“Po të isha në vend të Sllobodan Milloshevicit, në 1998-ën do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën” kjo ishte deklarata më e fortë e lëshuar ndonjëherë nga një zyrtar i lartë i Shtetit Serb e që ka ngjallur reagime të ashpra në Shqipëri, Kosovë e nga Bashkimi Europian.

Këtë deklaratë Minstrja serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale Snezhana Paunoviç, e bëri të shtunën për televizionin Kurir në Serbi. Ky qëndrim është dënuar ashpër nga Bashkimi Europian i cili përmes zvëdhënes së saj Anitta Hipper thotë se ato janë nxitëse të destabilitetit në rajon.

“Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, tha Hipper duke iu adresuar gazetarëve në Bruksel.

Sipas saj, ato bien ndesh edhe me zotimet që ka marrë Serbia në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal”, shtoi Hipper.

Për qeverinë në detyrë të Kosovës këto nuk janë thjesht deklarime por aspirata nga të cilat shteti zyrtar i Serbisë nuk ka hequr dorë”. Për Radio Evropa e Lirë Prishtina zyrtare tha se “problemi është se shteti i Serbisë nuk është distancuar kurrë në asnjë mënyrë nga politikat e Millosheviqit”.

Reagim erdhi edhe nga Tirana zyrtare përmes Ministrit të Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, i cili e konsideroi fyerje për viktimat e luftës së Kosovës. Ndërsa e cilësoi deklaratën të papranushme, Hoxha shkruan se normalizimi i krimeve kundër njerëzimit minon pajtimin dhe se e ardhmja evropiane e rajonit mund të ndërtohet vetëm mbi të vërtetën, përgjegjësinë dhe respektin për viktimat.

"Deklarata e një anëtari të qeverisë së Serbisë, që shpreh publikisht keqardhje që në Kosovë nuk është kryer një spastrim etnik edhe më i madh, është e papranueshme, tronditëse dhe një fyerje e rëndë për viktimat e luftës",- thuhet në reagimin e Hoxhës.

Duke e cilësuar një deklaratë raciste, Partia Demorkatike kërkoi që ministrja serbe të shpallet non-grata nga Shqipëria.

"Partia Demokratike e dënon me forcë deklaratën raciste dhe antishqiptare të kësaj përfaqësueseje të ultranacionalizmit primitiv serb, si edhe qëndrimin e Edi Ramës dhe të narkoqeverisë së tij përballë deklaratave të tilla çnjerëzore dhe nxitëse të urrejtjes, të cilat bien ndesh me parimet themelore të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Shpallja e saj non grata dhe paditja për nxitje të gjenocidit janë të vetmet qëndrime që ajo meriton", thuhet në një deklaratë. 

Ministrja serbe iu referua Sllobodan Millosheviçit, president i Republikës Federale të Jugosllavisë dhe i akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte në Kosovë.  Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë i ka cilësuar drejtuesit e atëhershëm si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova me qëllimin  për të “ndryshuar balancën etnike e për të ruajtur kontrollin serb mbi Kosovën”.

Paunoviç është nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë që nga viti 2024. Kryetari i kësaj partie, Ivica Daçiç, njëherësh ministër i Brendshëm i Serbisë, i cilësoi si “të turpshme dhe hipokrite” kritikat ndaj ministres. Ai tha se ata që e akuzojnë Paunoviçin se “ka bërë thirrje për spastrim etnik”, prej disa vitesh, “heshtin për spastrimin etnik të serbëve nga Kosova”.

Zyrtarët serbë akuzojnë shpesh autoritetet e Kosovës për dëbimin e serbëve, por pa paraqitur prova që do t'i mbështesnin këto pretendime. Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë të zhdukur. Mijëra trupa u gjetën ndër vite në varreza masive në Serbi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:52
'Do ta kisha spastruar etknikisht Kosovën', Besart Xhaferri kërkon shpalljen 'non grata' të ministres serbe

1784041128_12006301764172936xbesartxhaferri817.jpg

Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka kërkuar që ministrja serbe e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, të shpallet "non grata" në Shqipëri, pas deklaratës së saj lidhur me Kosovën.

Në një reagim publik, Xhaferri riktheu edhe një herë qëndrimin kundër nismës "Open Ballkan", duke theksuar se kundërshtimi i saj nuk kishte qenë vetëm për arsye ekonomike, por edhe për shkak të së kaluarës politike të udhëheqjes serbe.

"Të shpallet “Non Grata”  Ministrja e Administratës Publike në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç!

Kur e kemi kundërshtuar projektin “Open Ballkan”, argumenti ynë nuk ka qenë vetëm ekonomik, edhe pse e dinim se mielli dhe produktet bujqësore serbe do të përmbytnin tregun shqiptar, siç edhe ndodh prej vitesh.

