindur. Ata nuk mund ta fajësojnë veten për krimet që nuk i kanë kryer. Asnjë njeri i ndershëm nuk mund të presë që ata ta marrin përsipër fajin vetëm pse janë gjermanë. Por, baballarët e tyre u kanë lënë një trashëgimi të zezë.

Të gjithë ne, pavarësisht nëse jemi apo jo fajtorë, qofshim të rinj apo pleq, duhet ta pranojmë të kaluarën. Të gjithë jemi prekur prej pasojave të saj. Brezat e rinj dhe të vjetër duhet dhe mund ta ndihmojnë njëri-tjetrin, ta kuptojnë pse është e qenësishme që kujtimet të mbahen gjallë. Nuk është vetëm puna që të ballafaqohemi me të kaluarën. Kjo nuk është e mundshme. Ajo nuk mund të modifikohet, a të zhbëhet.

Sidoqoftë, kushdo që mbyll sytë ndaj së kaluarës është i verbër ndaj të tashmes. Kushdo që refuzon ta kujtojë johumanizmin, rrezikon të përballet me rreziqe të reja. Populli hebre kujton dhe gjithnjë do të kujtojë. Ne kërkojmë pajtim si qenie njerëzore. Pikërisht për këtë arsye mendojmë se duhet ta kuptojmë se nuk mund të ketë pajtim pa përkujtim. Vdekja e miliona njerëzve është pjesë e jetës së secilit hebre në botë, jo vetëm pse njerëzit nuk mund t’i harrojnë krimet e tilla, por sepse kujtimi është edhe pjesë e besimit hebraik.

“Të kërkosh të harrohet gjithçka vetëm sa e vonon eksodin; sekreti i shpengimit varet prej kujtimit”. Kjo shprehje hebraike besoj se e shpreh më së miri idenë se besimi në Zot është besim në dorën e Zotit në histori. Kujtimi është dorë e Zotit në histori. Është besim në burimin e bindjes në shpengim. Kjo shpresë na jep shpresë, na jep besimin se mund të ecim përpara në ribashkimin e të ndarëve, në pajtim. Kushdo që e harron këtë përvojë humb besimin e tij.

Nëse prej anës sonë do të kërkonim të harrohet çfarë ka ndodhur, në vend se ta kujtonim atë, kjo jo vetëm që do të ishte johumane. Ne do ta shkelnim edhe bindjen e hebrenjve që mbijetuan dhe do ta shkatërronim bazën e pajtimit. Ne duhet ta ndërtojmë një memorial të mendimeve dhe të ndjenjave në zemrat tona. 8 maji e shënon një prerje të qartë, jo vetëm për historinë gjermane, por edhe për historinë e Europës, si tërësi.

I ka ardhur fundi luftës civile europiane, dhe tani bota e vjetër e Europës ndodhet në rrënoja. “Europa e luftoi veten derisa nuk mbahej në këmbë të veta” (M. Stürmer). Takimi i ushtarëve amerikanë dhe ruso-sovjetikë në lumin Elbe u bë simbol për përfundimin e përkohshëm të një epoke europiane. Është e vërtetë se kjo është ngulitur në histori.

Europianët kishin ndikim të madh dhe në të vërtetë ishin dominues në botë, por ata ishin gjithnjë e më pak të zotët t’i ruanin marrëdhëniet e mira ndërmjet vete me konfliktet e tyre. Për më shumë se një shekull, Europa kishte vuajtur si pasojë e përplasjes së aspiratave nacionaliste ekstreme. Traktate paqeje u nënshkruan në fund të Luftës së Parë Botërore, por nuk e kishin fuqinë e zbatimit në praktikë. Edhe një herë u ndezën flakët e pasioneve nacionaliste dhe kishin marrë hov prej krizave të njerëzve të kohës. Dhe, gjatë rrugës drejt katastrofës, Hitleri u bë forcë dominuese. Ai doli në skenë dhe përfitoi prej histerisë masive. Demokracia e brishtë nuk e pati forcën që ta ndalte. Madje edhe fuqitë e Europës Perëndimore – sipas fjalëve të Churchillit, që nuk dyshonin, por që nuk ishin pa faje – kontribuuan nëpërmjet dobësisë tyre që ky trend ta merrte dhenë.

