42 piktorë nga Shqipëria, Finlanda, Italia, Ukraina, Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Greqia, Bullgaria, Rumania dhe Mali i Zi janë pjesëmarrës në edicionin e 15-të të kolonisë ndërkombëtare të arteve figurative “Ditët e Mios” në Korçë. Për 4 ditë me radhë, artistët do të punojnë për të realizuar veprat e tyre, të frymëzuara nga peizazhet karakteristike të Korçës dhe rrethinave të saj, arkitektura e qytetit si dhe jeta sociale e banorëve.

Të udhëhequr nga fryma krijuese e piktorit Vangjush Mio, pjesëmarrësit kanë zgjedhur tema të ndryshme për t’i hedhur në telajo, duke përcjellë përmes artit mesazhe të ndjeshme për publikun.

“Jam nga Rumania. Është një qytet shumë i bukur. Është një vend i bukur me natyrë shumë të bukur. Është një mundësi për artistët, për njohjen e kulturës dhe historisë.”, tha një nga artistet pjesëmarrëse.

“Jam nga Serbia. Jam frymëzuar nga njerëzit që do të portretizoj, duke përzier pak realizmin dhe abstraksionizmin do të shoh çfarë do të dalë.”, vijon një tjetër pjesëmarrës.

Në përmbyllje të kolonisë, pikturat e realizuara do të ekspozohen në Galerinë “Guri Madhi”, ku publiku do të ketë mundësi të shohë krijimet e artistëve. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për disa ditë, ndërsa, siç është bërë tashmë traditë, punimet e realizuara do t’i dhurohen fondit të galerisë.