E kemi kundërshtuar “Open Ballkan” sepse Serbia drejtohet nga një njeri që ishte Ministër i Informimit së Millosheviçit gjatë luftës në Kosovë dhe ka qenë pjesë e qeverisë së tij kur u krye gjenocidi në Srebrenicë, ku u vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.

E kemi refuzuar “Open Ballkanin” sepse Serbia mban ende barrën e krimeve të kryera nga forcat e saj  ushtarake  dhe paramilitare në Kosovë, Masakrën e Mejës, të Reçakut, të Prekazit, të Krushës së Madhe, të Burgut të Dubravës dhe zhvendosjen e 1 milionë shqiptarëve nga shtëpitë e tyre.

Si ligjvënës, ndiej turp që gjatë këtyre 13 viteve, Tirana zyrtare ka zhvilluar më shumë takime me Beogradin sesa me Prishtinën.

Por sot dua ti bëj thirrje qeverisë që shpall Non Grata protestuesit që vijnë nga Kosova të shpallë dhe Non Grata Ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç",- shkruan Xhaferri.

Ora 16:35
'Do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën', PD kërkon shpalljen 'non grata' të ministres serbe dhe paditjen e saj për nxitje të gjenocidit

1784039834_WhatsAppImage20260714at16.08.44.jpeg

Partia Demokratike ka reaguar ndaj një deklarate të ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç - e cila është shprehur se, nëse do të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën - duke kërkuar shpalljen e saj "non grata" dhe paditjen për nxitje të gjenocidit.

Deklaratë e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Floriana Garo

Këto ditë, në media ka qarkulluar një deklaratë ultraraciste dhe antishqiptare e ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, në qeverinë e padronit të Edi Ramës, Aleksander Vuçiçit.

Në këtë deklaratë, ajo shprehet: "Po të isha në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën."

Me këtë deklaratë, kjo figurë e ultranacionalizmit serb shpreh keqardhje që xhelati i Ballkanit, Sllobodan Millosheviçi, me operacionin e tij "Patkoi" dhe me gjenocidin e fundit serb ndaj shqiptarëve, nuk arriti t'i dëbonte ata nga trojet e tyre mijëravjeçare.

Partia Demokratike e dënon me forcë deklaratën raciste dhe antishqiptare të kësaj përfaqësueseje të ultranacionalizmit primitiv serb, si edhe qëndrimin e Edi Ramës dhe të narkoqeverisë së tij përballë deklaratave të tilla çnjerëzore dhe nxitëse të urrejtjes, të cilat bien ndesh me parimet themelore të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

Shpallja e saj non grata dhe paditja për nxitje të gjenocidit janë të vetmet qëndrime që ajo meriton.

Ora 15:35
'Do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën', Spiropali dënon deklaratën e ministres serbe: Barbarizëm

1784036143_spiropali.jpg

Ish-ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme dhe deputetja Elisa Spiropali, ka dënuar deklaratën e ministrës serbe për Administratën Publike dhe Vetëqeverisjen Lokale, Snezhana Pnaunoviç, e cila gjatë një interviste tha se nëse do të kishte mundësi do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Përmes rrjeteve sociale, Spiropali shkruan se deklarata e ministres serbe nuk është mendim politik, por barbarizëm.

"E pabesueshme të dëgjosh nga një ministre e një qeverie të një vendi që aspiron integrimin europian të shprehë pa asnjë drojë keqardhjen se në Kosovë nuk u vranë mjaftueshëm fëmijë, gra, burra e të moshuar.

Zoti e ruajt këtë monstër që duartroket dhe glorifikon krimet.

Ky nuk është mendim politik.

Ky është barbarizëm verbal.

Europa nuk mund ta dëgjojë këtë gjuhë dhe të heshtë. Kush justifikon ose shpreh keqardhje për krime që nuk u kryen në përmasa edhe më të mëdha, nuk mund të jetë partner i vlerave europiane, duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe institucionale, por më së shumti humane.

Kosovës nuk ia fali kush Lirinë. Kosova Lirinë e fitoi me gjak. Është në nderin dhe detyrën e Europës të mbrojë kujtesën e viktimave, që përbën themelin e parimeve mbi të cilat është ndërtuar.

Nëse Serbia rrugën drejt Bashkimit Europian e ka seriozisht, nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj këtij makabriteti verbal që, më së paku, e turpëron, më së shumti ia rrezikon bashkëjetesën paqësore me fqinjët",- shkruan Spiropali.

