Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka kërkuar që ministrja serbe e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, të shpallet "non grata" në Shqipëri, pas deklaratës së saj lidhur me Kosovën.

Në një reagim publik, Xhaferri riktheu edhe një herë qëndrimin kundër nismës "Open Ballkan", duke theksuar se kundërshtimi i saj nuk kishte qenë vetëm për arsye ekonomike, por edhe për shkak të së kaluarës politike të udhëheqjes serbe.

"Të shpallet “Non Grata”  Ministrja e Administratës Publike në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç!

Kur e kemi kundërshtuar projektin “Open Ballkan”, argumenti ynë nuk ka qenë vetëm ekonomik, edhe pse e dinim se mielli dhe produktet bujqësore serbe do të përmbytnin tregun shqiptar, siç edhe ndodh prej vitesh.

E kemi kundërshtuar “Open Ballkan” sepse Serbia drejtohet nga një njeri që ishte Ministër i Informimit së Millosheviçit gjatë luftës në Kosovë dhe ka qenë pjesë e qeverisë së tij kur u krye gjenocidi në Srebrenicë, ku u vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.

E kemi refuzuar “Open Ballkanin” sepse Serbia mban ende barrën e krimeve të kryera nga forcat e saj  ushtarake  dhe paramilitare në Kosovë, Masakrën e Mejës, të Reçakut, të Prekazit, të Krushës së Madhe, të Burgut të Dubravës dhe zhvendosjen e 1 milionë shqiptarëve nga shtëpitë e tyre.

Si ligjvënës, ndiej turp që gjatë këtyre 13 viteve, Tirana zyrtare ka zhvilluar më shumë takime me Beogradin sesa me Prishtinën.

Por sot dua ti bëj thirrje qeverisë që shpall Non Grata protestuesit që vijnë nga Kosova të shpallë dhe Non Grata Ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç",- shkruan Xhaferri.


Lajmi kryesor:

‘Do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën’/ Shqipëria dhe BE dënojnë deklaratën skandaloze të ministres serbe: E papranueshme! Hoxha: Pajtimi nuk ndërtohet mbi mohimin e krimeve