Djali i Kristo Frashërit: Amanetet
që la historiani, fjalët e fundit të tij

Djali i Kristo Frashërit: Amanetet<br />që la historiani, fjalët e fundit të tij
TIRANË - “Besoj se i kam bërë gjërat mirë. Mendoj se kam bërë diçka, bir”... Këto janë fjalët e fundit të historianit dhe akademikut të madh shqiptar Kristo Frashëri para largimit nga jeta. Ai u nda nga ne tre ditë më parë në moshën 96-vjeçare. Kristo Frashëri ia dedikoi 75 vite të jetës së tij veprave dhe studimit. Gjergj Frashëri, i biri i Kristo Frashërit, rrëfen ndërkohë amanetet e historianit të njohur, duke na bërë me dije se ka vepra të tjera të tij që presin dritën e botimit. Akademik Kristo Frashëri “vdiq pa asnjë peng në zemër”, thotë i biri. Dhe kjo e ka një arsye të fortë.

Pinjoll i Frashërinjve, babai i Kristo Frashërit, Anastas Frashëri, është kthyer nga Stambolli me një detyrë të posaçme për rilindjen e Shqipërisë. Detyrën e vazhdoi tërë jetën i biri, Kristoja, duke e përmbushur amanetin e rilindësve me vepra. Ndërkohë edhe vetë Gjergj Frashëri, i biri e lumturoi në çastet e fundit të jetës me botimin e një libri të madh “Dyrrahu Ilir”. Kështu jeta dhe vepra e akademikut Kristo Frashëri është e lidhur pazgjidhshmërisht me misionin, kulturën dhe traditën e Frashërllinjve rilindës. Po çfarë veprash të tjera ka lënë në tavolinë gjatë viteve të fundit, Kristo Frahsëri, cilat ka parapërgatitur për botim apo të tjera që fëmijët e tij duhet t’ia botojnë? Cilat janë fjalët e fundit, kujtimet, fëmijëria dhe rinia e tij. Të gjitha këto dhe të tjera kujtime i mësojmë në rrëfimet e Gjergj Frashërit në intervistën për Shqiptarja.com.
 
 
Profesor Frashëri, jemi në momente hidhërimi dhe duke ju shprehur ngushëllime për humbjen e babait tuaj që u largua në mënyrën më simbolike me penë në dorë, ideja e parë që na ngacmon është sesi kanë qenë momentet e fundit të ikjes nga kjo jetë? 
-Babai iku si qiriu. Duroi deri në fund për të punuar dhe për të rezistuar. Kjo ishte lufta që bëri ai me mbijetesën e vet në shërbim të punës. Të tillë njerëz të motivuar në këtë formë duhet ta kenë kështu vdekjen. Kjo ishte jeta e tij dhe në fund pati një shkrirje natyrale pas një jete të gjatë. 96 vjet tregojnë se ai pati një forcë të brendshme të një njeriu që gjen motive që e shtyjnë për të jetuar. Domethënë është një qiri që u dogj deri në fund, deri kur vetë natyra nuk të jep më mundësi. Ai pati një jetë të ngjeshur me punë. 70 vjet të tëra me punë, ai ia ka kushtuar një çështjeje të caktuar. Dhe unë mendoj se jeta e tij është një model jete që qoftë nga pikëpamja natyrore dhe qoftë nga modeli shoqëror i energjive që jep njeriu.
 
Pra, rrojti 96 vjet dhe rreth 75 vjet i pati plot punë dhe krijimtari apo jo?
-Kjo është  e vërtetë. Është e sigurt, sepse pati botime. Në vitin 1938 kur ka qenë në maturë, ai ka bërë një studim për De Radën dhe e ka botuar si një vështrim letraro-historik. Në gjimnazin e kohës pedagogët e tij ia botuan në revistën letrare të kohës. Kristo Frashëri është motivuar që fëmijë të punojë.

Ai vjen nga një baba, e nga një gjysh i tij që kishin dhënë shumë për Rilindjen Kombëtare. Në kohën kur erdhi Noli në Shqipëri, babai i babait, domethënë gjyshi im erdhi nga Stambolli, ku punonte në dy gazeta dhe njëra “Iliria”, që i botonte Fan Noli me vëllain e Naim Frashërit. “Do vemi në Shqipëri se kemi shumë punë për të bërë”. Ata e dinin se historia nuk ishte shkruar dhe babai Anastasi e motivoi tim atë “të bëjmë detyrën për Shqipërinë, për këtë popull se ka nevojë”, domethënë qëllimi ishte të bëhet Shqipëria. Kristo Frashëri nuk ka ndjekur vijën politike për Shqipërinë, pavarësisht nga ngjyrat, nuk ka ndjekur segmentet politike.

