Kryerja e një ndërhyrje kirurgjikale në Italia, ka sjellë lirimin nga “arresti shtëpiak” i njërit prej biznesmenëve të arrestuar nga prokuroria e Durrësit, pas situatës së shembjes së godinave nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Bëhet fjalë për biznesmenin Avdulla Osmani, i cili zotëronte hotel Tropikal në Durrës, ku humbën jetën dy vëllezërit Kosovarë Shemsedin Abazi dhe Isan Abazi. Nga shëmbja e hotelit mbeti i plagosur dhe Avdulla Osmani dhe bashkëshortja e tij.

Gati një muaj pas tërmetit të nëntorit 2019, prokuroria urdhëroi në dhjetor 2019 arrestimin e pronarit të hotel “Tropikal” Avdulla Osmani për akuzën “Vrasjes me dashje”. Bashkë me Osmanin u arrestuan dhe 8 persona të tjerë dhe 8 zyrtarë u shpallën në kërkim. Për shkak të gjëndjes jo të mirë shëndetësore, gjykata e Durrësit ka vendosur në fillim të vitit 2020 të zbusë masën e sigurisë për Osmanin nga “arrest në burg” në “arrest shtëpi”.

Por si pasojë e një kërkese tjetër të depozituar në gjykatën e Durrësit nga Osmani me argumentin se nevojitej të kryente një ndërhyrje kirurgjikale në Itali,tashmë gjykata e Durrësit, ka vendosur ti zbusë sërisht masën e sigurisë Osmanit nga “Arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje” njëherë në muaj pranë oficerit të policisë, pra duke e lënë të lirë. Mësohet se deri në këtë fazë të hetimit asnjë nga personat e arrestuar pas tërmetit të nëntorit 2019 në Durrës, nuk ndodhet në burg, pasi janë liruar dhe caktuar masa më të buta sigurimi për ta.