Amerika ishte tërhequr pas Luftës së Parë Botërore dhe në vitet e tridhjeta nuk kishte ndikim në Europë. Hitleri dëshironte ta dominonte Europën dhe për ta arritur këtë donte ta bënte nëpërmjet luftës. Ai kërkoi dhe e gjeti justifikimin në Poloni. Më 23 maj 1939 – vetëm pak ditë para se të plaste lufta – ai u tha gjeneralëve gjermanë: “Asnjë sukses i ardhshëm nuk mund të arrihet pa gjak. Nuk e kemi objektiv Danzigun (Gdanjskun). Qëllimi ynë është që të zgjerojmë hapësirën tonë jetësore (Lebensraum) në Lindje dhe t’i ruajmë rrugët e furnizimit me ushqim. Kështu që qëllimi nuk është që ta shpëtojmë Poloninë; dhe mbetet vendimi që ta sulmojmë Poloninë në rastin e parë të përshtatshëm… Në këtë kontekst, nuk mërzitemi nëse na japin të drejtë a jo traktatet?”

Më 23 gusht 1939, Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik e nënshkruan paktin kundër agresionit. Ana sekrete e protokollit shtesë parashikonte provizione për ndarjen eventuale të Polonisë. Ai pakt ishte arritur që t’i jepej mundësia Hitlerit që ta sulmonte Poloninë. Krerët sovjetikë të kohës ishin të njoftuar hollësisht për këtë.

Dhe, të gjithë ata që merrnin vesh në politikë e kuptuan se implikimet e paktit gjermano-sovjetik do të kulmonin me pushtimin e Polonisë prej Hitlerit, e si rrjedhojë do të vinte Lufta e Dytë Botërore. Kjo nuk ia zvogëlon Gjermanisë përgjegjësinë për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Bashkimi Sovjetik ishte përgatitur që t’i lejonte shtetet e tjera të luftonin njëra me tjetrën, me qëllim që të mund të kishte një hise prej trazimeve të të tjerëve. Sidoqoftë, nisma për luftën erdhi nga Gjermania, e jo nga Bashkimi Sovjetik. Ishte Hitleri që nisi me përdorimin e forcës.

Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore mbetet i lidhur ngushtë me emrin e Gjermanisë. Në kursin e asaj lufte, regjimi nazist tmerroi dhe kaloi nëpër shumë shtete. Dhe, në fund kishte mbetur një shtet që do të tmerrohej, skllavërohej dhe shkatërrohej: shteti i tij, shteti gjerman. Hitleri kishte deklaruar njëherë se nëse populli gjerman nuk do të ishte i zoti ta fitonte luftën, më mirë të lejohej të asgjësohej.

Popujt e tjerë u bënë së pari viktima të luftës së nisur prej Gjermanisë, para se edhe vetë ne gjermanët të viktimizoheshim prej luftës sonë. Kjo solli ndarjen e Gjermanisë në zona qysh ishin marrë vesh fuqitë e mëdha. Bashkimi Sovjetik e kishte marrë njëherësh kontrollin e të gjitha vendeve të Europës Lindore dhe asaj Juglindore, që gjatë luftës ishin pushtuar prej Gjermanisë. Të gjitha, me përjashtim të Greqisë, u bënë shtete socialiste. Ndarja e Europës në dy sisteme të ndryshme politike nisi ta merrte rrjedhën e saj.

