“Doktor Hysenbegasi dhe ‘avokati’ i shpëtuan jetën djalit të Operativit të Sigurimit, por ai…”, ngjarja e dhimbshme në kampin e Vlashukut

“Doktor Hysenbegasi dhe ‘avokati’ i shpëtuan jetën djalit të Operativit të Sigurimit, por ai…”, ngjarja e dhimbshme në kampin e Vlashukut

Kur e dëgjon për herë të parë emrin e Kampit të Vlashukut, se pse pandeh se po flitet për ndonjë kamp pushimi. Nuk e di se kush të ngatërron më shumë; fjala ‘kamp’ apo ‘Vlashuk’ që tingëllon butë e gati me përkëdhelje. E vërteta është se kemi të bëjmë me diçka krejt tjetër: ai ka qenë një vend pune të detyruar, ku mundimet kanë qenë kaq të mëdha, sa dhe vetë atyre që kanë vuajtur dënimin, mes asaj baltovine të pafund, ku ta pinin gjakun mushkonjat e shushunjat, gati u duket si një ëndërr e keqe! Të burgosurit e këtij kampi, kryesisht i kishin sjellë nga ai i Urës Vajgurore, ku i kishin vënë të ndërtonin aeroportin ushtarak.

E rëndë kishte qenë puna dhe atje, por kjo këtu, për hapjen e një kanali të madh vaditës të quajtur Vjosë-Levan-Fier, ishte ç’ishte. Çahej një kodër tej për tej, në formë skarpati, mbi njëzet metra e thellë, me qëllim që të betonohej tuneli e pastaj të mbulohej me dhe nga sipër.

Mirëpo, sapo nisnin shirat, gjithë mundi vinte kot, pasi dheu duke qenë i butë dhe faqet anësore shumë të larta, kishte shembje masive. Jo se nuk mërziteshin të burgosurit, por në vetvete ngushëlloheshin duke thënë se; ishin me fat që shembjet ngjisnin kur ata flinin, se po t`i zinte kur punonin, vështirë të shpëtonte ndokush gjallë.

Vështirësitë e përbashkëta dhe puna në kolektiv, pa folur për fatin e njëjtë; se të gjithë thuajse ishin dënuar fare kot, i kishin lidhur fort të burgosurit që ishin nga të katër anët e vendit. Kurse gardianët, sikur të mos mjaftonte halli që i kishte zënë, silleshin shumë keq me ta, madje dhe i godisnin e fyenin pa asnjë shkak.

Mirë profesor Hysni Alimerkon nga Tragjasi që e akuzonin për formimin e një grupi opozitar, po ç’kishin me avokatin Jani Ikonomi nga Narta e Vlorës, i cili duke qenë me punë në Peshkopi, ku nderohej e respektohej nga të gjithë, vuri kandidaturën për deputet i pavarur, pasi kështu kishte lexuar në gazetat komuniste dhe vetëm për këtë i hëngri plot njëzetepesë vjet dhe tani orë e minutë e vinin në lojë:

– Ec deputet! Jepi belit deputet!

Ndjehej keq avokati i gjorë por ç’të bënte. Me gardianët bënte si bënte, se fundja analfabetë ishin, por inatin më të madh e kishte me operativin e Sigurimit, Ademin, që ishte nga Prongjia e Gjirokastrës. Ky, duke qenë si më i shkolluar dhe me shumë pushtet, i nxiste dhe të tjerët që t’ia nxinin jetën avokatit.

Kështu që Jani, kishte shumë arsye që ta urrente me gjithë shpirt këtë oficer Sigurimi zemër katran, që sa herë e ndeshte, ndërronte rrugë. Ademi, si shumica e kuadrove që shërbenin në Kampin e Vlashukut, e kishte marrë me vete dhe familjen, kështu që shtëpinë e kishte pranë kampit.