Riprodhimi i historisë dhe mirëqenia e popullit janë ato segmente që duhen ndjekur sot, ishte mendimi i tij. Sepse e dinte se pavarësisht çfarë politike sundonte, nga njerëzit e ditur ndiqen të gjitha produktivitetit pozitive, siç u ndoqën edhe ato të rilindësve. Se Shqipërinë e kemi, po s’kemi vendin ku janë shqiptarët, kështu mendonte ai dhe babai ka ndjekur vendimet e babait të vet për të bërë sa më shumë të mundet për Shqipërinë. Historia e rilindësve kishte shumë episode të shkruara, ndaj gjyshi im, Anastasi e ka motivuar me përpjekjet që të bëhet Shqipëria dhe Kristo Frashëri e ka ndjekur të gjithë vijën politike që ka punuar për Shqipërinë.

Ai ka qenë pozitiv edhe sot e kësaj dite, pavarësisht nga ngjyrat politike, ai mendonte se duhet të ndjekësh ato segmente që ka nevojë Shqipëria sot, pavarësisht nga regjimet dhe jetojnë vetëm ato vepra që i kanë dhënë popullit produkte pozitive. Babai ka ndjekur mësimet e babait të vet, të gjyshit të tij dhe të stërgjyshit që nga lidhja e Prizrenit.
 
Për 100-vjetorin e pavarësisë mësuam se ishte dëshira të rronte derisa të bënte një vepër për pavarësinë, pastaj rrojti edhe pak vite më vonë dhe vijoi me tri vepra të tjera të botuara në vitin e fundit, çfarë i ka mbetur peng që nuk u bë për 100-vjetorin? 
-Tani unë po flas në emër të Kristo Frashërit, por mendoj se nuk më takon mua të flas shumë se e kam baba, por Kristua i ka dhënë vendit atë që ka mundur dhe nuk i ka dhënë pak. Ka pasur vetëm një merak “Të bëhej Shqipëria” të ndërtohej dhe të hynte në rrugën e një qytetërimi. Puna është që të ecim para, jo thjesht për të jetuar por edhe të qytetëruar.

Në 100-vjetorin e Pavarësisë u bë një bilanc i madh se ku ishte Shqipëria e rilindësve dhe çfarë është bërë në 100 vjet. Me sa di unë, ai ka bërë një lloj testamenti historik të vetin, por ka një mendim të tijin, pra testamenti janë mendimet e tij sesi mund të shkoj Shqipëria më tutje, çfarë perspektive ka dhe ai për këtë ka jetuar, për këtë ka punuar dhe këtë ka dashur të jetojë.
Ky ka qenë motivi që ai ka jetuar.
 
Testamenti që thoni ju është një dëshirë apo projekt?
-Unë mendoj se janë mendimet e tij dhe ai i ka shprehur. Nuk ka fshehur gjë dhe mendoj se vendin tonë e shikon me shumë perspektivë të mirë dhe do të ketë gjithmonë diçka për të thënë, se çdo periudhë ka një mënyrë të vetën që të bindësh njerëzit se duhet bërë Shqipëria. Është gjithmonë një gjuhë tjetër, më e ndryshuar, më e aktualizuar. Dhe te mendimet se do kishte diçka për ta thënë në kohën e vet.
 
 Ne ju kërkojmë ndjese se ju kërkonin juve shpesh për të sjellë lajmet nga shtrati i historianit të sëmurë në media, çfarë iu ka mbetur peng që nuk u bë për 100-vjetorin e Pavarësisë?
-Ai nuk ka pasur asnjë peng. Ai donte të bënte sa të mundim për këtë vend.  “Mos u lodhni,  mos u epni”. Kjo ishte këshilla e tij. Dhe ai këtë ka dashur, të kishte dy jetë, ka jetuar jetën e punës, por edhe jetën sesi do t’ju përgjigjej atyre që kanë ikur dhe kanë punuar për Shqipërinë. Çfarë do t’u thoshte atyre sesi e la Shqipërinë, sepse ai mendonte se çfarë ka thënë Sami Frashëri dhe u bë apo do bëhet, apo është në rrugë për të bërë, apo Fan Noli apo edhe të tjerë dhe kjo është jeta e tij e dytë. Do shkoj t’u thotë se Shqipëria është bërë deri këtu.
 
Por ai është shprehur kohë më parë se e dinte ku gjendej deklarata origjinale e pavarësisë. Ju ka thënë gjë? 
-Nuk kam dijeni. Ai nuk ka gënjyer asnjëherë në jetën e vet. Mua më vjen keq se çfarë ka thënë ai, e di ai. Nuk jam në dijeni.
 
Mos ka dhënë ndonjë ide një ide se ku është? 
-Nuk mund të them asnjë gjë për këtë çështje dhe është çështje e tij.
 
Tani në momentet e fundit të jetës së tij, çfarë kishte një gjë që donte ta sistemonte, një vepër ose një libër, çfarë ju tha se mendonte të bënte?
-Flitej ndonjëherë se ku e gjente mundësinë me këtë pleqëri të madhe, që Kristo Frashëri të botonte. Unë e kam sqaruar me kohë, që librat i ka pasur të bëra me kohë, por u ka dhënë dorën e fundit në kohët e fundit. Këtë vit botoi tre libra “Historia e Çamërisë”, botoi për historinë e Konferencës së paqes në vitin ‘46 që është e rëndësishme për historinë e  Shqipërisë dhe për Kongresin e Përmetit.

