Komuniteti shkencor po feston anulimin e një projekti që do të kishte kërcënuar qiellin më të pastër në botë, në shkretëtirën Atakama të Kilit, shkruan The Guardian.
Projekti i propozuar, me vlerë 10 miliardë dollarë dhe me një sipërfaqe prej 3 000 hektarësh, për prodhimin e hidrogjenit të gjelbër dhe amoniakut, i njohur si INNA, parashikonte ndërtimin e një porti, lidhje transporti me bregdetin dhe tre centrale diellore. Ai kishte qenë nën vlerësim nga rregullatori mjedisor i Kilit për gati një vit.
Astronomët kishin paralajmëruar vazhdimisht se afërsia e projektit me disa nga teleskopët më të fuqishëm në botë do të dëmtonte në mënyrë të pakthyeshme vëzhgimet në këtë zonë, e cila konsiderohet vendi më i mirë në botë për astronominë tokësore.
“Ky anulim do të thotë se projekti INNA nuk do të ketë më ndikim negativ mbi Observatorin Paranal,” tha Itziar de Gregorio, përfaqësuese e Observatorit Jugor Europian (ESO) në Kili, ku ai operon tre komplekse teleskopësh. “Megjithatë, ajo që ky megaprojekt ka nxjerrë në pah është nevoja urgjente për masa të qarta mbrojtjeje rreth vendeve ku kryhet astronomia profesionale në Kili. Ky anulim nuk do të thotë se puna për mbrojtjen e qiellit ka përfunduar.”
Shërbimi i vlerësimit mjedisor të Kilit konfirmoi se, pas takimeve të javës së kaluar me AES Andes, kompania që kishte propozuar impiantin, projekti tani është tërhequr zyrtarisht.
Shkencëtarët kishin paralajmëruar se impianti INNA do të ndikonte në matje duke rritur ndotjen nga drita, duke shkaktuar dridhje të vogla në tokë që do të ndikonin instrumentet, duke ngritur pluhur që mund të depozitohej mbi pasqyrat e teleskopëve precizë dhe duke rritur turbulencën atmosferike.
Ata argumentuan se nuk kishte asnjë nevojë që impianti të ndërtohej kaq pranë observatorëve, duke pasur parasysh pasojat potencialisht shkatërruese për astronominë.
AES Andes, një degë e kompanisë amerikane AES Corporation, e cila prodhon energji në Kili, Kolumbi dhe Argjentinë përmes centraleve me qymyr, gaz, hidroelektrike, me erë dhe diellore, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Megjithatë, në një njoftim për shtyp, kompania deklaroi: “Pas një analize të detajuar të portofolit të projekteve të saj, AES Andes ka vendosur të ndërpresë zbatimin e projektit INNA”, megjithëse shtoi se ai ishte “plotësisht i përputhshëm” me aktivitetet e tjera në zonë.
Një letër e hapur e botuar në dhjetor, e udhëhequr nga fituesi i Çmimit Nobel 2020 Reinhard Genzel, i kishte bërë thirrje qeverisë kiliane ta anulonte projektin e propozuar, pasi impianti do të ndodhej vetëm 11.6 kilometra nga Paranal, një nga observatorët më të rëndësishëm në botë.
Teleskopi i tij Very Large Telescope (VLT), i ndërtuar 2 600 metra mbi nivelin e detit, ka kryer matjet që kanë çuar në fitimin e tre Çmimeve Nobel. Ndërsa në malin fqinj Cerro Armazones po ndërtohet Extremely Large Telescope (ELT), teleskopi më i madh dhe më i fuqishëm që është ndërtuar ndonjëherë.
Ai do t’u mundësojë astronomëve të eksplorojnë galaktika të largëta për ekzoplanete të ngjashme me Tokën, ku mund të ketë jetë.
Komente