Një ditë u hap fjala se Ademi e kishte djalin shumë të sëmurë, pasi kishte marrë një të ftohtë të rëndë. Ishte viti 1953 dhe antibiotikë ishte gati e pamundur të gjeje. Ato sapo kishin hyrë në Shqipëri me pakicë dhe ishin shumë të kushtueshme. Si balta e Vlashukut, ishte bërë Ademi. E kishte humbur fare pusullën.

– Paska ndjenja dhe ky derr – tha dikush. – Sidoqoftë është baba – ia priti një tjetër, – që vazhdoi – Tek fëmija askush nuk duron. Sido që Ademi vetë ishte i pamëshirshëm, të gjithë të burgosurve u erdhi shumë keq për të birin. Fundja ç`faj kishte ai?

Dha e mori doktori i kampit, Isuf Hysenbegasi (Starova) që ishte dhe vetë i dënuar si pjesëmarrës në ‘Grupin e deputetëve’, por nuk kishte ç’të bënte më shumë se sa t’i vinte kompresa me ujë të ftohtë dhe t’i jepte për të pirë aspirina. Ai më mirë se kushdo tjetër e kuptonte se jeta e djalit, në këto kushte, ishte e pashpresë.

Ai edhe vetë kishte një vajzë që tani duhej të ishte nja nëntë vjeçe. Atë kishte shumë pa e parë, pasi bashkë me të ëmën italiane, qenë larguar nga Shqipëria, fill pas arrestimit të tij. Sa mirë kishin qenë atëherë.

Ai qe dashuruar me të shoqen, kur kishte qenë student në Romë. Pastaj ishin martuar dhe kishin ardhur në Vlorë, ku për të si otojatër, kishin shumë nevojë. Mirëpo më pas, e kishin arrestuar së bashku me të vëllanë, i cili kishte vdekur gjatë torturave në hetuesi.

E shoqja s`kishte nga t’ia mbante, ndaj mori të bijën dhe shkoi tek njerëzit e vet. Papritur dikush trokiti dhe doktori duke menduar se mund të ishte ndonjë i dënuar që donte të vizitohej, çeli derën. U gëzua kur pa Jani Ikonomin.

– Eja avokat. Ç’e mirë të solli?! Ai në të vërtetë e priste me kënaqësi takimin me të, pasi kishin se ç`bisedonin.- Kam dëgjuar… – tha avokati – që nuk e kishin lënë as të mbronte veten e tij – kam dëgjuar se Ademi e ka shumë të sëmurë djalin.

– Sëmurë është dhe s`dihet se si do t`i vejë filli. Zor se shpëton. Unë nuk di ç`të bëj me të. Po e shkrin temperatura.

– Për këtë kam ardhur – foli me një zë të shtruar Jani. – Para ca kohe, ata të familjes më sollën tre flakonë penicilina, për çdo të papritur. T’i solla që t’ia bësh atij fëmije.

Doktori gati u përlot:

– Fisniku po fisnik mbetet. Dhe pasi i rrahu shpatullat me dashuri avokatit, shtoi: – Të lumtë or burrë. Pastaj, gati duke fluturuar, pasi mori çantën, shkoi drejt e tek operativi që po mundohej të lidhej me aparatin e vjetër të telefonit, tek zyra e oficerit të rojës, me ata të qendrës.

– Zoti operativ – shpejtoi të fliste gati duke iu marrë fryma, – e shpëtuam djalin. Ademi, i hutuar, s’po dinte ç’të pyeste. Por doktori nuk e la gjatë në atë gjendje:

– I gjetëm gjilpërat.- Si i gjete? I gjetëm dhe janë penicilina të mrekullueshme. Për dy ditë djali do të ngrihet në këmbë. Po të mos e pengonte detyra, Ademi do ta kishte përqafuar doktorin. Por u mjaftua vetëm duke bërë pyetjen: – Po ku…?! – Deputeti – i shpëtoi doktorit. – Atij ia kishte sjellë familja dhe ai i dha për djalin tënd.

Ademi mbeti ngushtë. Ndjehej dhe si i turpëruar. Si pa kuptim ngaqë s’dinte ç’të thosh tjetër, pëshpëriti: – Qerratai…!

