Në fjalën e tij në Konferencën Kombëtare të Ndërveprimit të Drejtësisë me Mediat, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela solli në vëmendje transformimin teknologjik dhe ndryshimet që ka sjellë ai në komunikimin publik të organeve të drejtësisë.
"Zhvillimi i teknologjisë dixhitale shkundi nga themelet modelin e vjetër. Informacione të pafundme qarkullojnë dhe përhapen me shpejtësi marramendëse, në përmasa krejt të paimagjinueshme disa dekada më parë. Shkalla globale e rrjeteve sociale ka mundësuar krijimin e shesheve virtuale të debatit publik që kapërcejnë lehtësisht kufijtë fizikë. Intensiteti i ndërveprimit mes përdoruesve në këto platforma krijon dinamika të paparashikueshme që ndikojnë në jetën publike. Trendet e lëkundshme të perceptimit publik si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve, përcaktojnë shpesh kahun e politikave apo vendime të rëndësishme", tha ai.
Kryeprokurori shtoi se sistemi është ende në transformim dhe duhet përmirësuar i besimit të publikut.
“Nuk është e lehtë për institucionet tradicionale t’u përshtaten në kohë transformimeve, aq më tepër për organet e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë po kalon ende një fazë komplekse transformimi shoqëror. Perceptimi publik arriti nivele rekord në 10-15 vitet e fundit dhe rikuperimi i besimit kërkon kohë të konsiderueshme. Modernizimi i formave të strategjisë së komunikimit është kthyer në domosdoshmëri. Është krijuar një mekanizëm koordinimi vertikal për të rritur cilësinë e njoftimeve”, u shpreh Çela.
Lajmi kryesor:
Gjykatat mbyllin dyert për kamerat e mediave në gjyq, drejtuesit e sistemit: Transparenca detyrim! Çela: Prokurorët të mos fshihen pas ‘sekretit hetimor’