Është e vërtetë se zhvillimet e pasluftës, të cilat e çimentuan ndarjen, nuk do të ndodhnin asnjëra prej tyre sikur Hitleri nuk do ta niste luftën. Kjo është ajo që u shkon ndër mend popujve që e kujtojnë luftën e nisur prej liderëve gjermanë. Edhe ne mendojmë për këtë kur flasim për ndarjen e vendit tonë dhe humbjen e pjesëve të mëdha të territorit gjerman. Në një lutje me rastin e përkujtimit të 8 majit në Berlinin Lindor, kardinali Meissner ka thënë: “Rezultati patetik i mëkatit është gjithnjë ndarja”.

Arbitrariteti i shkatërrimit vazhdoi të ndihej në ndarjen arbitrare të barrës. Kishte njerëz të pafajshëm që po persekutoheshin dhe fajësoheshin. Disa ishin me fat që mund ta nisnin jetën nga e para përsëri në ambient familjar. Të tjerët ishin dëbuar prej shtëpive të baballarëve. Ne që do të bëheshim pjesë e asaj që do të quhej Republika Federale e Gjermanisë do ta kishim mundësinë e paçmuar që të jetonim të lirë.

Miliona bashkatdhetarëve u është mohuar kjo mundësi deri sot. Ishte detyra e parë që të mësoheshin mendërisht me këtë ndarje arbitrare të fateve, bashkë me detyrën për rindërtimin material të vendit. Ky do të ishte test i fuqisë njerëzore për ta pranuar barrën e të tjerëve, që t’i ndihmonin me kalimin e kohës të mos harroheshin. Do të ishte test i aftësisë sonë për të punuar për paqe, i gatishmërisë tonë për ta forcuar edhe më frymën e pajtimit në atdhe dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, aftësi dhe gatishmëri që jo vetëm të tjerët e kishin pritur prej nesh, por që duhej t’ia kërkonim vetvetes.

Ne nuk mund ta kujtojmë 8 majin pa qenë të vetëdijshëm për përpjekjen e madhe që u kërkua prej ish-armiqve tanë për ta shtruar rrugën e pajtimit me ne. A mund ne përnjëmend ta vëmë veten në pozitën e të afërmve të viktimave të getos së Varshavës, ose të masakrës së Lidices? Dhe, sa e vështirë duhet të ketë qenë për qytetarët e Roterdamit ose të Londrës ta mbështetnin rindërtimin e vendit tonë prej ku ishin nisur bombat, jo shumë kohë të gjatë para se të binin në qytetet e tyre?

Por, ata duhej të siguroheshin paraprakisht prej gjermanëve se nuk do t’u mëshonin shkelm të mirave të tyre duke e përdorur forcën për shkak të mposhtjes. Në vendin tonë, sakrifica më e madhe u ishte kërkuar atyre që ishin larguar prej atdheut. Ata do të vuanin shumë dhe padrejtësisht shumë pas 8 majit. Ata që do të lindnim atëherë, as që e merrnim me mend dhe as nuk e kishim përjetuar në zemër kuptimin e fatit të vështirë. Por, menjëherë ishin dhënë shenjat e mëdha të gatishmërisë për ndihmë.

Miliona refugjatë dhe të dëbuar ishin dërguar në vende të reja, ku do t’u duheshin shumë vite derisa t’i lëshonin rrënjët. Fëmijët dhe nipat e tyre i kishin bashkëngjitur formimit të tyre një kulturë të re, por edhe atë që e kishin trashëguar prej paraardhësve. Megjithatë, ky ishte një thesar i madh në jetën e tyre. Por, ata e kishin gjetur një shtëpi të re, ku po rriten dhe po integrohen me popullsinë lokale, duke ndarë dialektin dhe zakonet e reja.

Jeta e tyre rinore është dëshmi e aftësisë së tyre që ta gjenin paqen me veten. Gjyshërit ose prindërit e tyre ishin zhvendosur; po ata ishin në shtëpinë e tyre. Të dëbuarit shumë shpejt vendosën që të identifikoheshin me heqjen dorë prej përdorimit të forcës. Kjo nuk ishte një deklaratë e thënë sa për ta larë gojën, por një zotim që është i vlefshëm edhe tani.