Këto tri gjëra i ka shkruar shumë më  përpara, por koha për Çamërinë dhe njohjen e plotë të historisë së saj vjen tani. Dhe koha të vlerësosh konferencën e paqes dhe që duhet të sqarohet është tamam tani. Këto libra janë shkruar më parë, por janë redaktuar dhe plotësuar dhe koha për historianin shihet ndryshe. Do të piqet mendimi historik të nxjerrësh edhe një përkundin historik. Historianët janë njerëz që e sterilizojnë mendimin, e filtrojnë dhe nxjerrin edhe konkluzionin e saj. Kështu që këto vepra janë të shkruara dhe dolën me redaktimet e njerëzve të përshtatshëm. Dhe ne fëmijët e kemi mbështetur në anën financiare se shteti shqiptar nuk është kujtuar, por shteti ka dhe halle të tjera, nuk është ndonjë gjë...Por ai ka pasur fatin që ne të tre si fëmijë kemi qenë në gjendje ta mbështesim dhe ne si fëmijë e kemi ndihmuar. Ai nuk i ka pranuar mundësitë tona, shumë nga financimet tona.

Ai ka qenë tamam një rilindës që nuk donte të bënte shumë shpenzime luksoze për jetën e tij. Donte të bënte një jetë të thjeshtë siç kishte lindur. Ai rrinte në banesën e vjetër, me muret, raftet e vjetra, arkivin e shtëpisë dhe donte të bënte një jetë të thjeshtë, edhe pse i kam ofruar një banesë më komode.  
 
Besoj se gëzimi i tij ishte vepra juaj “Dyrrahu Ilir” 
-Nuk mund ta fsheh, por ajo që doli në këto ditë ishte një dhuratë e madhe për të dhe unë jam kënaqur tej mase. Ishte një një dhuratë, siç ishte amaneti që i ka lënë babai dhe ai ma ka lënë mua. Unë dua të vete te varri i gjyshit dhe t’i them se babai i bëri veprat, jo se jemi fetarë, por jemi njerëz që jetojmë me shpirtin e shenjtë dhe i respektojmë paraardhësit. Dhe këto ditë ai u kënaq shumë që doli edhe një libër nga dora ime. Iku i lumtur. Vitet e fundit ai mori një forcë të veçantë që edhe ne të ishim në rrugën direkte të punës në vendin tonë dhe për vendin tonë.
 
Ju tha për ndonjë libër ta keni në kujdes të veçantë? 
-“Historia e Skënderbeut”. Dëshironte ta përkthente në anglisht e gjuhë të tjera. Ati do t’i bëhet një redaktim, jo përmirësime, sepse s’ka defekte, por do bashkohet edhe me kritikat që rrodhën kur u botua dhe e ka plotësuar edhe me to. Unë s’kam ç’ti ndryshojë më, por do ta “qeverisë” punën që të arrijmë ta botojmë.

Ka lënë shumë gjëra të mbaruara, por njerëzit do mendojnë se ia ka bërë dikush tjetër, por të gjitha dokumentet e Skënderbeut që pasojnë veprën tij janë në tavolinë, edhe recensionet; se puna e Kristo Frashërit me to është një vepër më vete metodike dhe ka shumë recensione edhe për librat edhe për filmat historikë. Kristo Frashëri kishte kohë që nuk shikonte, por ai dëgjonte e diktonte dhe i organizonte veprat. Ai e ka në kokë logjikën përpunimin, analizën. Me Kriston mund të flisje e dukej sikur shkruante një libër. Asnjë botim, as një punë e tij, nuk ka kaluar në botim pa u dëgjuar nga fillimi deri në fund nga ai.

Por veprat e veta i ka bërë me kohë. E mbaj mend kur isha i vogël që rrinte një natë apo dy net pa gjumë, meraku i tij ishte që i ati nuk ia pa veprën Historia e Shqipërisë” të vitit 60, sepse vdiq. Unë nuk kam parë njeri të ketë punuar më shumë. Edhe në plazh kur shkonin të vegjël ai rrinte ballkon me makinë shkrimi.
 
Çfarë zhvillimesh mendon se do të ketë në ceremonia e sotme? 
-Ai nuk ka pritur ceremoni të madhe. Ka lënë vetëm gjëra që donte t’i përfundonte. Ky është angazhimi ynë. Por Kristo Frashëri ka bërë diçka. Madje kujtoj se këto kanë  qenë fjalët e fundit. “Bir mendoj se kam bërë diçka. Besoj se i kam bërë gjërat mirë...”


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

23 vite që jetonin në Greqi, çifti u nda për 5 vite, Enkelejda i dha një mundësi tjetër për hatër të fëmijëve

23 vite që jetonin në Greqi, çifti u nda për 5 vite, Enkelejda i dha një mundësi tjetër për hatër të fëmijëve