Ora 15:08
'Do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën', Majko reagon pas deklaratës së ministres serbe: Sinqeriteti i saj është peshë mbi qeverinë e Beogradit

1784034807_90001721997888xdeputetisocialistpandelimajko116.jpg

Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-deputeti Pandeli Majko, ka reaguar pas deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, e cila u shpreh se, nëse do të kishte pasur të njëjtën liri veprimi si ish-presidenti serb Slobodan Millosheviç, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Majko u shpreh se deklarata e ministres serbe nuk duhet të shkaktojë habi, duke e cilësuar atë si një tregues të vazhdimësisë së një qasjeje politike që, sipas tij, ende ekziston në struktura të politikës dhe shtetit serb.

“Janë kujtimet ato që na përcaktojnë! Ndaj askush nuk ka pse të ndihet shumë i ‘çuditur’ nga deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviç”, shkruan Majko.

Sipas tij, një deklaratë e tillë publike nga një zyrtare e lartë përbën një barrë për qeverinë serbe në përpjekjet e saj për integrimin europian.

“Kjo deklaratë publike (e një ministreje), është ndërkaq, një ‘peshë’ mbi qeverinë serbe e cila kërkon integrimin europian!”, shprehet ish-kryeministri.

Ministrja serbe Snezhana Paunoviç, ka deklaruar se “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviçit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”.

Janë kujtimet ato që na përcaktojnë! Ndaj askush nuk ka pse të ndihet shumë i “çuditur” nga deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviç! Kjo deklaratë publike (e një ministreje), është ndërkaq, një “peshë” mbi qeverinë serbe e cila kërkon integrimin europian!

Kujtimi i një lufte të humbur e bën paqen frustruese! Ministrja serbe ka shprehur me “sinqeritet” atë vullnet kolektiv i cili, për fat të keq, ekziston ende brenda strukturave të politikës dhe shtetit serb!

Sinqeriteti publik i ministres Snezhana Paunoviç nuk është vetëm “guxim”, por edhe vazhdimësi e një politike të një njeriu si Sllobodan Millosheviç, të burgosur në Hagë për krime lufte!

… Sot, në Hagë po gjykohen edhe komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Nëse Sllobodan Millosheviçi do ta realizonte atë që dëshiron publikisht, ministrja serbe Snezhana Paunoviç, të akuzuarit nuk kishin pse gjykoheshin, sot në Hagë! Ata, sot, nuk do të ishin të gjallë!…

Vetëdija e “fajësisë” për një krim të “papërfunduar” në kohë paqe, është po aq i rëndë sa një krim i kryer në kohë lufte",- shkruan Majko,

Ora 14:45
Ministrja serbe tha se do bënte spastrim etnik në Kosovë në 1999, Ferit Hoxha: Fyerje për viktimat e luftës, pajtimi nuk ndërtohet mbi mohimin e krimeve

Ministri i Punëve të Jashtme Ferit Hoxha ka reaguar pas deklaratës së ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç, e cila në një intervistë tha se po të kishte pasur lirinë e veprimit që kishte Slobodan Milosheviç, do ta kishte "spastruar etnikisht Kosovën".

Hoxha shkruan se kjo deklaratë është fyese për viktimat e luftës dhe se se normalizimi i krimeve kundër njerëzimit minon pajtimin dhe se e ardhmja evropiane e rajonit mund të ndërtohet vetëm mbi të vërtetën, përgjegjësinë dhe respektin për viktimat.

Reagimi i plotë:

Deklarata e një anëtari të qeverisë së Serbisë, që shpreh publikisht keqardhje që në Kosovë nuk është kryer një spastrim etnik edhe më i madh, është e papranueshme, tronditëse dhe një fyerje e rëndë për viktimat e luftës.

Relativizimi dhe normalizimi i një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit, krime të dënuara nga historia, nga drejtësia ndërkombëtare dhe nga vetë ndërgjegjja njerëzore, bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa e sotme. Ato minojnë përpjekjet për pajtim dhe bashkëpunim, ushqejnë mosbesimin dhe urrejtjen, si dhe rihapin plagë që ende nuk janë shëruar.

Askush nuk mund të ndërtojë besim duke rikthyer hijet më të errëta të së kaluarës, aq më pak duke lartësuar politika dhe figura që mbajnë përgjegjësi për tragjedi, vuajtje dhe krime që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e rajonit tonë siç është "kasapi i Ballkanit".

Procesi i normalizimit dhe i pajtimit, për të cilin Kosova, Serbia dhe i gjithë rajoni ynë kanë aq shumë nevojë, kërkon para së gjithash përgjegjësi, reflektim dhe guxim për t’u përballur me të kaluarën.

Ai nuk mund të ndërtohet kurrë mbi deklarata që justifikojnë apo lartësojnë politikat që sollën aq shumë dhimbje e shkatërrim, por vetëm e vetëm mbi të vërtetën, respektin për viktimat dhe angazhimin e sinqertë për një të ardhme të përbashkët evropiane.