Kurse me vete mendoi: “Dhe unë budallai, tallesha me të në sy të të tjerëve. Sa gabim”!

Por nuk kishte kohë për të tilla arsyetime. I dha urdhër një ushtari të armatosur që ta ndiqte pas dhe së bashku me doktorin dolën nga postblloku dhe u drejtuan për nga shtëpia. Djali përpëlitej në kllapi, mes një temperature përvëluese. E ëma i rrinte tek koka dhe qante në heshtje me lot nëne, po aq të nxehtë.

– Mos qaj, se tani ia hodhëm. Ajo me zë të dridhur, vetëm pyeti:- Si…?!- Ja do t`i bëjmë këto gjilpëra dhe çdo gjë do të kalojë. Janë penicilina. – Po ku i gjete o doktor vëllai? – i belbëzoi me zë të dridhur gruaja që ende s`po u besonte veshëve.

– Na i dha njëri – dhe s`e zgjati shumë Ademi. – Epo iu shtoftë ymri atij dhe fëmijëve të tij. Edhe ty doktor që u bëre copë për djalin tonë, si ta kishe fëmijën tënd. Doktori s’u ndje. Hoqi në zemër dhe vetëm kaq. Ai ishte i zënë me përgatitjen e gjilpërës. Në darkë djalit të operativit, i ra temperatura. Ai hapi sytë dhe filloi të reagojë. I dhanë nja dy lugë kos për të ngrënë. Të nesërmen në tërë kampin u hap fjala se vogëlushi shpëtoi.

Të dënuarit u ndjenë shumë më të lehtësuar. U nisën në punë me forca të reja. Pas gjilpërës së tretë, kur të burgosurit kishin ngrënë drekën, doktor Isufi thirri në ambulance, Jani Ikonomin. Jani pastroi lopatën dhe pak në qejf, u nis për tek dhoma e doktorit.

E dinte se me të mund të bisedoje për gjëra interesante, por ai i gëzohej edhe faktit se doktori mbante në dhomë edhe një breshkë që e quante “Ana”, një lejlek që ia kishte vënë emrin “Saip” dhe një qen që e kishte quajtur shkurt anglisht, “Dog”.

Të gjithë të burgosurit ishin miqësuar me këto kafshë. Breshka nuk dilte nga kutia ku e kishte futur doktori, por Saipi dhe Dogu, sa herë të burgosurit rreshtoheshin dhe niseshin me kazma e lopata për tek kanali, i ndiqnin nga pas.

Dhe prisnin aty me orë të tëra, gjersa mbaronin punë, për t`u kthyer së bashku me ta. Edhe të burgosurit do hiqnin diçka nga goja e tyre, për t`i ushqyer këto kafshë që i donin më shumë se ata njerëzit e veshur me uniforma.

Jani, si zuri vend në anë të krevatit të vizitave dhe përkëdheli kafshët që u gëzuan sa e vunë re, e pa doktorin drejt e në sy, sikur deshi t`i thotë: “Përse më thirre”? – Pardje – filloi doktor Isufi, – nuk pata kohë të të falënderoja. Ti e pe, koha nuk priste. Sot të thirra ta pimë bashkë një kafe.

– Të faleminderit doktor – u përgjigj avokati që kishte kohë pa e provuar shijen e kafesë. Doktori vazhdoi: – Si mjek e si prind, të them se ke bërë një mirësi të madhe. Ai djalë jetën e ka nga ty. Shpëtove një fëmijë edhe pse i ati i tij me shokë, vetë ne na ndanë nga fëmijët tanë për së gjalli dhe na bënë që dashurinë prindërore ta tregojmë… tek ky qeni.

– Unë bëra atë që do të bënte secili nga ne, doktor.

– Ata për ne nuk do ta bënin kurrë këtë, or vëlla. Ja përse ne jemi shumë më të mirë se ata. Pastaj të gjithë e dimë se Ademi…!