Heqja dorë prej përdorimit të forcës që besimi të lëshojë rrënjë thellë në të gjitha anët kishte kuptimin se Gjermania do ta rimerrte veten pas kësaj. Në shumë varreza të vjetra në Europën Lindore ju sot do të shihni më shumë varre polake se gjermane. Migrimi i miliona gjermanëve drejt Perëndimit ishte pasuar me migrim të miliona polakëve, dhe në fillim të miliona rusëve.

Këta ishin njerëz që nuk ishin pyetur fare për këtë punë, njerëz që kishin vuajtur prej padrejtësisë, njerëz që ishin bërë objekte të pambrojtura të zhvillimeve politike dhe ndaj të cilëve nuk ishte bërë kurrfarë kompensimi për vuajtjet e shkaktuara dhe që ta rimerrnin veten. Heqja dorë prej forcës do të thotë që atyre t’u jepet mundësia për siguri afatgjate, të pasfiduar prej agjendave politike, për të ardhmen e tyre në vendin ku i ka çuar fati pas 8 majit dhe ku jetojnë për dekada me radhë. Kjo nënkupton se diktati i mirëkuptimit duhet të vihet sipër pretendimeve ligjore konfliktuoze.

Kjo është e vërtetë, kontribut ndaj rendit paqësor në Europë, gjë që ne mund ta bëjmë. Fillimi i ri në Europë pas vitit 1945 ka sjellë fitore dhe disfata për nocionin e lirisë dhe të vetëvendosjes. Qëllimi ynë është që ta kapim këtë rast që të bëjmë një prerje të qartë prej një periudhe të gjatë në historinë europiane, ku në secilin vend paqja dukej e arritshme dhe e sigurt vetëm si rezultat i supremacisë së atij vendi, dhe ku paqja nënkuptonte periudhën për përgatitje të luftës së radhës.

Popujt e Europës e donin atdheun e tyre. Nuk dallojnë as gjermanët. Kush mund të besonte në dashurinë për paqe të një vendi nëse ai ishte në gjendje ta harronte atdheun? Jo, dashuria për paqen e manifeston veten tamam qysh dikush nuk e harron vendlindjen dhe është në gjendje të bëjë çmos në fuqinë e tij që të jetojë përjetësisht në paqe me të tjerët. Në asnjë mënyrë nuk është shovinizëm dashuria e një të dëbuari për atdheun.

Lufta e fundit ka nxitur dëshirë më të madhe për paqe në zemrat e burrave se sa në të kaluarën. Puna e kishave për promovimin e pajtimit është përputhur me një kundërpërgjigje të hatashme pozitive. Ka shembuj të përpjekjeve praktike të rinisë për promovimin e mirëkuptimit. E tillë është “Aktion Sühnezeichen”, fushatë e përqendruar në aktivitet në Auschwitz dhe Izrael. Së fundi, një famulli në qytetin e Kleves në Rajnën e Ulët mori copa buke nga famullia polake si shenjë e pajtimit dhe miqësisë. Ia dërgoi ato copa buke një mësimdhënësi në Angli, sepse kishte hequr dorë prej anonimitetit dhe kishte shkruar se si anëtar i një ekipi bombardues gjatë luftës e kishte shkatërruar kishën dhe shtëpi në Kleve, dhe se donte të bëhej pjesë me njëfarë forme të pajtimit. Të flasësh për paqen është e jashtëzakonshme dhe ndihmon nëse në vend të pritjes së tjetrit që të vijë te ti, ne shkojmë drejt tij, qysh bëri ky burrë. Në fund të luftës, armiqtë ishin afruar edhe më shumë si qenie njerëzore edhe në aspektin politik.

Sekretari amerikan i Shtetit, James Byrnes, në fillim të vitit 1946 në fjalimin e tij për t’u mbajtur mend bëri thirrje në Stuttgart për mirëkuptim në Europë dhe për ndihmë për popullin gjerman në rrugën e tij drejt së ardhmes së lirë dhe paqësore. Shumë amerikanë na ndihmuan neve gjermanëve që e kishim humbur luftën me mjetet e tyre private që t’i shëronim plagët e luftës.

Falë vizionit të francezëve, si puna e Jean Monnetit dhe Robert Schumanit, dhe të gjermanëve, si puna e Konrad Adenauer, u varros njëherë e përgjithmonë armiqësia e përbetuar ndërmjet francezëve dhe gjermanëve. Një vullnet dhe energji e re për rindërtimin e Gjermanisë nisi të përhapej anembanë vendit. Ishin kapërcyer shumë dallime fetare dhe kufizime sociale. Njerëzit nisën të punonin për partneritet të përbashkët.

Nuk kishte “orë zero”, por ne kishim mundësi të nisnim gjithçka nga e para. Ne e vumë lirinë demokratike në vend të represionit. Katër vjet pas përfundimit të luftës, Këshilli Parlamentar e miratoi Kushtetutën tonë më 8 maj 1949. Duke i kapërcyer dallimet partiake, demokratët në Këshill i dhanë përgjigje luftës dhe tiranisë në nenin e parë të Kushtetutës sonë: “Prandaj populli gjerman i njeh të drejtat e pashmangshme dhe të pakontestueshme si bazë të cilitdo komunitet, të paqes dhe të drejtësisë në botë”. Edhe kjo duhet të kujtohet e t’i jepet më shumë rëndësi me rastin e 8 majit.

Republika Federale e Gjermanisë u bë shtet i respektuar në skenën ndërkombëtare. Është një prej vendeve me zhvillimin më të lartë industrial në botë. Me fuqinë e saj ekonomike ajo e sheh veten përgjegjëse për të luftuar urinë dhe mjerimin në botë dhe për të ndihmuar në harmoninë sociale mes popujve. Ne, për 40 vjet me radhë kemi jetuar në paqe dhe liri, e nëpërmjet politikës sonë në union me shtetet e lira të Aleancës Atlantike dhe Komunitetit Europian kemi dhënë kontribut të madh për veten. Liria e individit asnjëherë nuk ka gëzuar mbrojtje më të mirë në Gjermani sesa sot.

Një sistem gjithëpërfshirës i kujdesit social, që mund të krahasohet me të gjitha masat e nevojshme për shoqërinë, është ndërtuar dhe po funksionon në mesin e popullsisë. Ndërkaq, në fund të luftës, shumë gjermanë përpiqeshin t’i fshihnin pasaportat e tyre, ose t’i shkëmbenin për një tjetër. E sot çmohet fort shumë shtetësia gjermane. Ne nuk kemi asnjë arsye që të jemi arrogantë dhe egoistë.

Por, ne mund ta kthejmë kokën prapa me mirënjohje krahasuar me 40 vjetët e zhvillimit në të kaluarën, nëse dëshirojmë ta kujtojmë në historinë tonë këtë përvojë si udhërrëfyes për sjelljen tonë dhe për sfidimin e zgjidhjen e problemeve në të ardhmen. Nëse kujtojmë se personat me probleme mendore ishin dënuar me vdekje në Rajhun e Tretë, do të shohim kujdesin për njerëzit me çrregullime psikiatrike, si përgjegjësi tonën. Nëse e rikujtojmë si ishin persekutuar njerëzit vetëm për shkak të racës, religjionit dhe politikës, dhe ishin kërcënuar me vdekje përpara mbylljes së kufijve me vendet e tjera, nuk duhet ta mbyllim derën sot për ata që ishin persekutuar pa asnjë faj dhe që tani kërkojnë mbrojtje prej nesh. Nëse i përkujtojmë ndëshkimet ndaj lirisë së mendimit nën diktaturë, do ta mbrojmë lirinë e secilës ide dhe çfarëdo kritikash, megjithëse kjo do të mund të na kthehej kundër nesh. Kushdo që e kritikon gjendjen në Lindjen e Mesme, duhet të mendojë për fatin me të cilin Gjermania i ndëshkoi qeniet e saj humane hebraike, fat që çoi drejt krijimit të shtetit të Izraelit, kushte që vazhdojnë të jenë barrë edhe sot e asaj dite dhe që paraqesin rrezik për popujt që jetojnë në atë rajon.

Nëse mendojmë çfarë pësuan fqinjët tanë lindorë gjatë kohës së luftës, do të mësojmë se është më e lehtë ta kuptojmë akomodimin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me vendet që kanë detyra vendimtare në politikën e jashtme gjermane.

Është e rëndësishme që të dyja palët ta kujtojnë dhe ta respektojnë njëra-tjetrën. Ata kanë shumë arsye për analizë humane, kulturore dhe përfundimtare mbi bazën historike. Mihail Gorbaçov, sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste Sovjetike, deklaroi se nuk ishte qëllim i krerëve sovjetikë që me rastin e 40-vjetorit të përfundimit të luftës të nxiteshin ndjenjat antigjermane. Ai tha se Bashkimi Sovjetik ishte i përkushtuar për miqësi ndërmjet shteteve. Në mënyrë të veçantë, nëse kemi dyshime për kontributet sovjetike për mirëkuptim ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit dhe për respektimin e të drejtave të njeriut në të gjitha pjesët e botës, nuk duhet ta injorojmë këtë shenjë nga Moska. Ne kërkojmë miqësi me popujt e Bashkimit Sovjetik. Dyzet vjet pas luftës, populli gjerman vazhdon të mbetet i ndarë.

Në një shërbesë komemorative në Kishën e Kryqit të Shenjtë në Dresden, mbajtur në shkurt, ipeshkvi Hempel tha: “Është barrë dhe pikon gjak që dy shtete gjermane kanë kufi të ashpër. Kufijtë e shumtë janë barrë dhe kullojnë gjak. Armët janë barrë”.

Së fundi, në Baltimore të Shteteve të Bashkuara është hapur ekspozita “Për hebrenjtë në Gjermani”. Ambasadorët e dy shteteve gjermane e kanë pranuar ftesën për të marrë pjesë. Nikoqiri, presidenti i Universitetit, John Hopkins, i mirëpriti ata së bashku. Ai theksoi se të gjithë gjermanët e ndajnë të njëjtin zhvillim historik. E kaluara e tyre është një nyjë që i lidh ata. Një nyjë e tillë, tha ai, mund të jetë bekim ose problem, por gjithnjë ishte burim shprese.

Ne gjermanët jemi një popull dhe një komb. Ne ndiejmë se jemi një, sepse kemi të kaluar të njëjtë. Ne gjithashtu e kemi përjetuar 8 majin 1945 si pjesë e fatit të përbashkët të popullit tonë që na bashkon. Ne ndihemi një në dëshirën për paqe. Paqja dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet duhet të rrezojnë prej tokës gjermane në të dyja shtetet.

Dhe, asnjë shtet tjetër nuk duhet të lejojë që kjo tokë të bëhet burim i rrezikut për paqen. Populli i Gjermanisë është i bashkuar në dëshirën për paqe që ngërthen drejtësinë dhe të drejtat e njeriut për të gjithë njerëzit, përfshirë edhe vetë ne. Pajtimi që shkon përtej kufijve nuk mund të ofrohet prej Europës së muruar, por vetëm prej një kontinenti që heq elementet ndarëse. Këtë na e kujton përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Ne kemi besim se 8 maji nuk është data e fundit e historisë së përbashkët për të gjithë gjermanët. Shumë të rinj e kanë pyetur muajve të fundit veten dhe pse ky ballafaqim i acaron diskutimet edhe 40 vjet pas përfundimit të luftës. Pse i acaron më shumë se pas 25, a 30 vjetësh? Cila është domosdoshmëria e këtij zhvillimi? Nuk është e lehtë t’u jepet përgjigje këtyre pyetjeve. Por, ne nuk duhet menjëherë t’i kërkojmë arsyet te ndikimet e jashtme, megjithëse pa dyshim se ato ekzistojnë. Në jetën e njeriut dhe fatin e kombeve, 40 vjet kanë rol të madh. Më lejoni, ju lutem, që në këtë pikë të kthehem përsëri te Dhiata e Vjetër, që ka vrojtime të thella për çdo person, pavarësisht fatit.

Në fakt, 40 vjet kanë rol vendimtar. Izraelitët do të ngeleshin në shkretëtirë për dyzet vjet para se një fazë e re në historinë e tyre nisi me arritjen e tyre në tokën e premtuar. Dyzet vjet ishin dashur për transferimin e tërësishëm të përgjegjësisë nga gjenerata e baballarëve. Prapëseprapë përshkruhet se si shpeshherë kujtesa e ndihmës së përjetuar dhe shpëtimi zgjatën vetëm 40 vjet.

Kur u zbeh kujtesa, më në fund, mbisundoi qetësia. Andaj, 40 vjet janë goxha një kohë për qetësi e diskutim të matur. Njeriu i konsideron si ditë errësire, duke sjellë shpresë për të ardhme të re dhe prosperuese, ose si frenim i rrezikut se e kaluara mund të harrohet si paralajmërim i pasojave. Ia vlen të reflektohet në të dyja aspektet.

Në vendin tonë është rritur një gjeneratë e re që ta marrë përgjegjësinë politike. Rinia jonë nuk është përgjegjëse për çfarë ka ndodhur para dyzet vjetësh. Por, rinia është përgjegjëse për pasojat historike. Ne më të moshuarit ia kemi borxh gjeneratës së re, jo realizimin e ëndrrave, por ndershmërinë.

Ne duhet ta ndihmojnë rininë ta kuptojë pse është e rëndësishme që të mbahet gjallë kujtimi. Ne duam t’i ndihmojmë rinisë që ta pranojë qetësisht të vërtetën historike, jo njëanshëm, pa u mbërthyer prej doktrinave, por edhe pa arrogancë morale. Ne e kemi mësuar prej historisë sonë çfarë jemi. Për këtë shkak, nuk duhet të imagjinojmë se jemi krejtësisht të ndryshëm dhe se jemi bërë më të mirë.

Nuk mund të arrihet përsosmëria morale – nuk e arrin asnjë individ e asnjë shtet. Si qenie njerëzore ne kemi mësuar se si qenie njerëzore mbetemi në rrezik. Por, e kemi forcën për kapërcimin e këtij rreziku. Qasja e përhershme e Hitlerit ishte nxitja e paragjykimeve, e armiqësisë dhe e urrejtjes.

Ajo çfarë kërkohet prej rinisë sot është kjo: mos e lejoni veten të nxiteni drejt armiqësive dhe urrejtjes ndaj popujve të tjerë, rusëve a amerikanëve, hebrenjve a turqve, alternativëve a konservatorëve, zezakëve a të bardhëve. Mësohuni të jetoni së bashku, e jo në kundërshtim me njëri-tjetrin.

Edhe ne si politikanë të zgjedhur në mënyrë demokratike duhet të bëjmë veshët katër kësaj herë dhe përsëri të japim shembull të mirë. Le ta nderojmë lirinë. Le të punojmë në paqe. Le ta respektojmë sundimin e ligjit. Le të jemi pa hile në raport me konceptin e drejtësisë. Në këtë 8 maj, le të përballemi edhe me të vërtetën. /Marrë nga Dialogplus/

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Kumbullat e thata, vetitë e forta për rigjenerimin e kockave

Kumbullat e thata, vetitë e forta për rigjenerimin e kockave