Ish-kryeministri Sali Berisha u ekzaltua sapo Donald Trump akuzoi George Soros dhe të birin se janë përfshirë në protesta të dhunshme dhe një ditë më pas organizoi një konferencë të posaçme për shtyp duke rikërkuar shpalljen e tyre non grata.

Por entuziazmi i Berishës nuk mbeti vetëm, në skenë doli edhe Klevis Balliu, djali i Fahri Balliut, i cili duket se nuk humbet asnjë rast për t’i bërë qejfin kryetarit.

Për t’i rënë në sy Berishës, i cili i dha një vend të sigurt në listën e mbyllur të Tiranës, Klevis Balliu propozon që Këshilli Bashkiak i Tiranës të mblidhet në mënyrë urgjente dhe të heqë titullin “Qytetar Nderi i Tiranës” akorduar George Sorosit nga Edi Rama kur ishte kryebashkiak. me argumentin se ai tashmë është armik i Donald Trump. 

“Partia Demokratike i kërkon këshillit bashkiak të Tiranës që të mblidhet në mënyrë urgjente dhe të heqë titullin “Qytetar Nderi i Tiranës” akorduar George Sorosit nga Edi Rama kur ishte kryebashkiak. Në Shtetet e Bashkuara Presidenti Trump e ka shpallur George Soros “armik i demokracisë” dhe është e padenjë dhe sfiduese që në Shqipëri ai të jetë ende “nderi” i kryeqytetit.

Kur Edi Rama ishte kryetar bashkie i dha titullin “Qytetar Nderi i Tiranës” pikërisht atij personi që sot Presidenti i SHBA kërkon ta hetojë si drejtues të një organizate kriminale. George Soros dhe djali i tij janë shpallur praktikisht ‘non grata’ nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Jo vetëm kaq, por administrata Trump ka kërkuar që ata të hetohen mbi bazën e Aktit RICO, ligj që përdoret kundër organizatave kriminale. Si është e mundur që i shpalluri nga Presidenti i aleatit tonë të madh si kreu i një strukture kriminale të gëzojë titullin si nderi i kryeqytetit të Shqipërisë?”, tha Balliu në një deklaratë nga selia blu.

Një gjë është e sigurt, Balliu Junior nuk humb asnjë rast për të kërkuar një vend më të ngrohtë në hijen e “doktorit”.