Jani nuk e la të vihej më tej në siklet: – S`prish punë. Mbase do e vrasë ndërgjegjja, pas kësaj. – Sidoqoftë ai më porositi të të them se, sa kushtojnë ato gjilpëra, se dihet, këtu ti ke nevojë dhe për dhjetë lek. Jani ndjeu një të skuqur të lehtë në fytyrë.

– Ç`kuptim do të kishte nderi, sikur të më paguanin për të?

– Ke të drejtë. Por unë e kisha porosi. Pastaj, duke pirë kafetë, e ndërruan bisedën. Që atë ditë ata u afruan akoma më tepër. Një mbasdite, tek doktori erdhi me vrap dikush dhe e njoftoi se, është shumë keq Bejo Vrazhdo. Ky ishte një fshatar trim nga Bolena që e kishin dënuar me pesëmbëdhjetë vjet burg, nga që kishte strehuar vëllanë e tij që ishte diversant.

Sapo dëgjuan këtë lajm, doktori dhe Jani që u ndodh aty, vrapuan tek kapanoni dhe u gjendën tek krevati i Bejos. Ai nuk nxirrte zë, por merrej vesh që po kalonte një situatë kritike. Doktori si i vuri stetoskopin, konstatoi se ai kishte marrë një të ftohur të rëndë.

Kish duruar sa kish duruar, por kur panë se po e mbyste kolla, shokët vendosën të thërresin mjekun. Ky menjëherë u nis për tek komisari, Shyqyri Pojani që në të vërtetë nuk qe njeri i keq, por i thanë se qe larguar për në Fier. Me qenë se komandanti ishte në një kurs që organizonte Ministria dhe atë e zëvendësonte operativi, doktori dhe Jani, shkuan të takonin Ademin. Për çudinë e tyre, ky po u qëndronte rëndë.

– Ç’doni? – i pyeti me arrogancë. Ata, si të turpëruar filluan të shpjegonin se Bejua, kishte nevojë për ilaçe se ishte shumë i sëmurë. – Të nisim ndihmës mjekun në qendër për furnizim se nuk kemi fare ilaçe – e mori fjalën doktori. Ndihmës mjeku ishte nënoficer aktiv, por donte urdhër që të largohej nga reparti.

– Ty të vjen keq për Bejon që ka strehuar armikun e pushtetit popullor? – iu hakërrye operativi doktorit. – Mua më shumë më dhimbset “Dogu yt”, se ai. Le të ngordhë qeni! Kur dëgjoi këto fjalë, Jani bëri dhe një përpjekje se mos e thyente ai operativin:- Zoti Adem, është njerëzore…!

– Kujt i thërret në emër mor harbut. Mos më ke prerë kërthizën, mor borgjez i fëlliqur, që më thërret në emër. E di ç`të punoj!

Të dy “borgjezët”, si e panë se çdo gjë ishte e kotë, u larguan të dëshpëruar. Operativit nuk iu durua pa i thënë edhe një herë: – Jepi belit deputet! – dhe qeshi me qesëndi.

Doktor Isufit nuk iu ndenj pa thënë nëpër dhëmbë: – Është e tmerrshme; por ka diçka shumë më të thellë se ky kanal i mallkuar që po i ndan shqiptarët nga njeri-tjetri. Diçka që do ta vuajmë gjatë. Mjerë Shqipëria!

Në ditët që pasuan, doktori e mori bolenasin në infermieri. I shërbeu sa mundi, por ai mbylli sytë në duart e tij. Aty ishte Jani Ikonomi që ato ditë i sillte racionin e tij të çajit, dhe të heshtur qëndronin një qen, një lejlek dhe një…breshkë. Nga Shpendi Topollaj /Memorie.al/

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • A. N.: 20/08/2023 10:32

    Ti e ndihmon qe ti shpetosh djalin dhe ai vazhdon te te thote borxhez i felliqur. Jemi rraca me e poshter ne Europe dhe pike

    Përgjigju
    • Gian: 20/08/2023 16:51

      Jemi mir jemi

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës